Ndërlidhjet

Shqipëri: Përkujtohet 21 janari


Tiranë - foto arkiv..
Tiranë - foto arkiv..
Një vit nga protesta e 21 janarit, opozita zhvilloi një tubim homazh, në nderim të katër viktimave të asaj dite.

Partia Socialiste dhe aleatët e saj, ftuan për pjesëmarrje të gjithë ata që duan drejtësi për ngjarjen. Tubimi homazh nisi prej sheshit Skënderbej, ku turma udhëhiqej nga qytetarë që mbanin në duar portretet e viktimave të 21 janarit dhe vijoi përgjatë gjithë Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Në heshtje të plotë, njerëzit mbërritën në sheshin përpara selisë qendrore të Këshillit të Ministrave dhe vendosën lule, pikërisht në vendet ku ndodhën vrasjet, një vit më parë.

Protesta e 21 janarit në Tiranë...
Protesta e 21 janarit në Tiranë...

Forca të shumta policie rrethuan në dy kordone selinë e Qeverisë, ndërsa pas ndërtesës qëndronin forca policore të ndërhyrjes së shpejtë.

Gjithçka kaloi qetë, ndryshe nga një vit më parë.

Fjalimet e drejtuesve të opozitës u mbajtën në sallën e Akademisë Kombëtare të Arteve, të paktën 150 metra larg sheshit përpara Kryeministrisë.

Fillimisht e morën fjalën familjarët e viktimave që kërkuan drejtësi për ngjarjen.

Kryesocialisti Edi Rama jo për herë të parë akuzoi Qeverinë dhe kryeministrin Berisha si fajtorë për ngjarjen tragjike të 21 janarit. Ai tha se sot më shumë se kurrë kërkohet drejtësi.
Edi Rama
Edi Rama

“Le të qëndrojmë të gjithë bashkë për ato vlera e parime, pa e humbur drejtpeshimin në rrugën tonë të ndërtimit paqësor të shtetit të së drejtës për çdo shqiptar, të demokracisë funksionale për të gjithë njësoj, të sigurisë dhe mirëqenies së përbashkët në të njëjtin atdhe, i cili pas zbardhjes së krimit të vrasjeve të 21 janarit, do të jetë padyshim një atdhe më i mirë për shqiptarët”, tha Rama.

Këtë 21 janar mazhoranca ka kujtuar 92-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Lushnjës, datë historike që shënoi miratimin e një akti kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Në këtë qytet ishte kryetari i Qeverisë, Sali Berisha, si dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

I pyetur nga gazetarët mbi tubimin opozitar në Tiranë, pasi vizitoi shtëpinë muze ku u mbajt Kongresi i Lushnjës, kryeministri tha se respekton të drejtën e opozitës për protestë paqësore.
Sali Berisha
Sali Berisha

“Asgjë nuk mund të errësojë madhështinë e kësaj dite, këtij kongresi si kongresi shpëtimtar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Protesta është një e drejtë e qytetarëve në çdo vend të lirë”, theksoi Berisha.

Një vit nga ngjarja e 21 janarit, protestës opozitare që degjeneroi në dhunë, me pasojë katër të vrarë dhe shumë të plagosur, ngjarja mbetet ende e pazbardhur. Për këtë arsye vetëm pak dite nga data që shënoi këtë përvjetor, treshja e ambasadorëve të SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, theksoi të drejtën që ka populli shqiptar që të jepet drejtësi lidhur me ngjarjen e dhunshme të 21 janarit, ndaj apeloi për zbardhje të saj.

Duket se në ndihmë të këtij zhvillimi vjen ekspertiza e Byrosë Federale Amerikane të Hetimeve, mbërritur këto ditë në Tiranë. Bëhet fjalë për ekspertizë balistike të gëzhojave dhe armëve të gardistëve të dyshuar për vrasjet, mbetjet e të cilave ndodhen në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kjo ndoshta mund t’u japë drejtimin e duhur hetimeve për 21 janarin, që vijon të përdoret si argument i fortë për të sulmuar kundërshtarin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG