Ndërlidhjet

Pakistan: Ndihmë nga ekzorcizmi


Ritual i ekzorcizmit në Pakistan
Ritual i ekzorcizmit në Pakistan
"Reuters"


Një vajzë pakistaneze, me një këmishë të gjatë e të zezë, lëshon britma të kohëpaskohshme, duke e shtypur kokën për muri, në një vend të shenjtë në qytetin pakistanez, Tata.

Familja e Xhamila Ahmedit thotë se ajo është pushtuar nga djalli.

Mjekët nuk kishin mundur ta ndihmonin, kështu që familja e kishin sjellë vajzën që të shërohet nga shpirti i një të shenjti.

Për perëndimin, Pakistanin zakonisht e lidhin me militantët talibanë, të cilët i detyrojnë femrat të mbulohen nga koka deri te këmbët, të cilët i hedhin në erë shkollat e vajzave dhe janë përgjegjës për sulmet vetëvrasëse. Por Islami në këtë vend të Azisë Jugore ka shumëllojshmëri.

Shumë grupe shenjtorësh, sikurse ai ku e kishin dërguar Xhamilën, konsiderohen më liberale në filozofinë e tyre, sesa degët e tjera të sunitëve dhe shiitëve.

Pakistanezët janë të rrethuar nga problemet. Dhuna, varfëria, ndërprerja e energjisë elektrike dhe spitalet e shkatërruara janë vetëm disa prej problemeve të tyre. Qeveria, që konsiderohet e korruptuar dhe jo e duhur, ofron shumë pak lehtësira për këto probleme.

Shumë njerëz mendojnë se vuajtja e tyre shkaktohet nga shpirtrat e ligë, që kanë për qëllim të shkatërrojnë martesat, bizneset dhe shëndetin e njerëzve dhe se vetëm shenjtorët Sufi mund t’i ndihmojnë ata.

Por ky është një besim i rrezikshëm në Pakistan. Militantët, përfshirë talibanët e Al-Kaidës, ndër vite kanë bombarduar vendet e shenjta sufiste, që i konsiderojnë si mospajtuese.

Gjatë një festimi të përvitshëm, këtë vit, në një vend të shenjtë në një qytet të Pakistanit Qendror, talibanët angazhuan disa sulmues vetëvrasës, që lanë 41 njerëz të vrarë.

Edhe dy sulme të ngjashme vetëvrasëse që ndodhën në vitin 2010, në një nga qendrat më të rëndësishme sufiste në Pakistan, në qytetin e Lahorës, lanë të vrarë edhe 42 njerëz të tjerë.

Por frika nga pushtimi dhe sfidat e jetës, bën që njerëzit të kthehen sërish te vendet e shenjta. Sufizmi është një formë mistike e Islamit, e cila mbështetet fort në traditat e Islamit, por gjithashtu reflekton spekularizëm dhe universalitet, kur bëhet fjalë për çështjet shpirtërore.

Është shumë i theksuar në provincën Sind, aty ku ndodhet qyteti më i madh pakistanez, Karaqi.

Rahim Jar, djali 24 vjeçar i Sajed Muhamad Rais Jar, ndodhet në vendin e shenjtë në Tata që nga viti 2007, pasi babi i tij e kishte sjellë aty në kohën kur Rahimi kishte ndaluar së foluri, fizikisht ndihej i dobët dhe vuante nga problemet me kujtesën.

90 për qind e problemit është zgjidhur, mbetet ende edhe 10 për qind. Disa nga demonët e kanë lënë atë, po ende është një xhind i fortë në brendi të tij. Problemi do të zgjidhet për shumë pak ditë”, thotë babi i djalit, Rais Jar.

Ndërsa vetë djaloshi 24 vjeçar, Rahim Jar, shpjegon se çfarë ka parë:

I kam parë saktësisht nga koka e deri te këmbët. Kur këto gjëra më hyjnë në brendi të trupit, mund t’i dëgjoj zërat e tyre, njëlloj sikurse po flas tani me juve. Këto krijesa, kështu flasin me mua. Pas kësaj përvoje, unë tmerrohem”, tregon Rahim Jar.

Ai tregon se xhindi brenda tij i thotë se ai duhet ta dërgojë atë në Indi, në një tempull ku njerëzit sakrifikohen.

Në afërsi të vendit ku qëndron Rahimi, disa njerëz i kanë të lidhura nyjet me zinxhirë, për muri. Të afërmit thonë se është e rrezikshme që t’i lirojnë ata, sepse bëhen të dhunshëm. Ata thonë se duan që personat e sëmurë të qëndrojnë më afër shpirtit të shenjtë.

Ekzorcistët e vetëshpallur lulëzojnë në këto besime. Ata pohojnë se kanë fuqi të veçanta nga Zoti, i cili u mundëson atyre që t’i ndihmojnë njerëzit që të ballafaqohen me gjithçka, që nga ndërhyrjet shtëpiake e deri te sterilitetit dhe impotenca. Disa madje thonë se mund tu ndihmojnë njerëzve të gjejnë dashurinë.

Në një kasolle me pak ndriçim, jashtë njërës prej vendeve të shenjta në Karaqi, Sajed Aliudin, i veshur me një mantel të bardhë, i dëgjon njerëzit duke u ankuar e vajtuar.

Në një ritual të ushtruar me kujdes, ekzorcisti me mjekër të bardhë shkruan lutjet në një copë letre dhe i futë në ujë. Myshterinjtë pastaj e pinë atë ujë, duke besuar në premtimin e tij se gjithçka do të jetë efektive vetëm pas dhjetë minutash.

Aliudini thotë se ai mund t’i luftojë 18 mijë lloje të shpirtrave të ligë, nga zjarri. Ai thotë se disa xhinde i pushtojnë disa trupa nga xhelozia, ndërsa disa të tjerë nga dashuria për dëshirë seksuale.

Ata i duan femrat, Ata i torturojnë burrat kur vijnë te femrat. Ata ulen brenda në bark dhe çojnë dashuri bashkë me to”, tregon Aliudini.

Ai u merr njerëzve afërsisht prej 50 centë deri në 2 euro e gjysmë për çdo seancë, e cila zgjatë deri në 30 minuta. Sa më serioze të jetë çështja, aq më i rëndë është edhe shërimi.

Faktikisht, ka sëmundje psikike. Ata nuk e kuptojnë një gjë të tillë sepse testet laboratorike nuk janë pozitive dhe nuk ka simptome fizike, sikurse ta zëmë, ethet.
Psikiatri, Naxhmi Kugtai thotë se në një vend ku stigma është e lidhur me sëmundjet mendore dhe ku shteti shpenzon shumë pak në shëndetësi, shumë njerëz shërimin shpirtëror e shohin si zgjidhjen e vetme.

Faktikisht, ka sëmundje psikike. Ata nuk e kuptojnë një gjë të tillë sepse testet laboratorike nuk janë pozitive dhe nuk ka simptome fizike, sikurse ta zëmë, ethet. Kjo ka të bëjë më shumë me mungesën e edukimit dhe vetëdijes, sesa mungesën e shërbimeve mjekësore. Është një përpjekje dëshpëruese për të kërkuar shpresë dhe kjo është arsyeja pse ata kthehen te ekzorcistët”, thotë psikiatri Naxhmi Kugtai.

Disa klerikë islamikë bëjnë thirrje për kujdes ndaj përdorimit të tepruar të ekzorcizmit dhe përzierjes së simptomave psikike dhe fizike me pushtimin.(v.k.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG