Pas pesë vjetësh që udhëheq institutin kombëtar të shëndetit publik, Naser Ramadani është shkarkuar prej postit të drejtorit, si dhe i është mohuar e drejta të hyjë në objektet e këtij instituti.
Pas ankesës që ka bërë në instancat më të larta gjyqësore, zoti Ramadani është rikthyer sërish në pozitën paraprake.
“Me një vendim pa bazë ligjore, jam ndaluar të hyj në hapësirat e institutit kombëtar, pa kurrfarë arsyetimi. Pastaj unë kam udhëhequr gjitha procedurat e nevojshme ligjore për vazhdimin e mandatit tim dhe realizimin e aktiviteteve të cilat parashtrohen para institutit kombëtar".
"Por administrata e Ministrisë së Shëndetësisë, duke shkelur një varg procedurash ligjore, faktikisht nuk iu ka përmbajtur ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, dhe mua më është dashur të kërkoj të drejtën time në organet më të larta të jurispodencës të shtetit të Kosovës, dhe jam rikthyer me të drejtë të plotë ligjore në postin e drejtorit të IKSHP-së”, thotë ai.
Për dy muaj, gjatë kohës që zoti Ramadani nuk ishte në pozitën e udhëheqësit të institutit kombëtar, Sabit Bajqinovci u zgjodh drejtor.
Por, me një vendim të marrë nga Ministria e Shëndetësisë, atij i është dashur ta lëshojë këtë pozitë.
“Është vendim i Ministrisë së Shëndetësisë, respektivisht i këshillit të pavarur mbikëqyrës. Mua më duhet me t’i respektoj vendimet e ministrisë, dhe pyetja pse jam larguar është për ministrinë”, shprehet Bajqinovci.
Ndërkaq ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, thotë se ai vetëm e ka zbatuar vendimin e këshillit të pavarur, për ta rikthyer në pozitën e drejtorit Naser Ramadanin, dhe për ta larguar Sabit Bajqiniovcin.
“Vendimi i këshillit të pavarur ka ardhur për anulimin e procedurave lidhur me konkursin për zgjedhjen e drejtorit të IKSHP-së; pra vendimi ka ardhur për ta anuluar konkursin dhe për ta kthyer drejotori Naser Ramadani. Se pse është larguar më herët drejtori Ramadani, unë nuk kam informacione, sepse nuk kam ushtruar detyrën e sekretarit të prgjithshëm”, thekson Shabani.
Por, zoti Bajqinovci do të bëjë sërish ankesë në këshillin e pavarur, për shkak se, siç thotë ai, është larguar padrejtësisht.
“Unë do të reagoj dhe do t’i ndjek procedurat ligjore, dhe do të ankohem në vendimin e këshillit”.
Ndryshe, në kohën sa zoti Bajqinovci ka udhëhequr institutin kombëtar të shëndetit publik, për dy muaj me radhë, nuk është paguar për punën që e ka bërë.
“Ka qenë një problem me minuse në buxhetet e institucioneve shëndetësore. Ky ka qenë arsyetimi i mospagesës sime, për kohën sa e kam ushtruar profesionin e drejtorit”.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Gani Shabani, thotë se nuk është punë e sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë të merret me pagesat e punëtorëve.