Ndërlidhjet

Bisedimet për Iranin: Shumëçka në rrezik


Flamuri iranian - fotografi ilustruese
Flamuri iranian - fotografi ilustruese
Sipas të gjitha llogaritjeve, bisedimet e kësaj jave në Stamboll në mes të fuqive të mëdha dhe Iranit janë thelbësore për diplomacinë në zgjidhjen e krizës mbi programin e dyshimtë bërthamor të Iranit.

Një dështim i bisedimeve, të parat pas një viti e gjysmë, mund të rrisë rrezikun e konfrontimit ushtarak me republikën islamike në mënyrë dramatike.
Izraeli ka sugjeruar se njëanshëm do të bombardojë objektet bërthamore iraniane, po që se vazhdon status quo-ja.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton tha gjatë kësaj jave, se bisedimet, që nisin me një drekë joformale të premten dhe zyrtarisht të shtunën, do të mund t’i japin një shans Iranit që të adresojë “seriozisht” shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar mbi programin e tij bërthamor.

Ne besojmë se ende ka kohë për demokraci, por është urgjente që iranianët të ulen në tavolinë dhe të krijojnë një ambient të favorshëm për të arritur rezultate konkrete përmes një procesi të qëndrueshëm”, tha Klinton.

Hillari Klinton
Hillari Klinton
Shtetet perëndimore po shpresojnë se si rezultat i sanksioneve të ashpra, që po përballet Irani, përfshirë edhe embargon e naftës nga Evropa, që hyn në fuqi më 1 korrik, liderët e vendit, do të jenë të gatshëm që të ndërmarrin hapa për të ulur shqetësimet se Teherani po zhvillon fshehtas program për armë bërthamore.

Një hap i rëndësishëm do të ishte ndalimi i prodhimit të uraniumit të pasuruar për 20 për qind në objektin Fordo afër qytetit Qom dhe transferimi i stoqeve aktuale jashtë vendit

Uraniumi i pasuruar deri në 20 për qind mund të përdoret për programet civile bërthamore dhe nga ai nivel mund lehtë të pasurohet në shkallën e prodhimit të armëve.

Teherani insiston se programi i tij bërthamor përdoret për qëllime paqësore të energjisë e mjekësisë.

Irani në të kaluarën ka përjashtuar suspendimin e aktiviteteve të pasurimit, siç qe urdhëruar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Por, kreu i Organizatës për Energji Atomike të Iranit, Ferejdoun Abasi Davani, la të kuptohet së fundi se Teherani mund eventualisht që të ndalojë prodhimin e pasurimit për 20 për qind të uraniumit, pasi që ka prodhuar mjaft dhe të ecë përpara, duke pasuruar nivelet më të ulëta, për gjeneratat e ardhshme të energjisë.

Davani është cituar të ketë thënë se pasurimi përtej 20 për qindëshit, nuk ka qenë pjesë e qëllimit bërthamor afatgjatë të vendit.

Shefi i ekipit iranian negociator, Saed Xhalili, që do të udhëheqë delegacionin iranian në bisedime, tha se do të sjellin “propozime të reja” në tavolinë, pa ofruar detaje.

Majkëll Man, zëdhënësi i kryediplomates evropiane, Ketrin Eshton, i tha Radios Evropa e Lirë se grupi negociator P5+1 nuk pret që të dalë ndonjë marrëveshje nga bisedimet.

Shpresojmë të jetë fillimi i një serie negociatash, ndërtimit të besimit, vendosja e çështjeve në tavolinë dhe shpresojmë se do të nisim një proces që do të zgjasë dhe në raundin e dytë, e të tretë, të arrijmë me të vërtetë përparim”, tha Man.

Shanon Kile, një hulumtues në Institutin Ndërkombëtar për Kërkime Paqësore në Stokholm (SIPRI) tha se shtetet perëndimore po kërkojnë të nisin një proces afatgjatë diplomatik.
Koha po ecën dhe ky me të vërtetë mund të jetë shansi i fundit për një zgjidhje diplomatike për kundërthëniet bërthamore të Iranit.
Kjo është e rëndësishme, sepse dritarja e diplomacisë aktualisht është e mbyllur. Koha po ecën dhe ky me të vërtetë mund të jetë shansi i fundit për një zgjidhje diplomatike për kundërthëniet bërthamore të Iranit. Ajo çka do të shohim kësaj radhe është një gatishmëri më e madhe për durim, një mirëkuptim se ky do të jetë një proces i gjatë, dhe se nuk do të ketë zgjidhje të shpejta, për një fundjavë në Stamboll”, tha Kile.

Xhon Limbert, ish zëvendës ndihmës i sekretarit të shtetit për çështjet e Lindjes së Afërt dhe një nga 52 amerikanët që janë mbajtur peng në krizën e pengjeve në vitin 1979 në Teheran, thotë se pë shkak të shkallës së lartë të mosbesimit dhe armiqësisë në relacionet mes Iranit dhe perëndimit, diplomatët në Stamboll do të duhej të kenë pritje të ulëta dhe “shumë durim”.

Shenjat e suksesit, thotë ai, mund të jenë delikate.

Ndoshta suksesi është arritja e një marrëveshjeje për t’u takuar sërish. Ndoshta suksesi është diçka e pathënë. Një gjë, që do të pres, për shembull është: A do të ketë takim bilateral mes krerëve të delegacioneve amerikane dhe iraniane. Nëse jo, mendoj se do të kemi probleme”, tha Limbert.

Bisedimet e mëhershme me Iranin patën dështuar për shkak të mosgatishmërisë së Iranit për kompromis.

Por, kombinimi i kërcënimeve të Izraelit dhe dënimi me sanksione ekonomike nga Perëndimi mund të prodhojë një rezultat të ndryshëm në këtë raund.

Ali Vaez, një analist iranian në Grupin Ndërkombëtar të Krizave tha se “ai është optimist i rezervuar”.

Ai thotë se kushti për “pasurimin që na duhet” mund t’i japë një zgjidhje Iranit për shpëtimin e fytyrës ne lidhje me ndalimin e programit të pasurimit për 20 për qind të uraniumit.

Hosein Alizadeh, një ish diplomat iranian, që ka dhënë dorëheqje nga posti i tij në 2010, i tha Radio Fardas se Irani ka të ngjarë që të tregojë fleksibilitet gjatë bisedimeve në Stamboll, jo vetëm për shkak të rritjes së presionit nga jashtë, por edhe nga brenda.

Por, vëzhguesit tjerë, përfshirë edhe ekspertin për Lindjen e Mesme me bazë në Uashington, Rasul Nafisi, nuk janë aq shumë optimistë.

Nafisi thotë se Irani po shkon në tavolinë të bisedimeve me “strategjinë e vjetër për të blerë kohë”: saktësisht për shkak të paralajmërimeve ushtarake dhe sanksioneve.

Me fjalë tjera, ata po kërkojnë një rrugë për të lehtësuar presionin, por pa hequr dorë nga asgjë.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG