Ndërlidhjet

Kuvendi, “paqe” me gazetarët


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës dhe gazetarët i kanë tejkaluar disa mosmarrëveshje që kishin çuar deri te thirrja e Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë për bojkotimin e punës së legjislativit. Bëhej fjalë për rregulloren e re të punës së Kuvendit dhe pjesës ku flitej për qasjen e mediave.

Kryesia e Kuvendit, sipas gazetarëve, fillimisht kishte caktuar një kthinë në korridorin e Kuvendit ku gazetarët vetëm përmes televizorit mund të përcillnin punën e Kuvendit, duke ua ndaluar atyre në tërësi kontaktet e drejtpërdrejta me deputetët gjatë pauzave të seancave plenare, kur mediat shfrytëzojnë zakonisht rastin që të marrin prononcimet e nevojshme për punën e tyre.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti, thotë se thirrja për bojkot kishte dhënë rezultate dhe se Kryesia ishte mbledhur dhe kishte ndryshuar nenet që ndalonin qasjen e gazetarëve në punën e Kuvendit.

“Bojkoti ka qenë shumë i suksesshëm. Unë i falënderoj të gjitha mediat dhe të gjithë anëtarët për mbështetjen që i kanë dhënë thirrjes sonë. Shpresoj që ky shembull t’u shërbejë edhe institucioneve tjera dhe të mos bëjnë më përpjekje për t’i fyer gazetarët dhe për t’i ndaluar ata që të kenë qasje në institucione”, thotë Ahmeti.

Sidoqoftë, tejkalimi i mosmarrëveshjeve, duket të mos jetë ende përfundimtar, pasi që Kryesia ende nuk u ka dhënë të drejtën mediave që të xhirojnë në hollin e Kuvendit, të cilin vitet e fundit e kanë shfrytëzuar në vazhdimësi për ushtrimin e profesionit të tyre.

Instituti Demokratik i Kosovës monitoron punën e Kuvendit. Driton Selmanaj nga ky institut, thotë se rregullorja e re nuk i plotëson standardet e nevojshme demokratike dhe nuk siguron kushte për qasje të lirë të mediave në punën e legjislativit.

Selmanaj thotë se kjo rregullore, madje, është e panevojshme, e padobishme dhe tendencioze.

“Unë konsideroj se përfundimisht ajo (rregullorja), nuk u mundëson gazetarëve të ushtrojnë aktivitetet e tyre profesionale. Madje, ka pasur edhe një tendencë që nuk mund të bëhet asnjë xhirim dhe asnjë fotografim në hollin e Kuvendit dhe se atyre u lejohet qëndrimi në seancë vetëm për 10-15 minuta. E, nëse eventualisht një gazetar apo një media ka nevojë që të bëjë një xhirim, apo fotografim shtesë, atëherë janë procedura krejtësisht burokratike ku duhet të bëhet një kërkesë në Zyrën për media, e pastaj kjo (Zyra për media) kërkon pajtimin e sekretarit të Kuvendit, e kështu me radhë”, shpjegon Selmanaj.

Në kundërpërgjigjen e tij ndaj reagimeve të gazetarëve, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi pati deklaruar se mediat nuk e kanë lexuar mirë rregulloren.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të kalojnë edhe bisedimet shtesë të AGPK-së me Kryesinë gjatë janarit të ardhshëm në lidhje me xhirimet në hollin e Kuvendit, ku gazetarët kërkojnë që të mund të ushtrojnë profesionin e tyre.

Gazetarët në Kosovë në disa raste janë ankuar në lidhje me transparencën e institucioneve, por kjo ishte hera e parë që ata vendosën edhe të bojkotojnë punën e një institucioni, deri në gjetjen e një zgjidhjeje, e cila shpresohet të jetë arritur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG