Ndërlidhjet

Pacolli paralajmëron dhjetëra njohje të reja


Behxhet Pacolli
Behxhet Pacolli
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli, i ka dhënë një notë shumë të lartë rezultatit të punës dhe angazhimit të tij në Qeveri, nga aspekti i lobimit dhe njohjeve të reja.

Në një vlerësim që ai ka prezantuar para gazetarëve dhe koalicionit politik që ai përfaqëson në Qeverinë aktuale, Pacolli ka thënë se janë 13 njohje që kanë ardhur si rezultat i angazhimit të tij të pandërprerë lobues dhe ka premtuar se do të ketë edhe dhjetëra njohje të reja që do të vijnë si rezultat i këtij angazhimi.

Pacolli ka thënë se diplomacia e tij në shërbim të njohjeve, ka sjellë si rezultat ndryshimin e qëndrimeve dhe pozicioneve të shumë shteteve ndaj Kosovës. Këtu ai ka veçuar sidomos lobimin në kontinentin e Afrikës.

“Dua të them se kam luajtur një rol shumë, shumë pozitiv në shtet-formimin e Kosovës. Unë dua t’ju them se 40 për qind të kohës kam qenë në rrugë, kam qenë në aeroplan. Unë dua t’ju them se kemi 13 njohje që kanë ardhur si kontribut i kësaj dhe janë me dhjetëra njohje, të cilat i presim”, ka thënë Pacolli.

Përveç njohjeve të reja, Kosovës i nevojitet edhe një lobim për tërheqjen e investimeve nga jashtë, ka shtuar Pacolli. Ndërkaq, nga aspekti i sigurisë, ai ka thënë se Qeveria po e shtrin sovranitetin edhe në veri.

Madje, Pacolli ka theksuar se kjo pjesë qysh tash po menaxhohet nga institucionet, pavarësisht se atje ende mbretëron një zonë ushtarake e menaxhuar nga KFOR-i, ku dy doganierë dhe po aq policë kufitarë të Kosovës vetëm përmes helikopterëve të KFOR-it arrijnë të transportohen në pikat kufitare 1 dhe 31, për shkak se kontrollin e rrugëve dhe institucioneve komunale në veri e kanë në duar ende strukturat paralele serbe.

“E kemi aktualizuar veriun. E kemi futur veriun nën juridiksionin e Kosovës, në kontrollin tonë dhe jam i bindur se edhe këto barrikada, të ashtuquajtura, që i kemi sot, do të likuidohen dhe kjo pjesë përfundimisht do t’i kthehet Kosovës, institucioneve të Kosovës”, është shprehur Pacolli.

Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi
Fundi i vitit zakonisht karakterizohet me konferenca ku prezantohen të arriturat, por edhe synimet kryesore për vitin tjetër.

Në një konferencë tjetër për media, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar se përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur do të jetë angazhimi kryesor i Qeverisë së Kosovës në vitin 2012.

Në anën tjetër, opozita gjatë javës, në disa raste kishte kritikuar Qeverinë, si për çështjen e njohjeve dhe lobimit, ashtu edhe për gjendjen në veri dhe për shkallën e ulët të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG