Kosova po vazhdon të ballafaqohet me temperatura të ulëta dhe reshje të borës.
Reshjet e borës, të cilat kanë nisur që nga fundi i muajit të kaluar, kanë vështirësuar qarkullimin e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Institutit Meteorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se temperaturat do të shënojnë rënie gjatë javës.
Nga mesi i javës, ky institut parasheh që temperaturat do të arrijnë nga minus 18, deri në minus 22 gradë celsius.
Sylë Tahirsylaj, udhëheqës në këtë institut, pohon se nga dita e premte do të ngriten temperaturat, edhe pse do të mbesin nën zero gradë celsius.
“Kjo gjendje sinoptike do të jetë e qëndrueshme me reshje bore, deri në ditën e mërkurë. Ditën e mërkurë, të enjten pas dite, do të ndalen reshjet. Por, ato do të rifillojnë të premten në orët e mbrëmjes dhe gjatë këtyre ditëve temperaturat do të ulen deri në minus 22 gradë celsius”, shprehet Tahirsylaj.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës njoftojnë se për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është tejet i vështirësuar, sidomos në rrugët që çojnë në zonat malore të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se rrugët magjistrale, të cilat çojnë në drejtim të të gjitha rajoneve, janë kryesisht të kalueshme, por të vështirësuara.
Ndërsa, e mbyllur për qarkullim, kryesisht për mjete të rënda, mbetet rruga Pejë - Kullë - Rozhajë.
“Rrugët më vështirësi për qarkullim, por që janë të kalueshme, janë rruga për në pikën kufitare Dheu i Bardhë, Mutivod dhe Glloboçicë. Kurse të mbyllura për qarkullim, kryesisht për mjetet e rënda, mbetet pikëkalimi kufitar Pejë - Kullë - Rozhajë, zona e Rugovës dhe Brezovicës”, bën të ditur Kelani.
Në anën tjetër, zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thonë se trafiku ajror është duke u zhvilluar normalisht.
Valentina Gara, zyrtare për informim në këtë aeroport, thotë se aeroporti është funksional dhe nuk është i mbyllur.
“Të gjitha fluturimet janë duke u realizuar sipas planit, nuk kemi pasur ndonjë anulim apo vonesë në fluturime”, shprehet Gara.
Sidoqoftë, një gjendje më e vështirë paraqitet në trotuar.
Mospastrimi i trotuareve nga bora dhe akulli, është bërë shkak që shumë qytetarë të kërkojnë ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me fraktura të ndryshme.
Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit në Qendrën Emergjente, thotë se është rritur numri i pacientëve më lëndime trupore.
“Dhjetë raste i kemi si pasojë e lëndimeve të cilat kanë ndodhur për shkak të rrugëve të papastruara dhe nga ecja e pakujdesshme, qytetarët kanë pësuar lëndime serioze”, thotë Lenjani.
Ndryshe, si pasojë e përkeqësimit të motit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës, ka ndërprerë për një javë mësimin në shkollat fillore dhe të mesme në mbarë Kosovën.