Ndërlidhjet

Thaçi të vendosë vetë për takim me Tadiqin


Kryeministri Hashim Thaçi duhet të vendosë vetë nëse do të takohet apo jo me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë lideri i opozitës, Isa Mustafa.

Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në opozitë, e ka mbështetur qeverinë në shumë procese politike që kanë qenë në interes të vendit, por për dialogun me zotin Tadiq, ai tha se Thaçi duhet të marrë dhe ushtrojë përgjegjësinë e tij si kryeministër dhe të vendos vetë.

Në çdo rast, LDK-ja, nënvizoi Mustafa, nuk do të mbështesë këto bisedime eventuale nëse ato kanë të bëjnë me çështje të brendshme të Kosovës.

Isa Mustafa
Isa Mustafa
Zoti Thaçi e ka marrë përgjegjësinë e kryeministrit të vendit dhe ai duhet të vendosë vet lidhur me atë se si do të veprojë në momente caktuara. Prandaj, është çështje e vendimit të tij se a do të takohet apo jo. Por, në asnjë rast ne nuk do të pajtohemi që jo vetëm Thaçi, por asnjë personalitet dhe përgjegjës i institucioneve të Republikës së Kosovës të takohet në pozita jo të barabarta me dikë nga Serbia, dhe të takohet për çështjet të cilat e prekin integritetin territorial, sovranitetin dhe rregullimin shtetëror të Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Në përgjithësi, gjendja në veri të Kosovës, sipas Mustafës, mbetet shumë e rëndë, me mungesë të plotë të sundimit të ligjit dhe me cenim të përditshëm të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Përveç kritikave të shumta që i ka adresuar qeverisë së Thaçit për keqqeverisje, ka përsëritur se nuk do të mbështesë asnjë lloj statusi të veçantë politik për veriun, i cili do të binte ndesh me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ne nuk pranojmë asnjë lloj statusi për veriun i cili dallon nga territori tjetër i vendit, përfshi edhe statusin special. Bile preferojmë që ai të mos jetë pjesë e fjalorit tonë politik”, ka thënë Mustafa.

Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës të hënën nuk kishte ndonjë përgjigje në lidhje me mesazhet që vijnë nga Beogradi për një takim të mundshëm ndërmjet kreut të Qeverisë së Kosovës dhe presidentit serb, Tadiq.

Ndërkaq, sekretari në ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq i tha Radios Evropa e Lirë se në këtë moment një takim i nivelit të tillë politik është pak i mundshëm të realizohet.

Oliver Ivanoviq
Oliver Ivanoviq
Thënë objektivisht, opinioni si te populli ynë, ashtu edhe në Kosovë, nuk është aq i përgatitur për takime të tilla të nivelit më të lartë, dhe mendoj se vlerësimi në opinion do të ishte negativ si për njërën ashtu edhe palën tjetër”, tha Ivanoviq.

Megjithatë, ai ka nënvizuar po ashtu se një ditë liderët duhet të ndërmarrin veprime të cilat mund të mos jenë të popullarizuara.

Duke iu referuar gjendjes faktike në veri ku institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e tyre për shkak të kundërshtimeve nga strukturat politike serbe atje të cilat e kanë mbështetjen edhe nga Beogradi, presidenti serb Tadiq ka lansuar si ide edhe një plan katër pikësh, ku mes tjerash ai parasheh një lloj statusi special për veriun.

Në deklarimet e tyre publike, liderët kosovarë janë shprehur kundër kësaj ideje.

Por, megjithatë mbetet të shihet nëse tani janë serioze paralajmërimet për një takim të mundshëm në nivel të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG