Ndërlidhjet

Francezët vendosin për fatin e “Merkozisë”


Angela Merkel dhe Nikolas Sarkozi
Angela Merkel dhe Nikolas Sarkozi
Franca të dielën (22 prill) mban raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, në të cilat mund të shihet si udhëheq kandidati i Partisë Socialiste Fransua Holland ndaj presidentit në detyrë, Nikolas Sarkozi.

Holland, një figurë publike e rëndomtë dhe Sarkozi një kandidat impulsiv, janë favoritë nga 10 kandidatët. Asnjëri nuk pritet që të marrë 50 për qind të votave të nevojshme të dielën, por sondazhet flasin se Holland mund të fitojë në balotazh me Sarkozinë, më 6 maj.

Analistët politikë dhe financiarë thonë se një fitore e Hollandit do të kishte implikime përtej Francës, sepse do të sillte fundin e të ashtuquajturës aleancës “Merkozy” në mes të Sarkozisë dhe kancelares gjermane Angela Merkel, që kanë udhëhequr politikën evropiane në vitet e fundit.

Mosmarrëveshjet potenciale mbi politikat në mes të dy ekonomive më të mëdha mund të kenë një ndikim të madh në stabilitetin e monedhës së përbashkët euro, në një kohë të brishtë për kontinentin.

Dallimi thelbësor në mes të Hollandit dhe Merkelit është te mënyra e funksionimit të Bankës Qendrore Evropiane. Holland dëshiron rregulla të reja që do ta bënin bankën një huadhënës të fundit të qeverive të ngarkuara me borxhe.

Në të vërtetë ky ka qenë një qëllim i politikës franceze për Bankën Qendrore Evropiane që nga vitet e ’90-ta.

Por, Sarkozi qe tërhequr nga këto ambicie pas shpërthimit të krizës së borxheve, duke i afruar qëndrimet me ato të Merkelit.

Merkel dhe Sarkozi kanë shtyrë përpara masat e ashpra, që do të çonin në një traktat të ri të Bashkimit Evropian, i cili do të përfshinte dënime automatike për shtetet e eurozonës me një deficit më shumë sesa tre për qind të GDP-së së tyre, kriter ky i përcaktuar në traktatin e Mastrihtit të vitit 1992, në bazë të së cilit qe themeluar valuta e përbashkët evropiane.

Në javën e fundit të fushatës, Sarkozi theksoi nevojën që Franca të ulë deficitin dhe borxhin e saj. Ai ka kritikuar premtimin zgjedhor të Hollandit për të punësuar 64 mijë mësues:

Për kënd janë tregjet, nëse jo për njerëzit që ju kërkoni të financojnë borxhin që ju keni? Nëse vendimi i parë është që të krijohen 60 mijë poste tjera nw sektorin publik, ju po e përforconi ndikimin e tregjeve. A më kuptuat drejt”, pat pyetur Sarkozi.

Holland, që refuzon masa tjera shtrënguese financiare, dëshiron të rrisë tatimet për të pasurit dhe për kompanitë. Ai ka pranuar se kriza evropiane e borxheve nuk ka mbaruar. Por, ai thotë se Sarkozi po përpiqet që të krijojë një profeci vetëpërmbushëse duke ushqyer frikën e tregjeve.

Kriza e euros nuk ka mbaruar, keni të drejtë ta thoni këtë. Por, Franca sot nuk i është ekspozuar kësaj krize. Mos t’i bëjmë njerëzit që të besojnë se mund të preken, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ushqyer këto parashikime”, tha Holland.

Deficiti buxhetor i Francës ka arritur 5.2 për qind të GDP-së, 3 pikë më pak sesa ai i Spanjës, por shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare të ofruara nga Italia.

Franca ka filluar të marrë hua para për të paguar beneficionet e saj sociale.

Tomas Mikalski, një profesor i ekonomisë në shkollën ndërkombëtare të biznesit HEC Paris, thotë se borxhi publik i Francës po rritet në nivel të rrezikshëm.

Tani jemi në një situatë ku borxhi për GDP-në është rreth 85 për qind dhe del se disa shtete që kanë ndjekur skenarin e njëjtë - sidomos Spanja, Greqia ose Irlanda për shembull, parimisht janë gati të shpërthejnë”, tha Mikalski.

Kandidatët tjerë përfaqësojnë një spektër të gjerë politik. Në krahun e djathtë ekstrem është Zhan Luk Melenshon, një ish ministër i kabinetit socialist, që e la partinë për të formuar koalicionin e tij, Fronti i Majtë.

Dominik Moisi, këshilltar i lartë në Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Paris, thotë se Melenshon është figura më dinamike e fushatës.

Ai është i gjallë, oratori më i mirë, një radikal i kultivuar dhe me dhunti. Ai është një kripto-revolucionar dhe përfiton nga mbështetja e Partisë Komuniste. Ai e ka makinën partiake plus spontanitetin e personalitetit të tij. Ai është zbulimi i vetëm i kësaj fushate”, thotë Moisi.

Në krahun tjetër të spektrit politik është Marinë Le Pen e Fronit Kombëtar. Ajo është e bija më e re e Zhan Mari Le Pen, themeluesit të partisë së krahut të djathtë. Me thirrjet për rregulla më të ashpra të emigracionit, motoja e fushatës së saj është bërë frikë për islamizim.

Sondazhet tregojnë se Le Pen dhe Melenchon ndajnë rreth 30 për qind të votave- një refleksion, thonë analistët i pakënaqësisë së votuesve të përgjithshëm me establishmentin politik.

Në mes të Frontit Kombëtar të Le Penit dhe Frontit të Majtë të Melenshonit është qendra e Fransua Bajrou. Pesë vjet më parë, në raundin e parë presidencial, ai pat fituar pothuaj një të pestën e votave.

Analistët përfundojnë se Melenshon, Le Pen dhe Bayrou nuk kanë gjasa që të shkojnë në raundin e dytë. Por, ka të tillë që thonë se ata që votojnë për këta tre politikanë do të luajnë rol thelbësor në përcaktimin e fituesit.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG