Ndërlidhjet

S’flitet për “vullnet të mirë”


Nga bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel...
Nga bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel...
Vullneti dhe interesimi i Prishtinës dhe Beogradit për jetësimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut ndërmjet tyre, pritet të testohet sërish më 26 dhjetor, kur parashihet nisja e zbatimit të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

Pavarësisht mungesës së zbatimit të marrëveshjeve në terren, autoritetet kosovare tani shprehin bindjen se shteti serb do të veprojë në përputhje me këtë marrëveshje për t’u mundësuar kosovarëve hyrjen dhe qarkullimin në Serbi.

Këshilltari i shefes së delegacionit kosovar në bisedime, Dren Zeka, i tha Radios Evropa e Lirë se pas kushtëzimit, të cilin Brukseli ia vuri Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk bëhet më fjalë për vullnet të mirë, por për domosdoshmëri të zbatimit të marrëveshjeve.
Jo nuk është çështje vullneti tashmë, sepse ju e dini, ne jemi angazhuar tepër - jo vetëm Republika e Kosovës, por tërë Bashkimi Evropian që të arrihen këto marrëveshje dhe të zbatohen plotësisht.


“Jo nuk është çështje vullneti tashmë, sepse ju e dini, ne jemi angazhuar tepër - jo vetëm Republika e Kosovës, por tërë Bashkimi Evropian që të arrihen këto marrëveshje dhe të zbatohen plotësisht".

"Ju e patë që Bashkimi Evropian ishte shumë i vendosur dhe serioz në zbatimin e tyre dhe për këtë arsye nuk ia dhanë statusin e kandidatit Serbisë në këtë fazë. Andaj, kjo nuk mbetet më në vullnetin e palëve, por edhe në obligimet që ato kanë marrë dhe që duhet realizuar”,
theksoi Zeka.

Raundi i tetë i dialogut Prishtinë-Beograd rezultoi me arritjen e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të pikë-kalimeve kufitare, që në Kosovë e quajnë marrëveshje për menaxhimin e pikave kufitare, dhe me pajtimin që më 26 dhjetor të zbatohet në terren marrëveshja për lirinë e lëvizjes.

Kjo marrëveshje ishte arritur qysh në muajin korrik me planin që të zbatohet në nëntorin e këtij viti, por as atëherë Beogradi nuk kishte bërë përgatitjet për të mundësuar zbatimin e saj. I pyetur për masat që Kosova do të ndërmerrte në rast të moszbatimit të sërishëm të marrëveshjes, Zeka u shpreh:

“Nuk jam i predispozuar që të flas për ndonjë masë tjetër, e cila nuk bazohet mbi frymën e standardeve evropiane dhe ju e dini se qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave është një prej parimeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe të vendeve të civilizuara”.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes thuhet se bazohet në “reciprocitet të plotë ndërshtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. Ditë më parë, Kuvendi i Kosovës i kërkoi ekzekutivit të vendit “rikthimin e masave të reciprocitetit” ndaj shtetit serb.

Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Alban Bokshi, tha se reciprociteti do të duhej të zbatohej në rast se pala serbe nuk i bindet marrëveshjes së arritur për lirinë e lëvizjes. Megjithatë, ai u shpreh pesimistë se do të bëhet një veprim i tillë.

“Mendoj se metoda e zakonshme e Kosovës do të përdoret në këtë rast: do të ankohemi te Brukseli të na shpëtojnë, sepse shumë shpesh jemi treguar të pafuqishëm që t’i zgjidhim këto çështje vetë. Kemi kërkuar zgjidhje nga Brukseli, por zgjidhjet nga Brukseli janë gjithmonë gjysmake ose të tilla çfarë i kemi”, vlerësoi Bokshi.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes u mundëson qytetarëve të të dyja vendeve kalimin e kufijve vetëm me letërnjoftime të shteteve të tyre.

Parashihet që, pas kontrollimit të letërnjoftimit përkatës, qytetarët të marrin një formular ku fusin të dhënat e tyre personale, e i cili më pas do të vulosej në pikat kufitare.

Por, meqë ende nuk është rregulluar kalimi në këto pika kufitare bazuar në marrëveshjen për integrimin e menaxhuar të pikë-kalimeve kufitare, nuk dihet se si saktësisht do të duket procedura e kalimit nga njëri në tjetrin shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG