Qindra maqedonas kanë mbajtur protestë të dhunshme para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë, në shenjë revolte ndaj vrasjes së pesë maqedonasve të enjten në mbrëmje, në fshatin Smillkovë të Shkupit.
Protestuesit për këtë vrasje kanë fajësuar shqiptarët dhe gjatë brohoritjeve janë dëgjuar parulla të shumta antishqiptare si: "Shqiptar i mirë, shqiptari i vdekur", "Policia e shqiptarëve", "Vdekje për shqiptarët", “Dhoma gazi për shqiptarët” e të tjera.
Gjatë tentimit për të kaluar në Çarshinë e vjetër të Shkupit, ku edhe fillon lagjja e banuar me shqiptarë, kanë ndërhyrë forcat speciale të policisë për t’i shpërndarë demonstruesit.
Sipas të dhënave të para njoftohet për të paktën dhjetë të arrestuar.
Nëpër të gjitha udhëkryqet e Shkupit janë përqendruar forca të shumta policore për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Gjatë ditës, ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka bërë të ditur se policia ka gjetur një veturë në dalje të Shkupit, e cila besohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së pesë maqedonasve.
Por, Jankullovska sërish kë bërë thirrje që të mos spekulohet me motivet dhe përkatësinë etnike të autorëve të vrasjes.