Ndërlidhjet

Ngritja e vazhdueshme e çmimeve, alarmuese


Ilustrim
Ilustrim
Ngritja e vazhdueshme e çmimeve të produkteve të konsumit ka alarmuar një pjesë të madhe të qytetarëve në Kosovë. Ata shprehen mjaft të shqetësuar për atë se si çdo muaj ka ngritje të çmimeve. Disa prej tyre ankohen se pagat e ulëta iu pamundësojnë atyre që të blejnë gjërat esenciale për jetë. Ndërkaq, thonë se derisa çmimet vazhdimisht shënojnë rritje, pagat mbesin të njëjta.

Pajazit Halimi, qytetar, thotë se me pagat në Kosovë është e pamundur të përballohet ngritja e çmimeve. Ai thotë se me të ardhurat mujore që kanë familjet kosovare, nuk mund të blesh as gjërat elementare për të jetuar një jetë të dinjitetshme.

“Shumë familje në lagjen ku jetoj unë, jetojnë me ndihmë sociale prej 65 eurosh. Ata me ato para nuk mund të arrijnë t'i blejnë të gjitha gjërat që i duhen një njeriu për të jetuar mirë. Nuk e di si po jetohet, vetëm ndoshta ende po dërgojnë të holla bashkatdhetarët tanë, përndryshe nuk do të mund t'ia dalë askush me këto paga që janë në Kosovë”, thotë Halimi.

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.Ndërsa, paga minimale në Kosovë është 170 euro.

Në anën tjetër, Luljeta Kabashi thekson se në Kosovë ka ngritje të vazhdueshme të çmimeve të konsumit. Ajo thotë se për t’i mbuluar shpenzimet mujore duhet të bëhet një menaxhim shumë i mirë i parasë në familje. Sipas saj, me pagat që merren në Kosovë, nuk është çështje jetesa, por mbijetesa.

“Duhet të punosh disa punë dhe të gjithë të organizohen se nuk ia del. Produktet më të shtrenjta janë uji, rryma, produktet ushqimore janë jashtëzakonisht të shtrenjta , veshmbathja kualitative është e shtrenjtë, varet edhe çfarë jete ke mundësi të bësh”, shprehet Kallaba.

Këtë ngritje të çmimeve edhe Donika Elezi e konsideron alarmuese. Ajo thotë se e ka shumë të vështirë mbulimin e shpenzimeve mujore me pagën që ajo e merr.
Pagat janë tejet të ulëta, ndërsa çmimet marramendëse. Shumë vështirë e kam t’ia dal deri në fund me familjen time.

“Shumë vështirë. Në Kosovë të gjitha gjërat janë të shtrenjta. Pagat janë tejet të ulëta, ndërsa çmimet marramendëse. Shumë vështirë e kam t’ia dal deri në fund me familjen time”, tregon Donika Elezi.

Në bazë të të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 1.0 për qind në muajin shkurt 2012, krahasuar me muajin janar 2012. Shkurti i vitit 2011 krahasuar me muajin janar 2011 ishte me çmime më të larta për 2.2 për qind. Shkalla e inflacionit e matur në muajin shkurt 2012 me muajin shkurt 2011 ishte 1.7 për qind.

Se pagat në Kosovë janë të ulëta, kurse çmimet të larta, e thekson edhe eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani.
Ky duhet të jetë alarm për Qeverinë.

“Marrë në përgjithësi, pagat në Kosovë mund të themi se në tërësi inflacioni, pra ngritja permanente e çmimeve dhe atë tek artikujt kryesorë të ekzistencës, drejtpërdrejt godet standardin jetësor, zbraz xhepat e qytetarit dhe normalisht zvogëlon shportën jetësore. Ky duhet të jetë alarm për Qeverinë”, vlerëson Limani për Radion Evropa e Lirë.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te përdorimi i pajisjeve për transportin personal, nafta dhe benzina, pastaj rryma, gazi, lëndët djegëse të tjera.

Sipas profesorit të ekonomisë, Musa Limani, kur ka ngritje të naftës, atëherë çmimi i derivateve të naftës shprehet te ngritja e produkteve tjera. Ndërkohë, siç thotë ai, në Kosovë çmimi i naftës është shumë i lartë.

“Dita-ditës është duke rënë standardi jetësor në Kosovë; duke u rritur varfëria e problemet sociale. Për shkak të pagave nominale, të cilat nuk lëvizin me vite të tëra dhe për shkak rritjes së vazhdueshme të çmimeve, varfëria në Kosovë do të shënojë rritje”, thekson profesor Limani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG