Ndërlidhjet

Pako evropiane për Kosovën?


Flamujt e BE-së
Flamujt e BE-së

Autoritetet evropiane në Prishtinë thanë se me përkrahjen e modelit të fundit për formën e përfaqësimit të Kosovës në nismat dhe forumet rajonale Kosovës do t’i hapej rruga për në Bashkimin Evropian.

Sipas modelit të fundit të përmendur për këtë çështje, Kosova do të përfaqësohej në forumet dhe nismat rajonale përmes një fusnote e cila do të merrte parasysh rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, përmendi të mërkurën një pako evropiane për Kosovën, e cila do të mundësonte edhe relaksimin e qëndrimeve të pesë shteteve evropiane që nuk e kanë njohur atë.

Kjo do të jetë një ndihmë kruciale edhe brenda vet BE-së lidhur me pesëshen që s’e njeh Kosovën, në vazhdimin e agjendës evropiane në mënyrë që në ditët e ardhshme, ne nga BE-ja të jemi në gjendje t’ia japim Kosovës një pako evropiane me të cilën do të tregohet se ka një rrugë të qartë evropiane për Kosovën”, u shpreh Zhbogar pas një takimi që zhvilloi me zëvendëskryeministrin, njëherazi ministër të administrimit të pushtetit lokal, Sllobodan Petroviq.

Mirëpo, eksperti për integrime evropiane, Avni Mazreku, e cilësoi si retorikë politike një deklaratë të tillë.

Ai tha se konkludimi i marrëveshjes për stabilizim-asociim dhe i asaj për Anëtarësim në BE kërkojnë ratifikimin nga të gjitha shtetet anëtare të mekanizmit, gjë që në rastin e Kosovës, do të jetë e vështirë për shkak të pesëshes që nuk njeh shtetësinë e saj.

BE-ja nuk mund t’ia ofrojë një shteti këtë pozitë, do të thotë pozitën kontraktuale, për shkak se kjo është çështje e rezervuar e shteteve. Çdo marrëveshje e nënshkruar midis Bashkimit Evropian dhe nj shteti të tretë-në këtë rast Kosova, kërkon ratifikimin e secilit shtet anëtar që do të thotë të 27 shteteve anëtare. Duke e ditur që ne kemi pesë shtete që nuk na kanë njohur, unë jam shumë skeptik që parlamentet e këtyre shteteve, varet se çfarë procesi të ratifikimit ato kërkojnë, mbetet e pa-prejudikueshme prej kësaj pozite se Kosova do të mund ta konkludojë ndonjërën nga këto marrëveshje”, vlerësoi ai.

Pala kosovare dhe ajo serbe kanë hyrë tashmë në raundin e nëntë të dialogut me qëllim gjetjen e zgjidhjes për bashkëpunimin rajonal.

Marrëveshja përfundimtare pritet të merret gjatë ditës ose ditëve në vijim, ndërsa zyrtarët serbë kanë thënë se do të pranonin vetëm që 1244-shi dhe mendimi i GjND-së të figurojë në fusnotën për Kosovën. Zhbogar, ndërkaq, tha se vet mendimi i GjND-së konfirmon pavarësinë e Kosovës.

1244 ka qenë gjithmonë aty, por për herë të parë ajo balancohet me mendim e GJND-së që, në njëfarë mënyrë, konfirmon Deklaratën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. 1244 është diçka nga e kaluara; duhet të shikoni se çka është e ardhmja dhe BE-ja. Kjo formë do t’ia mundësojë Kosovës të shikojë kah e ardhmja, të shikojë kah BE-ja dhe shpresoj se ajo do të mundësojë të dëshmohet se ne e shohim Kosovën brenda BE-së”, theksoi diplomati evropian.

Kosova aktualisht nuk ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe është e vetmja në rajon që nuk ka nënshkruar madje as marrëveshjen për stabilizim-asociim.
XS
SM
MD
LG