Ndërlidhjet

Biseda për veriun


Vlladimir Todoriq
Vlladimir Todoriq
Serbia dëshiron të diskutojë mbi një status special për veriun. Frika për të diskutuar këtë çështje do të ishte joracionale. Besoj se është në interesin e Prishtinës të hapet kjo çështje, sepse në këtë mënyrë asaj do t’i mundësohej pjesëmarrja dhe integrimi i plotë në organizata ndërkombëtare, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Qendrës për Politika në Reja në Beograd Vlladimir Todoriq.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Todoriq, raundi i ri i dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të nis këtë muaj. Në agjendën e bisedimeve thuhet se do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe energjia e telekomunikacioni. Nëse merren p0arasysh qëndrimet e deritashme të palëve mbi këto çështje, a mendoni se kompromisi është i mundshëm?

VLLADIMIR TODORIQ
Fatkeqësisht mendoj se qëndrimet do të mbesin ashtu siç kanë qenë para 9 dhjetorit. Serbia nuk do të heqë dorë nga qëndrimi se, nëse Kosova merr pjesë në organizata ndërkombëtare të mbetet e dukshme referenca ndaj 1244-shit dhe se duhet të mbetet njëlloj asimetrie karshi shteteve të tjera pjesëmarrëse.

E vetmja arsye përse Serbia do të këmbëngulë në këtë qëndrim është se dëshiron ta ruajë perspektivën e dialogut të ardhshëm politik të cilin ajo synon ta zhvillojë.

Ky është një konflikt i dy koncepteve: Prishtina dëshiroj ta përdor të ashtuquajturin dialogun teknik për të përjashtuar çfarëdo çështje politike dhe për të eliminuar çfarëdo motivimi për dialogun rreth çështjeve që ndërlidhen me veriun e Kosovës-jo aq për statusin, por për statusin e veriut brenda sistemit politik të Kosovës. Serbia, Beogradi e presidenti Tadiq duan t’i konservojnë disa çështje për diskutimet e mëtejme.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët dialogun politik dhe veriun. A do të ishte vetëm çështja e veriut në qendër të një dialogu të tillë?

VLLADIMIR TODORIQ
Mendoj se presidenti Tadiq ka dërguar mesazhe mjaft inkurajuese pas 9 dhjetorit duke thënë se ndarja dhe ndryshimi i kufijve është e papërfytyrueshme, se gjëra të tilla nuk janë pjesë e politikave serbe dhe se Serbia dëshiron të diskutojë mbi një status special për veriun. Nëse e shikoni planin e Ahtisaarit, vëreni se veriut me të i garantohet një status special krahasuar me zonat e tjera të Kosovës.

Andaj, çfarëdo lloj dialogu mbi këtë çështje nuk do të ishte aq substancial ashtu siç e portretizojnë Vetëvendosja e disa të tjerë. Frika për të diskutuar këtë çështje do të ishte joracionale. Besoj se është në interesin e Prishtinës të hapet kjo çështje, sepse në këtë mënyrë asaj do t’i mundësohej pjesëmarrja dhe integrimi i plotë në organizata ndërkombëtare.

Alternativa tjetër është që Beogradi të mos lëviz nga pozicioni i deritashëm, të mos marrë statusin e vendit kandidat dhe se BE-ja do të humbë fuqinë e saj të veprimit ndaj Serbisë. Nëse ndodhë kjo, Kosova do të mbetet aty ku është, pa marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian që do të thotë se nuk do të ketë liberalizim të vizave dhe se nuk do të ketë anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse flasim prapë për dialogun teknik. Janë arritur disa marrëveshje deri më tani, por Prishtina akuzon Beogradin për mospërmbushjen e tyre. A ekziston, në fakt, vullneti i Beogradit për t’i zbatuar këto marrëveshje në terren?

VLLADIMIR TODORIQ
Në cilin terren? Nëse flisni për terrenin në veri të Kosovës, çfarë do të duhej të bënte Beogradi? Të dërgojë policinë për t’i larguar barrikadat? Ka kufizime në atë që Beogradi mund të arrijë në veri të Kosovës dhe mungesa e çfarëdo autoriteti në veri për 12 vite ka marrë drejtimin e vet. Beogradi vetëm mund të financojë disa institucione në veri, por nuk mund të kontrollojë përdorimin e atyre mjeteve financiare.

Pra, kemi një pjesë të territorit ku mungon prania e plotë e shtetit serb dhe ajo e shtetit kosovar e të mos flasim për ‘efikasitetin’ e organizatave ndërkombëtare në tërë Kosovën. Andaj, duhet të jemi të vëmendshëm dhe të sinqertë kur flasim për zbatimin (e marrëveshjeve) në veri. Kur dikush e quan ‘teknik’ këtë dialog, mendoj se nuk është i sinqertë ngase kjo nuk është e vërtetë.

Dialogu teknik shërben vetëm për të fshehur çështjet politike - ne nuk kemi ekspertë të telefonisë, të energjisë apo të tabelave të veturave që po diskutojnë këto çështje. Këto janë çështje teknike që kanë ardhur si rezultat i mosmarrëveshjeve apo konflikteve politike. Është njëlloj eufemizmi dhe është larg së vërtetës që këtë dialog ta quajmë vetëm teknik.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, çfarë për rolin e BE-së si ndërmjetësues në këtë dialog? A i ka BE-ja instrumentet për të detyruar palët që të zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe ato që do të arriheshin në të ardhmen.

VLLADIMIR TODORIQ
Nuk ka ndërmjetësues më të mirë se BE-ja. Të dyja palët e kanë BE-në si strehim. Serbia ishte më e sigurt në kornizën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por braktisi këtë “strehë” për ndërmjetësimin nga BE-ja. Kosova ishte më e sigurt nën mbrojtjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Mirëpo, problemet janë më të thella për të qenë e mjaftueshme strategjia e komunikimit që po përdoret në dialog. Kur e them këtë kam parasysh nivelin e ulët të transparencës, përdorimin e eufemizmit dhe nivelin e ulët të demokracisë dhe legjitimitetit të tërë procesit. Nëse dëshironi të keni ndryshime substanciale në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë, duhet të ndërtohet konsensusi në parlamente e në shoqëri.

Ajo që po bëhet është thjesht përdorimi i mjeteve “teknike” me qëllim ndërtimin e strategjive për çështje politike. Por, mendoj se kjo strategji nuk ka treguar ndonjë rezultat substancial deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË
A e ka BE-ja fuqinë për të ndërtuar këtë konsensus në parlamentet e në shtetet e të dyja palëve?

VLLADIMIR TODORIQ
Edhe pse ka fuqinë për të iniciuar ndryshime pozitive, atë e ka të kufizuar. Por, shoqëritë e të dyja vendeve, pra, Kosova e Serbia, duhet të hynë në kuadër të fuqisë ndikuese të BE-së. “Karota” e integrimit nuk duhet të jetë shumë larg. Nëse Serbia nuk merr statusin e vendit kandidat do të përfundonte dialogu për një kohë mjaft të gjatë e që mund të shkonte deri në fund të këtij viti, për shkak të zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re serbe.

E tërë mbështetja e Serbisë për BE-në do të dobësohet e ajo tashmë është e dobësuar duke arritur nën 50 %. Andaj, do të ketë më pak nxitës që fuqitë politike të bëjnë më shumë koncesione lidhur me dialogun. Ajo që vërtetë është e nevojshme janë bisedimet direkte për t’i diskutuar çështjet të cilat presidenti Tadiq i ka përmendur muajve të kaluar. E qartë në këtë është se janë vendosur kufijtë në Ballkan dhe se do të qëndrojnë ashtu siç janë tani.

E vetmja gjë që duhet diskutuar janë garancat shtesë për komunitetin serb në veri të Kosovës. Ideja për këtë nuk është e re meqë u propozua në muajin shtator nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i cili propozoi idenë për “sovranitetin e ndarë” që nënkupton se Kosova me EULEX-in do të kishte kompetenca në fushën e sundimit të ligjit në veri, ndërsa Serbia do t’i kishte kompetencat që tashmë parashihen me planin e Ahtisaarit në fushën e arsimit, edukimit dhe fusha të ngjashme. Andaj, janë të nevojshme disa rregullime më të vogla dhe mendoj se nuk ekziston ndonjë arsye për të mos hapur këtë dialog.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG