Ndërlidhjet

BE: Të zbatohen të gjitha marrëveshjet


Ilustrim
Ilustrim

Bashkimi Evropian e konsideron si shumë të rëndësishëm zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Ketrin Eshton tha për Radion Evropa e Lirë se grupet implementuese janë duke punuar në vazhdimësi, ngase për BE-në, zbatimi i marrëveshjeve ka një rëndësi të madhe.

Çdo marrëveshje duhet të zbatohet dhe kjo është çështje shumë e qartë në dialog. Për këtë arsye janë formuar edhe grupet për zbatim të cilat po punojnë në këtë drejtim”, tha zëdhënësja Kocijançiq.

Zbatimi i marrëveshjeve shqyrtohet rregullisht në çdo raund bisedimesh që ne organizojmë. Aty zakonisht bëhet një përditësim i asaj që është zbatuar nga marrëveshjet e arritura para se palët të vazhdojnë të diskutojnë për temat tjera nën lehtësimin e zotit Robert Kuper”, tha në vijim Kocijançiq.

Në anën tjetër, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin, Edita Tahiri shprehet mjaft e kënaqur me marrëveshjet.

Duke folur për dy marrëveshje për të cilat kishte më shumë reagime në Kosovë, përkatësisht atë për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale me fusnotë dhe atë të për lëvizjen e lirë, Edita Tahiri thotë se të dyja e kanë forcuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Prishtina dhe Beogradi, në muajin shkurt, kanë arritur marrëveshjen për prezantimin rajonal të Kosovës me fusnotën që përmban Rezolutën 12 44 dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me aktin e shpalljes së pavarësisë.

Kjo marrëveshje, sipas Tahirit, tashmë po zbatohet, dhe si rezultat ka sjellë përfaqësimin e Kosovës, pa pasur nevojë për praninë e UNMIK-ut, siç ka ndodhur në të kaluarën.

Me këtë marrëveshje UNMIK-u largohet nga çdo mundësi e përfaqësimit në emër të Kosovës dhe së fundmi shteti ynë do të nënshkruajë tash e tutje për vete. Ne jemi duke interpretuar saktë marrëveshjen, prandaj edhe po marrim pjesë në takimet rajonale”, theksoi Tahiri.

Kryenegociatorja Tahiri ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të qytetarëve në relacionet Kosovë – Serbi dhe anasjelltas.

Sipas saj, udhëtimi po zhvillohet i papenguar me anë të letërnjoftimeve apo edhe pasaportave.

Kalimi ndërkufitar prej Kosovës në Serbi dhe anasjelltas bëhet me leje të njoftimit. Një mundësi tjetër është pasaporta, por në ato raste unë kam dëgjuar që ka pasur qytetarë që kanë ardhur prej Serbisë në Kosovë, nuk kanë pasur letërnjoftime, kanë pasur pasaportë dhe normalisht që në pasaportë kanë marrë edhe vulën e Republikës së Kosovës”, tha Tahiri.

Bisedimet Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë sjellë si rezultat shtatë marrëveshje të prezantuara në formën e konkluzioneve.

Maja Kocijançiq ka paralajmëruar vazhdimin e punës së grupeve për zbatimin e marrëveshjeve, kurse për raundet e reja të bisedimeve, ajo tha se do të ketë një ngadalësim në proces për shkak të fushatës zgjedhore në Serbi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG