Ndërlidhjet

Fletëarrestet si mjet hakmarrjeje politike


Ilustrim
Ilustrim

Udhëtimet përmes territorit të Serbisë që iu mundësuan kosovarëve pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, mund të rezultojnë me arrestim, nëse për ta ekziston ndonjë fletëarrest i lëshuar para 1999-s apo në kohën pas luftës në Kosovë.

Përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë u bënë thirrje një ditë më parë të gjithë shtetasve të vendit “që mendojnë se mund të jenë pjesë e arrestimeve dhe e lojërave politike serbe”, të jenë të kujdesshëm.

Thirrjen për kujdes të shtuar, drejtuar kosovarëve që mund të figurojnë në listën e të kërkuarve nga prokuroria serbe, e bëri të mërkurën dhe zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekariq:


Kjo duhet të zgjidhet në mënyrë që njerëzit të mos arrestohen pa arsye në kufi.
Ka nevojë për ata që dyshohen të kenë marrë pjesë në krime lufte. E dimë se gjatë të 90-ave ka pasur fletëarreste për shumë njerëz, por kjo duhet të rishqyrtohet nëse ne synojmë pajtimin".

"Nuk mund të themi se sa është numri i fletë-arresteve të lëshuara deri më tani, por më brengos fakti që shumica e fletëarresteve ishin lëshuar në bazë të trendit politik, e jo në bazë të ligjit apo dëshmive. Kjo duhet të zgjidhet në mënyrë që njerëzit të mos arrestohen pa arsye në kufi
”, tha ai, për të shtuar nevojën e themelimit të përbashkët ku gjykatësit e prokurorët do të vërtetonin vlefshmërinë e fletëarresteve.

Fletëarrestet serbe, që flasin për dyshime rreth veprimeve politike anti-shtetërore apo ato që kanë të bëjnë me dyshimet për pjesëmarrje në krime lufte, duket se “u ringjallen” pas 27 marsit kur u arrestuan katër serbë kosovarë, që thuhet se po bartnin material zgjedhor për organizimin e zgjedhjeve të 6 majit në territorin e Serbisë.

Një ditë më pas, në pikën kufitare te Dheu i Bardhë u arrestuan Hasan Abazi dhe Adem Murselin - njëri nën dyshimet për “spiunazh” dhe tjetri për “tregti me drogë”.

Ndaj arrestimeve dhe paralajmërimit të ministrit të brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se do të arrestohen “të gjithë ata që rrezikojnë rendin kushtetues të Serbisë në të ardhmen”, patën reaguar zyrtarët kosovarë duke i cilësuar tërësisht politike arrestimin e duke akuzuar palën serbe për shkeljen e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Fisnik Rexhep,kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se me arrestimin e Hasanit dhe Murselit, qeveria serbe ka dëshmuar politikën e saj anti-evropiane.

Serbia e ka shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, sepse ka ndaluar dy qytetarë të thjesht të Republikës së Kosovës për të kaluar transit nëpër territorin e Serbisë duke pretenduar se të njëjtit janë të ndjekur nga organet e drejtësisë në Serbi”, pat thënë Rexhepi.

E në ndërkohë, në pikën kufitare në Merdarë, u arrestua të shtunën me dyshimet për pjesëmarrje në krime ndaj popullatës civile serbe më 1998 Mark Koshnjet - një tjetër kosovar.

Mirëpo, në Beograd nuk deshën të bëjnë ndonjë ndërlidhje në mes të arrestimeve të fundit të kosovarëve dhe marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel.

Shefi i delegacionit serb në bisedimet me palën kosovare, Borko Stefanoviq, tha se arrestimet e kosovarëve janë bërë në kuadër të kornizës ligjore në Serbi, ndërsa akuzoi Prishtinën për moszbatimin e marrëveshjes.

Qeveria e Prishtinës po cungon lirinë e lëvizjes duke u marrë qytetarëve serbë dokumentet dhe targat e automjeteve. Arrestimet që bëhen bazuar në vendimet adekuate të gjykatave apo prokurorisë nuk kanë kurrfarë lidhje me marrëveshjen për lëvizjen e lirë”, theksoi ai.

Përfaqësues të delegacionit kosovarë në bisedimet me Serbinë, i thanë Radios Evropa e Lirë se ia kanë drejtuar tashmë BE-së një kërkesë për shtimin e presionit ndaj Beogradit në zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, por nuk japin detaje të tjera nëse është kërkuar të veprohet kundër arrestimeve të fundit.

...Prishtina duhet të bëjë trysni që heqja e këtyre urdhër-arresteve të bëhet pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.
Analisti, Leon Malazogu, sugjeroi që kjo çështje të futet sa më parë në listën e temave të diskutimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Lëvizja e lirë - marrëveshja për lirinë e lëvizjes nuk është marrë me këtë, por tani që po paraqitet si problem jashtëzakonisht i madh, që ne ndoshta nuk e kemi parashikuar, tani duhet të bëhet prioritet dhe Prishtina duhet të bëjë trysni që heqja e këtyre urdhër-arresteve të bëhet pjesë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes”, u shpreh Malazogu.

Brukseli, ndërkaq, u bëri thirrje palëve që të tregojnë përkushtim në zbatimin e zotimeve të bëra deri më tani në kuadër të dialogut.
XS
SM
MD
LG