Ndërlidhjet

Serbia ta njohë Kosovën


Nicholas Burns
Nicholas Burns


Mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nicholas Burns, ish nënsekretar amerikan i Shtetit, aktualisht profesor i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në “Harvard Kennedy School”.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Burns, Kosova dhe Serbia janë përfshirë tashmë në një dialog, të pagëzuar si dialog teknik. Gjykuar nga përvoja e deritashme, jo shumë vetë janë optimistë për rezultatin. A do të pajtoheshit edhe ju?

NICHOLAS BURNS
Mendoj se është pozitive që Kosova dhe Serbia të bisedojnë. Kjo gjithmonë është një gjë e mirë, marrë parasysh historinë tragjike midis dy palëve; është gjithmonë mirë që të përkushtohen për zgjidhje paqësore mbi cilatdo dallime që ekzistojnë mes tyre.

Megjithatë, mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur. Mua kjo më duket si hapi i parë elementar që duhet të ndërmerret.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk ka qenë një proces i lehtë deri më tash, meqë çështjet teknike të diskutuara deri më tash gjithashtu mund të interpretohen si politike. Disa thonë se e gjithë kjo është rezultat i një pikëfillimi të debalansuar midis dy palëve, kurse të tjerët pohojnë se dialogu mund të shihet si mënyrë për të balansuar pozitat e tyre. Cili argument është më i qëndrueshëm për ju?

NICHOLAS BURNS
Nuk e di nëse mund ta vlerësoj qëndrueshmërinë e cilitdo argument, por vetëm mund të them se është pozitive që bisedimet po zhvillohen.

Gjithashtu mendoj se nëse Serbia dëshiron të ketë të ardhme në Bashkimin Evropian dhe në NATO – dhe Serbia do të duhej ta dojë këtë të ardhme – atëherë ajo duhet ta pajtojë vehten me faktin se Kosova është e pavarur dhe me faktin se çfarëdo dallimi që ekziston midis dy vendeve, duhet të adresohet me mjete paqësore, negociata, kompromise dhe assesi me kërcënime.

Ky do të ishte qëndrimi im mbi këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor, komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet qendrore në Kosovë kanë paralajmëruar fillimin e fundit të pavarësisë së mbikëqyrur. Sa i zbatueshëm është një plan i këtillë, nëse veriu i Kosovës vazhdon të jetë vatra kundërshtuese e shtetësisë së këtij vendi?

NICHOLAS BURNS
Është pozitiv fakti që Kosova ka arritur deri në këtë pikë, në këtë periudhë ku nuk i duhet më një mbikëqyrje nga afër e komunitetit ndërkombëtar. Ky është një proces normal, për të cilin shumëkush ka shpresuar se do të mund ta arrijë.

Padyshim, situata në veri të vendit është shqetësuese. Ëshët shqetësuese në kuptimin që ka ende disa qarqe që u japin merita atyre, të cilët ende mendojnë për Kosovën në mënyrën e vjetër dhe nuk do ta pranonin pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, kanë përgjegjësi për të vazhduar që të jenë të angazhuar në nivelin e mbështetjes së pavarësisë së vërtetë të Kosovës dhe të mbështesin përfshirjen e këtij shteti në sistemin ndërkombëtar.

Është shumë e rëndësishme që të mos heqim dorë nga mbështetja që kemi pasur me vite të tëra, e cila do të jetë thelbësore në përpjekjet për të ndihmuar popullin e Kosovës të ecë përpara në formë të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Çështja e përgjegjësisë për situatën në veri të Kosovës mund të tingëllojë, thënë kushtimisht, “bardh e zi”, megjithatë kush mendoni se është fajtor për këtë situatë?

NICHOLAS BURNS
Siç mund ta dini, kam punuar si diplomat në qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Kam qenë i përfshirë në palën amerikane, e cila ka mbështetur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Thellësisht besoj se ka qenë vendim i drejtë dhe i duhur nga ana e Shteteve të Bashkuara, që ta mbështes Kosovën. Nuk mund të kthehemi në vitin 1999, nuk mund t’u kthehemi politikave të ndarjes në ish Jugosllavi.

Të gjitha ish pjesët konstituive janë tash vende të pavarura dhe Kosova nuk duhet të trajtohet ndryshe. Asaj i duhet dhënë statusi i plotë dhe njohja e plotë si shtet i pavarur.

Prandaj, unë i mbaj përgjegjës disa elemente të qeverisë së Serbisë, por njëkohësisht deklarimet dhe veprimet politike të komunitetit serb në Kosovë, duke dështuar të pranojë atë që tashmë njihet, Kosovën si shtet të lirë dhe të pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Burns, Kosova së shpejti shënon katërvjetorin e pavarësisë, por natyrisht, përpara ka shumë sfida. Duke qenë se keni ekspertizë në diplomaci, do të përmendja pikërisht këtë. Ku i shihni ngecjet; cilat do të ishin rekomandimet tuaja?

NICHOLAS BURNS
Natyrisht, jemi ne, ata që mbështesim plotësisht pavarësinë e Kosovës, do të duam ta shënonim këtë përvjetor në shkurt të këtij viti pra. Mendoj se shteti ka ecur mirë në vazhdimësinë e marrëdhënieve që ka me NATO-n, ka ecur mirë për të përfituar më shumë nivel më të madh të mbështetjes ndërkombëtare, numër më të madh njohjesh, që është gjë e mirë…

Padyshim, korrupsioni mbetet problem, si në qeveri, ashtu edhe jashtë saj, dhe ky është një problem që kërkon adresim. Dhe me gjithë problemet politike në vend, do të jetë shumë e rëndësishme që të drejtat e serbëve etnikë, të respektohen.

Kjo do të thotë e drejta për të jetuar një jetë të lirë, të lirë nga keqtrajtimi dhe kërcënimi i dhunës. Të drejtat për pakicat janë shumë të rëndësishme në çdo vend demokratik. Edhe vendi im natyrisht ka përvojë në këtë rrafsh dhe kemi mësuar nga vetë historia jonë për të respektuar të drejtat e pakicave.

Prandaj, është shumë e rëndësishme që korrupsioni të adresohet dhe të drejtat e serbëve të respektohen. Me të drejtat e serbëve nuk e kam fjalën për refuzimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës, nuk jam duke folur për këtë çështje, por për të drejtën e tyre që të jetojnë të lirshëm, në mënyrë paqësore dhe të lirë nga kërcënimet dhe keqtrajtimet.

Shembuj të këtillë në Kosovë ka ende dhe kjo padyshim duhet të jetë shqetësim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG