Ndërlidhjet

Një drejtor ndryshe i Bankës Botërore


Jim Jong Kim
Jim Jong Kim
Kreu i ri i Bankës Botërore, Jim Jong Kim, ndryshon nga presidentët e këtij institucioni në mënyra të shumta.

Deri më tash, 10 presidentët e mëhershëm të bankës - qëllimi i së cilës është zhvillimi i vendeve të varfra- kanë qenë bankierë ose zyrtarë të Uashingtonit. Të gjithë kanë qenë meshkuj të bardhë.

Por, Jim Kim, siç njihet me emrin e shkurtuar, nuk është as njëri as tjetri. Ai është mjek me përvojë në punë zhvillimore në disa nga rajonet më të varfra të globit. Ai do të jetë amerikani i parë i lindur në Azi që do ta udhëheqë bankën.

Kimi, 52 vjeçar ka lindur në Korenë Jugore, por ka shkuar në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen, kur ishte vetëm, 5 vjeç.

I ati, një dentist dhe profesor, ndërsa nëna që doktoroi në filozofi, u mishëruan me Ëndrrën Amerikane, të arritur nga puna e madhe dhe merita. Kështu bëri edhe i biri, vetëm se mori një kthesë tjetër.

Kim diplomoi në Shkollën Mjekësore të Harvardit si mjek. Por, në vend se t’i përkushtohej praktikimit luksoz të profesionit si mjek, ai vazhdoi shkollimin për të fituar doktoraturën në antropologji. I tërë interesi i tij u fokusua në botën në zhvillim.

Suksesi i parë i Kimit, erdhi kur bashkëthemeloi një organizatë të quajtur “Partnerët në Shëndetësi”(Partners in Health, PiH) përderisa ishte ende në shkollën e mjekësisë. Duke punuar për grupin në Lima, në mesin e viteve të ’90-ta, ai ndihmoi në zhvillimin e një programi për luftimin e shfaqjes së një lloji të tuberkulozit, rezistent ndaj barnave.

Për t’ua bërë të mundur që edhe të varfrit të trajtohen nga ky tuberkuloz viral, Kim dhe kolegët e tij zhvilluan mënyrat që pacientët të trajtoheshin në shtëpi, në vend se në spital, dhe negociuan me kompanitë farmaceutike që të prodhojnë barna më të lira dhe më efikase.

Suksesi i këtyre përpjekjeve, shtyu Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe grupet tjera që të zbatojnë trajtime të njëjta në 40 vende.

Kim thotë se në Peru mësoi leksionet për jetën.

Këtu pashë se si komunitetet luftojnë për mbijetesë, për shkak të mungesës së infrastrukturës, mungesës së shërbimeve bazike”, ka thënë ai së fundi. “Këtu mësova se mund të triumfojmë mbi vështirësitë duke iu dhënë fuqi të varfërve dhe duke u fokusuar në rezultate”.

Pas Perusë, Kim shkoi që të udhëheqë programin e OBSH-së për trajtimin e tre milionë pacientëve të rinj me HIV/AIDS me barna antiretrorvirale në vendet në zhvillim.

Pastaj u bë president i njërit prej universiteteve më prestigjioze në SHBA, të Dartmouth-it.

Suksesi i tij, e bëri presidentin amerikan Barak Obama, një mbështetës entuziast të Kimit për ta zëvendësuar kreun aktual të Bankës Botërore Robert Zollik, mandati i të cilit përfundon më 30 qershor.

Besoj se askush nuk është më i kualifikuar që të kryejë misionin si dr Jim Kim. Është koha që një profesionist i zhvillimit të udhëheqë agjencinë më të madhe të zhvillimit”, ka thënë muajin e kaluar, presidenti Obama.

Megjithatë, zgjedhja për Kimin nuk ka kaluar pa kundërthënie.

Kjo, pasi që nga themelimi i BB-së në vitin 1945, ka qenë praktikë, që t’i lihet në dorë Uashingtonit që të nonimojë atë që do ta kryesonte bankën.

Por, këtë vit, disa shtete sfiduan traditën, duke nominuar kandidatët e tyre. Dy kandidatë, ministrja nigeriane e financave, Ngozi Okonjo-Iveala dhe ish ministri i Financave i Kolumbisë Hose Antonio Okampo, thanë se janë më të kualifikuar për këtë punë sesa Kimi, dhe këtë e shprehën edhe publikisht.

Posaçërisht kritike ka qenë Okonjo-Iveala,që ka shërbyer si drejtoreshë menaxhuese në BB në kohën e Zollikut.

Ajo i ka thënë AFP-së se procesi i votimit për drejtorin e ri të bankës është jokorrekt, sepse dominohet nga fuqitë perëndimore dhe “vendimi nuk merret në bazë të meritës”.

Ndjenjat e hidhura mbi vazhdimin e ndikimit të Uashingtonit, se kush do të bëhet drejtor, mund t’ia komplikojnë Kimit muajt e parë të punës.

Puna e pare tash duhet të jetë konsolidimi i autoritetit të tij, ndaj mbështetësve të rivalëve në banjkë. Vetëm atëherë, ai mund të zbatojë vizionin e tij se institucioni ndërkombëtar i huadhënies, mund të ndihmojë më mirë botën e varfër.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG