Ndërlidhjet

Veriu shkon në referendum


Në veri të Mitrovicës...
Në veri të Mitrovicës...

Përfaqësuesit politikë të serbëve të komunave veriore të Kosovës po i bëjnë përgatitjet e fundit për organizimin e referendumit më 14 dhe 15 shkurt në lidhje me atë se i pranojnë apo jo institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat e pranishëm ndërkombëtarë thonë se rezultati i këtij referendumi nuk do të ketë kurrfarë efekti.

Por, serbët e veriut nuk janë tërhequr nga organizimi i tij, madje edhe pas vërejtjeve të Beogradit zyrtar, i cili ka drojën se një referendum i tillë mund t’i kushtojë Serbisë me humbjen e statusit të kandidatit për integrim në BE.

Veri...
Veri...
Dobrosav Dobriç, një përfaqësues serb nga Leposaviqi, thotë se tashmë janë shtypur fletët e votimit dhe janë emëruar këshillat që do t’i përcjellin votimet gjatë referendumit.

Ai mendon se referendumi, është shprehje e lirë dhe e drejtë demokratike e serbëve të kësaj pjese të Kosovës.

Referendumi sipas tij, do ta dëshmojë qartë se a janë përfaqësuesit komunalë ata që nuk po lejojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, apo ky është vullneti i popullatës së veriut që ta refuzojë shtetin e Kosovës dhe përqafojë atë të Serbisë.

Populli qartë do ta thotë se a i përkrahin institucionet e të ashtuquajturës Republikë e Kosovës apo për institucionet e Serbisë, në kuadër të cilit kemi qenë deri më tash”, thotë Dobriç.

Me vendimin e strukturave politike të veriut për mbajtjen e referendumit, nuk pajtohet sekretari në ministrinë e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

Ajo çka është me rëndësi, ky referendum dërgon një mesazh shumë negativ tek serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër”, thotë Ivanoviq.

Ai shpreh drojën se ky referendum nuk do të sjellë asgjë të mirë, vetëm se do t’i ashpërsojë ndarjet midis serbëve të veriut dhe atyre që jetojnë në pjesë tjera të Kosovës.

Ndërkohë, kryetari i këshillit nacional serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq thotë se me këtë referendum, serbët e veriut do ta vërtetojnë se e pranojnë vetëm shtetin e Serbisë.

Ai mendon se ky referendum i ndihmon edhe Qeverisë së Serbisë që ta adresojë çështjen e Kosovës, si një çështje të pazgjidhur.

Nëse qeveria jonë është për institucionet tona dhe kundër institucioneve shqiptare (siç i quan Ivanoviq) përse u pengon referendumi i cili edhe njëherë do të vërtetojë se jemi kundër institucioneve të Kosovës”, thotë Ivanoviq.

Organizimi i referendumit pason një gjendje disa vjeçare të ngrirë në veri, ku institucionet e Kosovës si edhe misionet ndërkombëtare nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e vet në atë pjesë ku kanë funksionuar vetëm institucionet paralele të mbështetura nga Serbia.

Nisur nga gjendja faktike, edhe qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se do të dalin dhe do të votojnë në këtë referendum.

Pamje nga veriu...
Pamje nga veriu...
Një nga ta është Nikolla Dimitrijeviq, nga veriu i Mitrovicës.

Porosia e referendumit do të jetë se nuk pajtohemi me pavarësinë e Kosovës dhe nuk e pranojmë qeverisjen që shqiptarët na kanë imponuar. Ne duam që Kosova të jetë pjesë përbërëse e Serbisë, në mënyrë që në vise ku serbët janë shumicë ta kenë pushtetin, kurse aty ku janë shqiptarët, ata të kenë qeverisjen e vet”, thotë ky qytetar.

Njësoj mendon edhe Nebojsha Pavloviq, po ashtu nga pjesa veriore e Mitrovicës.

Jemi të shtrënguar që të marrim vendime të tilla nga zhvillimet që zgjasin qe 12 vjet”, thotë ky banor i Mitrovicës, duke kërkuar që për referendumin serbët e veriut ta kenë edhe mbështetjen e Qeverisë së Serbisë dhe të gjithë banorëve serbë.

Përndryshe, me gjithë kundërshtimin deklarativ të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, serbët e veriut kanë përgatitur organizmin e votimeve në tri komunat veriore dhe pjesën veriore të Mitrovicës, duke përgatitur 82 qendra votimi.

Ata presin pjesëmarrjen e mbi 35 mijë banorëve me të drejtë vote.

Fletëvotimet e këtij referendumi përmbajnë pyetjen: “A i pranoni institucionet e Kosovës?” - dhe poshtë mbajnë edhe përgjigjet: “Po” dhe “Jo”, të cilat duhet të rrumbullakohen nga votuesit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG