Ndërlidhjet

Zgjedhjet, provokim i konfliktit të hapur me Kosovën


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Paralajmërimi i Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në territorin e Kosovës paraqet agresion, ndaj të cilit Kosova do të kundërpërgjigjet, deklaroi të mërkurën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Këto komente, Thaçi i bëri para Qeverisë së Kosovës, ku ai u zotua se do të përdoren të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë përbrenda territorit të Kosovës.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, vijoi Thaçi, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.

Serbia, definitivisht, me këtë pretendim, është duke provokuar një konflikt të hapur me shtetin e Kosovës që mund të ketë pasoja për gjithë rajonin dhe gjithë angazhimin ndërkombëtar në rajon, të SHBA-së, NATO-s dhe BE-së. Në përgjigje të këtij pretendimi, ne do ta përdorim gjithë forcën tonë kushtetuese e ligjore”, deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, opozita kërkon nga Qeveria që të mos sillet si organizatë joqeveritare, por të veprojë dhe të parandalojë me të gjitha mjetet dhe masat ligjore, mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se zgjedhjet serbe vijnë si pasojë e mosveprimit të Qeverisë së Kosovës, sidomos në veri dhe e negociatave e lëshimeve të shumta që kjo Qeveri i ka bërë Serbisë gjatë këtyre bisedimeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se Qeveria është e pafuqishme që t’i pengojë zgjedhjet serbe, por pret në radhë të parë që të rritet trysnia mbi Serbinë nga ana e faktorit ndërkombëtar.

Ne, si LDK normalisht që jemi shumë të shqetësuar me këto veprime dhe vendimtar në këtë rast do të jetë ndikimi i faktorit ndërkombëtar, i SHBA-së dhe shteteve të BE-së, sepse për Qeverinë e Kosovës ata (Serbia) i mbajnë zgjedhjet sa herë që të duan në Kosovë dhe nuk e kanë asnjë problem në këtë aspekt”, thotë Beqiri.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje thotë se Qeveria është deklaruar se i ka nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, andaj, sipas zyrtarit të saj, Dardan Molliqaj, ky është momenti që Qeveria ta dëshmojë se ka prani në pikat kufitare dhe t’i konfiskojë të gjitha materialet zgjedhore që hyjnë nga këto pika në kufi me Serbinë, si dhe t’i arrestojë organizatorët e zgjedhjeve që vijnë nga Serbia.

Kurse nga policia, Molliqaj kërkon që t’i bllokojë dhe ndalojë të gjitha vendvotimet që mund të hapen në territorin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka për obligim ligjor, politik edhe të vullnetit të qytetarëve të Kosovës që t’i parandalojë këto zgjedhje. Ajo çka po vërehet është se Qeveria e Kosovës më shumë po e respekton Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 12 44 përkundër Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, shprehet Molliqaj.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon nga Qeveria që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, thotë se kësaj radhe nuk mjafton që Qeveria të deklarohet se zgjedhjet serbe nuk prodhojnë efekte, por se duhet të veprojë dhe të mos i lejojë fare.

Mendoj se kësaj radhe Qeveria e Kosovës nuk duhet të mjaftohet me deklarata se këto zgjedhje nuk janë legjitime. Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë e kalon çdo normë, me të cilën Kosova ndoshta edhe me gabim, është pajtuar. Mendojmë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë”, htekson Gjini.

Në anën tjetër, edhe në Qeverinë e Kosovës ka mendime se Bashkimi Evropian nuk po e bën trysninë e duhur mbi Serbinë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se BE-ja nuk duhet t’ia tregojë Serbisë vetëm karotën, por edhe shkopin kur është e nevojshme. Ai thekson se Brukseli nuk kryen punë vetëm me shprehjen e keqardhjes, por duhet të vendosë edhe masa ndëshkimore ndaj këtij vendi.

Ata (Brukseli) e kanë shprehur një keqardhje, mirëpo mendoj se nuk mjafton vetëm shprehja e keqardhjes për këtë. Ata kanë mekanizma të ndryshëm të ndëshkimit. Ata duhet ta shfrytëzojnë edhe këtë formë, jo vetëm karotën, por edhe shkopin kur ka nevojë. Këto janë vetëm disa nga sugjerimet e mia, përndryshe Komisioni Evropian vetë duhet t’i ndërmarrë këto çështje dhe mos të na lërë neve në një pozicion shumë të vështirë”, shprehet Rexhepi.

Lidhur me paralajmërimin e Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Kosovë, tashmë kanë reaguar edhe disa nga ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë, të cilat i kanë bërë thirrje Serbisë që ta tërheqë këtë vendim.
XS
SM
MD
LG