Ndërlidhjet

Romni shënon fitore në Ilinois


Mit Romni, pas fitores së arritur në Ilinois
Mit Romni, pas fitores së arritur në Ilinois
Ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, ka fituar në votimet për nominimin e kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale, në shtetin Ilinois.

Në këtë mënyrë, ai e ka bërë edhe një hap të madh drejt sigurimit të nominimit presidencial republikan, duke e mundur rivalin e tij kryesor, ish senatorin nga Pensilvania, Rik Santorum, për të tretën herë me radhë në tri shtete të mëdha.

Ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, i cili është multimilioner dhe ka mbështetjen e pjesës më të madhe të establishmentit të Partisë Republikane, por përpiqet ta fitojë edhe mbështetjen e krahut më konservator të partisë.

Pas fitores në Ilinois ai e ka ruajtur pozitën e parë në garën për nominim, për t'u ballafaquar me Barak Obamën, në zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor.

Gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij në Skaumburg të Çikagos, Mit Romni tha se
“zgjedhjet janë për zgjidhjet dhe sot qindra mijëra njerëz në Ilinois u janë bashkuar miliona njerëzve në vend për të punuar për çështjen tonë”.

Rezultatet e 98% të qarqeve të Ilinoisit, tregojnë se në votimet paraprake në këtë shtet, Romni ka fituar 47%, ndërsa Rik Santorum 35%.

Kongresmeni nga Teksasi, Ron Pol, ka fituar 9%, ndërsa ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit amerikan, Njut Gingriç, në Ilinois ka marrë 8% të votave.

Megjithqë gara ende mbetet e paqartë, duket se Rik Santorum do ta ketë tejet vështirë për ta rrezikuar pozitën udhëheqëse të Mit Romnit.

Gjatë një fjalimi në Getsburg të Pensilvanisë, Santorum tha se duhet të bëhet diçka për ta çliruar sektorin privat në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo është një zgjedhje për çështje fundamentale dhe themelore. Kjo është një zgjedhje jo për atë se kush është personi më i mirë për ta menaxhuar Uashingtonin ose për ta menaxhuar ekonominë. Ne nuk na duhet menaxher".

"Ne na duhet dikush që do ta tërheqë qeverinë me rrënjë dhe ta hedhë jashtë dhe të bëjë diçka për ta çliruar sektorin privat në Amerikë. Kjo është ajo që na duhet”
, tha Santorum.

Pas votimeve në Ilinois, Mit Romni i ka 563, prej gjithsej 1144 delegatëve, sa i duhen për ta siguruar nominimin në Konventën Kombëtare Republikane në Tampa të Floridës, e cila mbahet në muajin gusht.

Rik Santorum i ka 263, Njut Gingriç 135 dhe Ron Pol 50 delegatë.

Mit Romni e ka hedhur fokusin e tij në zgjedhjet e përgjithshme kundër presidentit Barak Obama.

“E dimë se cili është vizioni i Barak Obamës, sepse ne kemi jetuar tri vitet e fundit me këtë vizion”, tha Romni, pas fitores në lagjen Skaumburg të Çikagos, dhe shtoi se “vizioni i tij dallon shumë”.

Hulumtimet e opinionit kanë treguar se Mit Romni ishte i preferuari i votuesve që kërkonin gjetjen e kandidatit për ta mundur Obamën dhe i atyre të shqetësuar për ekonomi dhe për deficitin federal.

Votimet e ardhshme paraprake mbahen në Luizianë, për të cilat Santorum ka shprehur një lloj të besimit në sukses, për shkak të triumfit, para një jave, në dy shtete të tjera thellë në jug të Shteteve të Bashkuara, Allabama dhe Misisipi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG