Ndërlidhjet

Bëhen gati për fizibilitet


Ilustrim
Ilustrim

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga pritet të themelojë të martën Këshillin Kombëtar për Integrime Evropian, si një mekanizëm që synon të bashkërendojë dhe krijojë konsensus nacional në lidhje me integrimet.

Në aktin e themelimit të këtij Këshilli, do të jetë i pranishëm dhe Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim Stefan Fyle.

Ndërkaq, pjesë e tij do të jenë edhe kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, lideri i opozitës Isa Mustafa dhe përfaqësuesit tjerë të partive opozitare, si dhe ata të shoqërisë civile.

Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu tha se Këshilli synon krijimin e konsensusit të nevojshëm politik në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian është mekanizëm bashkërendues institucional nën udhëheqjen e presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga. Në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Kosovës, Këshilli synon ndërtimin e konsensusit institucional e shoqëror dhe gjithashtu rekomandon konkretizimin e veprimeve në procesin e integrimit evropian”, tha Vllahiu.

Komisionari Fyle do të vizitojë të martën Kosovën.

Kësaj radhe, ai pritet t’i njoftojë autoritetet kosovare për fillimin procesit të hartimit të Studimit të Fizibilitetit.

Një studim i tillë, i paraprinë më pas Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, e cila zakonisht nënshkruhet vetëm pasi që vendet t’i plotësojnë kriteret e parapara.

Vendimi i BE-së për Studimin e Fizibilitetit pasoi marrëveshjen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale me anë të fusnotës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi mendon se Kosova ka shënuar përparim drejt integrimeve evropiane me këtë marrëveshje, pasi që pengesat e saj drejt integrimeve evropiane më shumë janë politike sesa teknike, duke pasur parasysh qëndrimet e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Ne duhet të jemi të kujdesshëm, që fillimi i Studimit të Fizibilitetit është fillim i përcaktimit të detyrave të shtëpisë dhe për aq sa ecim ne në këtë dinamikë, ata (BE-ja) do t’i vlerësojnë. Ne kemi pasur pengesa teknike dhe politike, më shumë politike sesa teknike. Të gjithë e dimë se janë pesë shtete në BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe nganjëherë kjo mosnjohje ka frenuar apo ka ngadalësuar procesin tonë integrues. Por, mendoj që tash pas marrëveshjes së fundit (për fusnotën) edhe ato pesë shtete pajtohen që ky proces integrues duhet të jetë me dinamikë më të shpejtë”, tha Kuçi.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Komisionari për Zgjerim i BE-së, Fyle, përveç pjesëmarrjes në aktin e themelimit të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Autoritetet qeveritare në Prishtinë e kanë vlerësuar si hap shumë të madh konsensusin e BE-së për Studimin e Fizibilitetit, ndonëse gjatë deklaratave kanë pranuar se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE do të jetë e gjatë dhe përplot sfida.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG