Ndërlidhjet

Fitore bindëse e Mit Romnit në Portoriko


Mit Romni
Mit Romni

Kandidati Mit Romni e ka hedhur edhe një hap të suksesshëm për t’u bërë kandidat i nominuar republikan për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, në muajin nëntor të këtij viti.

Në votimet në Portoriko, të dielën vonë në mbrëmje, ai i fitoi 83 për qind të votave, pas numërimit të 61 për qind të fletëvotimeve.

Në këtë mënyrë ai i fitoi të 20 delegatët për Konventën kombëtare të republikanëve, pasi mori më tepër se 50% të votave në krahasim me rivalin e tij, Rik Santorum.

Duke folur para mbështetësve të tij për votimet në Portoriko, zoti Romni theksoi:

Unë synoj të bëhem i nominuari ynë dhe dëshiroj t’i sjell votuesit latinë që të votojnë për republikanët dhe ta kthejmë Shtëpinë e Bardhë. Ne do ta kryejmë këtë punë”, tha Mit Romni.

Për ta fituar nominimin kandidati duhet t’i ketë 1144 delegatë.

Para votimeve në Portoriko, ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, kishte 501 delegatë, ish senatori nga Pensilvania, Rik Santorum – 253, ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Njut Gingriç – 136, dhe anëtari i Dhomës Përfaqësuese, Ron Pol – 50 delegatë.

Pra, zoti Romni ka dyfish delegatë më tepër se të gjithë kandidatët e tjerë.

Gjatë javës së kaluar Romni dhe Santorum kanë zhvilluar fushatë intensive në Portoriko, që është një territor-ujdhesë e Shteteve të Bashkuara. Banorët e saj janë shtetas amerikanë, por ata nuk votojnë në zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor.

Gjatë fushatës, Mit Romni e kishte siguruar mbështetjen e guvernatorit të Portorikos, Luis Fortuno, dhe të politikanëve të tjerë udhëheqës.

Pas garës në këtë territor-ujdhesë të Shteteve të Bashkuara, tash priten votimet në shtetin Ilinois, ditën e martë.

Ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, me gjasë, do të ketë sukses në qytetin Çikago, por votuesit në Ilinois janë konservatorë në rritje, dhe mund të ndodhë që të votojnë për zotin Santorum.

Kështu rezultati përfundimtar do të varet se sa votues në hapësirën e Çikagos, nuk do ta mbështesin zotin Romni, e do të votojnë për zotin Santorum ose eventualisht për zotin Gingriç.

Rik Santorum ka kërkuar që Gingriç të tërhiqet nga gara, duke i mundësuar atij që ta konsolidoj opozitën konservatore kundër Romnit.

Por, ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Njut Gingriç, ka refuzuar të tërhiqet nga gara, megjithqë ka fituar vetëm në Karolinën Jugore dhe në Gjeorgji, të cilën ai e ka përfaqësuar në Kongres për dy dekada.

Kandidatit të katërt Ron Pol, i jepen shumë më pak gjasë për të pasur sukses në këtë garë republikane për nominim e kandidatit presidencial, për tu ballafaquar me presidentin Barak Obama, në muajin nëntor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG