“I takon BE-së të sigurojë që kjo marrëveshje të mos e shpërblejë vetëm Serbinë me statusin e kandidatit, por që të përshpejtohet dinamika në kompletimin e një Studimi të Fizibilitetit për Kosovën me të cilin do t’i hapej rruga procesit të Stabilizim - Asociimit”, tha në një intervisë për Radion Evropa e Lirë, analistja në Iniciativën Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus.
RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, Prishtina dhe Beogradi u pajtuan ditë më parë, mbi formulën me të cilën Kosova do të përfaqësohet në nismat rajonale e ndërkombëtare. Derisa Serbia pret të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, Kosova pret të marrë një, siç quhet, pako evropiane. Nëse i kemi parasysh pozitat e të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian, a mund të thuhet se marrëveshja ka qenë e drejtë?
VERENA KNAUS
Duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se pikënisjet e të dyja palëve janë të ndryshme, por nëse i merrni pikënisjet veç e veç për të parë se çfarë është arritur mund të thuhet se ka qenë një hap i mirë përpara për të dyja shtetet. Pikënisja e Serbisë ishte mungesa e qartësisë rreth statusit të saj të kandidatit për në BE.
Serbisë i është dashur të tregojë më shumë vullnet lidhur me realitetin në Kosovë; i është dashur të gjejë një kompromis lidhur me emrin dhe këtu ka pasur një parakusht. Mendoj se ka qenë joreale të pritet që Serbia të jetë në gjendje që, brenda një periudhe të shkurtër që nga dhjetori, të zhbëjë të ashtuquajturat struktura paralele që veprojnë në Kosovë - jo vetëm në veri.
Testi kryesor kishte të bënte më mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë, pra shtrohet pyetja nëse Serbia si shenjë e vullnetit të mirë do të mbajë apo jo këto zgjedhje në maj. Kjo pritet të shihet. Sa i takon Kosovës mendoj se është arritur gjithashtu mjaft. Më kujtohet se para një gjysmë viti as që bëhej fjalë për Marrëveshjen për Stabilizim - Asociim e as për Studimin e Fizibilitetit.
Këtu ka luajtur një rol të madh lobimi nga qeveria, shoqëria civile dhe nga miqtë e Kosovës që theksonin rëndësinë për një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën. Në fund të fundit, nuk ka perspektivë evropiane për Kosovën nëse nuk mund të ketë një proces të Stabilizim-Asociimit. Në përgjithësi, jam e kënaqur me rezultatin, por mbetet të shihet nëse marrëveshja do të zbatohet në terren.
RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të merrte kohë, në rastin e Kosovës, hartimi i një Studimi të Fizibilitetit dhe sa janë gjasat që me të të pajtohen të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pra edhe ato pesë shtete që nuk e njohin Kosovën?
VERENA KNAUS
Në të kaluarën ka pasur një kërkesë që Komisioni Evropian të propozojë përgatitjen e një Studimi të Fizibilitetit për Kosovën. Mirëpo, kjo nismë ishte bllokuar atëkohë nga shtetet që s’e njohin Kosovën - më kujtohet se shtetet si Rumania dhe të tjera vlerësonin se një hap i tillë do të kërkonte që Kosovës do të duhej t’i bëhej një trajtim si shteteve të tjera.
Tani, i takon Bashkimit Evropian të sigurojë që kjo marrëveshje të mos e shpërblejë vetëm Serbinë me statusin e kandidatit, por që të përshpejtohet dinamika në kompletimin e një Studimi të Fizibilitetit për Kosovën me të cilin do t’i hapej rruga procesit të Stabilizim - Asociimit, të ngjashëm me atë që kanë pasur vendet e tjera.
Çështja është nëse shtetet që nuk e njohin Kosovën nuk do ta mbështesin vetëm deklarativisht marrëveshjen me atë fusnotë, por se duhet ta pranojnë këtë emër për Kosovën me të cilën ajo mund të thurë marrëdhënie kontraktuale me BE-në për t’iu bashkuar atij një ditë.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur mjaft kritika për vet fusnotën me të cilën Kosova do të përfaqësohet në nisma dhe forume rajonale e ndërkombëtare. A përbën rezoluta 1244 një rrezik për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në periudhën afatgjate?
VERENA KNAUS
Unë e shoh këtë nga qasja pragmatike. Mendoj se nuk është zgjidhje ideale, por nuk është as ideal fakti që 1244-shi ka mbetur juridikisht në fuqi. Ky problem daton që nga viti 2008, nga rrethanat në të cilat u pat shpallur pavarësia dhe në formën se si patën reaguar Kombet e Bashkuara.
Tani, s’mund ta fajësojmë zotëri Kuperin për mbajtjen e 1244-shit. Mendoj se duhet t’i fajësojmë rrethanat në vitin 2008, Rusinë dhe të tjerët që insistonin që të mos ketë një rrugë të re për Kosovën-një rezolutë të re.
Andaj, ka mbetur në fuqi 1244-shi. Çdokush që është realist e sheh që 1244 është ende në fuqi, deshëm apo s’deshëm. Mendoj se kompromisi që rezoluta të futet në fusnotë karshi mendimit këshillëdhënës të GjND-së është një mënyrë e mirë për neutralizimin e çfarëdo implikimi që 1244-shi do të kishte në pavarësinë e Kosovës sovrane.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për përfaqësimin e Kosovës në sferën ndërkombëtare. Është tërhequr tashmë, ndonëse jo zyrtarisht, një paralele me autoritetin palestinez që duket se ka një problem të ngjashëm. Çfarë mendoni ju për këtë?
VERENA KNAUS
Mendoj se ekziston bota ideale dhe bota në të cilën jetojmë. Në botën ideale Kosova do të njihej si shtet i pavarur me emrin që ka pa ndonjë fusnotë, por në realitet Kosova është njohur nga mbi 80 shtete me emrin që ka, por ekzistojnë shtete, veçanërisht ato pesë shtetet evropiane, që në asnjë rrethanë nuk do të pranonin të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje me Kosovën apo që do ta lejonin atë të anëtarësohet në BE pa ndonjë fusnotë apo pa përmendur se nuk e njohin statusin e saj.
Mendoj se një krahasim me Palestinën, është i ekzagjeruar, meqë Palestina nuk ka një të ardhme evropiane. Shpresoj që të paktën hartimi i një Studimi të Fizibiliteti dhe hyrja në procesin e Stabilzim - Asociimit ta vë Kosovën në rrugën e duhur.
Nëse në dy vitet e ardhshme Kosova do të ketë një Marrëveshje për Stabilizim - Asociim, nuk do të ishte më me rëndësi se si quhet, sepse atëherë ajo do të bëhej kandidate potenciale për anëtarësim dhe emri i saj do të ishte çështje dytësore. Por, së pari duhet të arrijmë atje; shqetësimi im kryesor është nëse BE-ja vërtetë do të mund të sigurojë që pesëshja evropiane të mos jetë në gjendje të shpik justifikime të tjera për ta bllokuar rrugën evropiane të Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët perspektivën evropiane për Kosovën. Autoritetet në Prishtinë e kanë bërë një ndërlidhje të kësaj agjende me procesin e liberalizimit të vizave. Prishtina tashmë ka nisur dialogun me Komisionin Evropian me shpresën për marrjen e një udhërrëfyesi në muajt e ardhshëm. Por, cilat mbesin sfidat në këtë proces?
VERENA KNAUS
Për momentin, çdokush është në pritje të udhërrëfyesit zyrtar. Më sa di, ai është draftuar dhe aktualisht po bëhen komentet mbi të nga shtetet anëtare. Atij drafti do të mund t’i shtohet diçka apo do të mund t’i bëhen disa ndryshime të vogla. Mendoj se është me rëndësi që procesi të jetë i drejtë dhe rigoroz, ashtu siç është kërkuar gjithmonë.
Pra, duhet të ketë një proces ku Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar, ku shoqëria civile e di se çfarë kërkohet për ta monitoruar dhe për t’i kërkuar llogari qeverisë. Një rrezik, në rastin e Kosovës, ekziston te çështjet që ndërlidhen me reformat në fushën e sundimit të ligjit që do të përfshihen në udhërrëfyes. Këto janë çështje ku bashkëpërgjegjës janë qeveria dhe EULEX-i e në disa raste qeveria dhe KFOR-i.
Aty duhet të jemi të qartë për të treguar se përgjegjësia u takon të gjithëve, pra, qeveria është përgjegjëse në zbatimin e reformave, por edhe EULEX-i e KFOR-i duhet të japin llogari. Nëse nuk mund të arrihet përparim, Kosova nuk do të duhej të pengohej në kërkesën legjitime për liberalizimin e vizave në vitet e ardhshme.