Ndërlidhjet

Maqedoni: Ulen parashikimet në ekonomi


Ilustrim
Ilustrim
Maqedonia nuk do të anashkalohet nga kriza ekonomike që ka përfshirë shumë vende të Bashkimit Evropian. Kjo të paktën vërehet në parashikimet e organizmave financiarë evropian.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, së fundi i ka rekomanduar Qeverisë maqedonase që t’i rishqyrtojë parashikimet për rritjen ekonomike për 4 për qind, gjatë këtij viti.

Nga BERZH-i, fillimisht kishin paraparë një rritje ekonomike për Maqedoninë prej 2.4 për qind, por tani parashikimi është ulur në 1.8 për qind, me tendencë të uljes së mëtejme. Vlladimir Gligorov, nga Instituti për Studime Ekonomike në Vjenë, thotë se këto vlerësime duhet të merren në konsideratë nga Qeveria.

“Për momentin nuk ka indikacione se kriza në Evropë do të ketë pasoja të ndjeshme ndaj Maqedonisë, por mendoj se Qeveria këtë duhet ta marrë parasysh dhe të shohë nëse parashikimi i saj prej 4 për qind është real apo nëse duhet të korrigjohet. Pra, nëse kjo ndodh, atëherë Qeveria duhet të bëjë edhe disa ndryshime tjera të projektimeve fiskale, përfshirë edhe rishikimin e buxhetit”, thotë Gligorov.

Por, si i vlerëson Qeveria parashikimet e këtilla? Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, thotë:

Zoran Stavrevski
Zoran Stavrevski
“Jemi në fillim të vitit dhe në këtë fazë nuk do të doja t’i komentoja parashikimet e institucioneve tjera. Evropa po lëkundet nga recesioni, por për ne është me rëndësi se të gjitha parashikimet që bëhen për Maqedoninë, janë më të lartat në rajon”.

Ndërkohë, edhe ekspertët vendas, nuk pajtohen me vlerësimet e Qeverisë. Madje, ata shkojnë edhe më larg duke parashikuar rritje negative.

“Unë nuk shoh se si një ekonomi, e cila kaq shumë është e varur nga ekonomia e jashtme dhe nga investimet e huaja, mund të ketë rritje ekonomike. Duhet të ketë ndonjë model të ri ekonomik, të cilin duhet ta prezantojë Qeveria, që ne të mund të bindemi se në çka e bazojnë ata këtë rritje. Unë, duke i parë parametrat ekonomikë, qoftë nga krijimi i vendeve të reja të punës, qoftë nga inflacioni, qoftë nga rritja ekonomike, mendoj se rezultati final do të jetë ose barasvlerën zero pozitiv ose një rritje negative ”, vlerëson Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës reagojnë, duke thënë se parashikimet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, korrespondojnë me pritjet e LSDM-së, që, sipas nënkryetarit të saj, Zoran Jovanovski, asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga Qeveria.

“Revizioni më i ri për uljen e parashikimit për ekonominë e Maqedonisë për këtë vit që është bërë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, korrespondon me parashikimet tona. Pra, edhe institucionet financiare ndërkombëtare japin vlerësime krejtësisht të kundërta me ato të Qeverisë për rritje prej 4 për qind, që është përfshirë edhe në buxhetin për këtë vit”, thotë Jovanovski, duke mos besuar se Qeveria do t’i marrë parasysh rekomandimet e këtilla.

Këtë bindje Jovanovski e mbështet në paralajmërimin e Qeverisë për rritjen e rrogave dhe të pensioneve, në kushtet kur vendi përballet me rreziqe të ndryshme ekonomike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG