Ndërlidhjet

Afganistan: Shlyhet historia 40 vjeçare?


Afganistan...
Afganistan...

Në Afganistan, vend i shkatërruar nga luftërat me dekada, zyrtarët afganë besojnë se e kanë gjetur mënyrë për ta mësuar historinë e këtij vendi, pa i nxitur armiqësitë e vjetra ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe politike.

Sipas tyre, kjo do të arrihej me shlyerjen e katër dekadave të kaluara nga librat e tyre të historisë.

Historia aktuale e Afganistanit mund të krahasohet me një luftë epike, që i ka përfshirë katër dekada të invazioneve të jashtme, të luftës civile dhe të trazirave politike.

Sido që të tregohet kjo histori, ajo paraqitet të jetë shumë kundërthënëse, pasi grupet rivale etnike dhe politike e shkruajnë historinë e tyre, ku mbizotëron ideologji e veçantë me të mirat e të këqijat.

Tash zyrtarët e Afganistanit thonë se e kanë gjetur mënyrën se si ta mësojnë historinë kontestuese, që do të jetë e pranueshme për të gjithë afganët, pavarësisht nga etnia, politika dhe religjioni.

Sipas tyre, kjo do të arrihej nëse fshihen katër dekadat e kaluara nga librat e historisë.

Mohamad Asef Nang, zëvendësministër për arsim i Afganistanit, thotë se shpreson se tekstet e reja do ta krijojnë një identitet të vetëm kombëtar, veçanërisht në mesin e gjeneratave më të reja.

Historia duhet të ndërtojë dhe shërojë një gjeneratë, e jo ta shkatërrojë atë. Historia duhet të reflektojë të vërtetën dhe nderin e vendit. Ato pjesë të historisë, që nxisin rivalitete të vjetra dhe armiqësi dhe e shkatërrojnë unitetin kombëtar, nuk duhet të përfshihen. Më të mira janë faqet e zbrazëta se sa faqet përplot me armiqësi”, tha Asef Nang.

Megjithëqë, kjo ide ka pasur një lloj mbështetjeje brenda qeverisë, ajo është kundërshtuar gjerësisht nga publiku.

Kundërshtarët e kësaj lëvizjeje e akuzojnë qeverinë se po përpiqet t’i fshehë krimet e komandantëve luftarakë dhe të liderëve të grupeve militante, që ishin aktivë në luftën civile të këtij vendi, ndërsa disa prej tyre aktualisht kanë edhe poste qeveritare.

Elej Ershad, anëtare e Parlamentit, thotë se Afganistani duhet ta njohë të kaluarën e tij dhe të mësojë që gabimet të mos përsëriten.

Ministria e Arsimit nuk duhet të mendojë në këtë mënyrë shkurtpamëse dhe pesimiste për shkrimin e kësaj historie. Burimi i historisë duhet të mbështetet në ngjarjet që ndodhën dhe në realitet. Mësimi i historisë na mundëson kontrollimin e asaj që ndodhë në të ardhmen”, tha Elej Ershad.

Kjo lëvizje i ka zemëruar edhe disa nga arsimtarët në këtë vend.

Mësuesi Abdullah, që nuk e tregoi mbiemrin e tij, tha se gjeneratat e reja kanë të drejtë ta bëjnë vetë vlerësimin e së kaluarës së këtij vendi.

“Dokumentimi i asaj se çka ka ndodhur në të kaluarën është gjë pozitive. Brezat e ardhshëm, kur ata ta studiojnë historinë, do të mësojnë se kush i shërbeu vendit dhe kush e tradhtoi atë”, tha Abdullahu.

Gjatë katër dekadave të kaluara, sistemi i arsimit në Afganistan ka kaluar nëpër ndryshime dramatike, shumë prej të cilave ndodhën së bashku me ndryshimin e klimës politike.

Gjatë okupimit sovjetik në vitet e 80-ta, ishin shtypur librat shkollorë që predikonin komunizmin.

Kjo ishe kundërshtuar nga librat e sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara, në të cilat promovohej rezistenca ndaj Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit.

Gjatë sundimit taliban, librat shkollorë kishin mbështetur idetë e xhihadit, që do të thotë idetë e luftës së shenjtë. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG