Ndërlidhjet

Referendumi në veri


Serbët e veriut të Kosovës duke votuar...
Serbët e veriut të Kosovës duke votuar...

Që nga ora 7 e mëngjesit, serbët e komunave veriore kanë filluar të dalin në referendum përmes së cilit ata votojnë se i pranojnë apo jo institucionet e shtetit të Kosovës.

Ndonëse i cilësuar si ilegal dhe pa efekte politike e juridike nga ana e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e komunave në veri dhe pjesës veriore të Mitrovicës, besojnë se megjithatë referendumi i tyre do të ketë mesazhe dhe efekte të rëndësishme politike.

Kërstimir Pantiq, që për strukturat e serbëve në veri është kryetar i Mitrovicës, përderisa për institucionet e Kosovës paraqet një post ilegal, pasi votoi në referendum tha se me këtë veprim serbët do t’iu dërgojnë mesazhe të qarta si liderëve kosovarë, përfaqësuesve ndërkombëtarë ashtu edhe disa politikanëve në Serbi.

Jam i sigurt që ky referendum do të ketë rëndësi historike ngase me shumëçka do të ndryshojë pozicionin e bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën, pavarësisht faktit se disa mundohen ta paraqesin se ai nuk do të ketë kurrfarë rëndësie. Mendoj se rezultatet e tij nuk do të mund t’i injorojë askush”, thotë Pantiq.

Një qëndrim identik paraqet edhe një përfaqësues tjetër serb, Momir Kasalloviq.

Ai thotë se pas rezultateve të referendumit askush më nuk do të mund të thotë se integrimin e veriut po e pengon një grup i vogël njerëzish, ngase beson se qytetarët do të votojnë kundër pranimit të shtetit të Kosovës.

Duke e ditur rezultatin e referendumit, liderët lokalë serbë, shprehen të bindur se me një veprim të tillë veriu mund të rrëshqas nga Kosova për t’u integruar në Serbi”.

Marko Jakshiq, një përfaqësues tjetër i serbëve të veriut, thotë se vota në këtë referendum paraqet një hap të madh të drejt kthimit të Kosovës në Serbi.

Llogaris që kjo ditë nënkupton kohën kur Kosova sërish do të kthehet në kuadër të shtetit të Serbisë”, thotë ai.

Jakshiq i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë që të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë edhe në Kosovë në mënyrë që të konstituohen organet e reja lokale mbi bazat e Kushtetutës dhe Ligjeve të Serbisë nëpër komunat ku serbët përbëjnë shumicën.

Edhe qytetarët që kishin dalë në referendum mendonin njësoj sikurse udhëheqësit e tyre politikë.

Në veri të Kosovës nuk janë strukturat kriminale, por i gjithë populli që dëshiron të mbetet nën sovranitetin e Serbisë dhe jo nën pushtetin e Hashim Thaçit”, thotë Stevan Filipoviq, një qytetar që kishte dalë të votojë në pjesën veriore të Mitrovicës.

Pyetja e referendumit është “A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”.
Pyetja e referendumit është “A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”.
Duam të tregojmë se jemi të bashkuar dhe të qëndrojmë secili në vendin e vet dhe se nuk mundet që dikush me institucionet e veta të na dëbojë nga pronat tona. Këtu ka qenë e kaluara, e tashmja dhe do të jetë edhe e ardhmja e jonë”, thotë Ivana Millovanoviq, një qytetare, duke besuar se referendumi do të jep si rezultat kundërshtimin e institucioneve të Kosovës.

Sidoqoftë, vendvotimet në pjesën veriore të Mitrovicës, në Zveçan dhe Zubin Potok, janë hapur që nga mëngjesi, ndërkaq të mërkurën më 15 shkurt do të hapen edhe në komunën e Leposaviqit.

Pyetja e referendumit është “A i pranoni institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”, ndërsa mundësia për përgjigje është “po” ose “jo”.

Institucionet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se ky referendum është ilegal.

Përderisa komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it Erhard Drevs, ka thënë se referendumi mund të provokojë dhunë .

Ndërsa rezultatet e referendumit parashihen qartë se do të jenë për refuzimin e shtetit të Kosovës, mbetet të shihet më pas se çfarë veprimesh do të ndërmarrin serbët lokalë në veri, përkatësisht nëse do të ndërmarrin veprime politike separatiste apo do të vazhdojmë me organizmin paralel të pushtetit në veri, karshi institucioneve të shtetit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG