Ndërlidhjet

Barnatoret me mungesë barnash


Ilustrim
Ilustrim
Barnat e regjistruara dhe të autorizuara në libër-regjistër që lejohen të shiten në farmacitë e Kosovës, sipas farmacistëve, nuk janë të mjaftueshme për nevojat e pacientëve, pasi që në këtë regjistër, nuk janë të përfshira gjitha barnat e nevojshme për tregun e Kosovës.

Shkumbin Jusufi, farmacist, thotë se për shkak të mungesës së shumë llojeve të barnave, farmacistët i mbajnë ato edhe ilegalisht, duke i futur nga kanale jo të autorizuara për shitje.

“Ka plot mungesa. Ai regjistër, në formën si është bërë, nuk është praktik dhe mungojnë shumë barna, krahasuar me numrin e barnave të regjistruara në rajon. Pacientët vazhdojnë të marrin barna që vijnë nga jashtë në mënyrë jo të rregullt. Barnatoret nuk e kanë të drejtën t’i mbajnë ato barna, mirëpo për shkak të shërbimit të pacientëve, shumë barnatore i mbajnë”, thotë farmacisti Jusufi.


Por, autori i këtij regjistri, Rexhep Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se përmbledhja e barnave në këtë libër është një punë 7-vjeçare e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Regjistri përmban të gjitha barnat e regjistruara dhe të lejuara, të pajisura me certifikatën për import. Ato janë të renditura në bazë të emrit gjenerik dhe poshtë secilit emër ndodhet edhe tabela me të gjitha preparatet e regjistruara paralele, që gjenden në Kosovë. Për secilin medikament është saktësuar përdorimi i barnave për shtatzëni”, shprehet Hoxha.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë se me këtë regjistër të barnave është bërë risi në fushën farmaceutike.

Ferid Agani
Ferid Agani
“Ky regjistër i barnave, brenda tij përmban 5 formularë të farmakovigjilencës, ku mund të shkëputen nga brendia e librit dhe mjeku mund të shënojë edhe efektet anësore të ilaçit. Efekte negative nuk janë të shënuara në fletë-udhëzimin që gjendet në recetë, dhe me raportimin e këtyre efekteve anësore, do të jemi në gjendje që të ngremë kualitetin e shërbimeve të dhënies së barnave në vendin tonë”, bën të ditur Agani.

E, kryetari i Shoqatës së Farmacistëve, Besim Muzaqi, pohon se meqenëse Kosova tashmë është e pajisur me dy libër-regjistra të barnave, farmacistët nuk do të kenë nevojë të mbajnë barna, siç thotë ai, ilegalisht, pasi që janë të përfshira pothuajse gjitha barnat e nevojshme që i duhen tregut kosovar.

“Kjo ua mundëson edhe më shumë farmacistëve që të bëjnë një punë të denjë lidhur me barna, e po ashtu edhe depove që importojnë barna”, pohon Muzaqi.


Por, jo edhe farmacistët mendojnë kështu. Sipas tyre, tregu me barna ka nevoja shumë më të mëdha, sesa ato në regjistër. Farmacisti Shkumbin Jusufi, shpjegon:

“Ka shumë mungesa barnash në treg. Pacientët kërkojnë shumë më shumë sesa ato që barnatoreve u lejohet t’i mbajnë. Kemi reaguar disa herë, por asnjëherë nuk është marrë një masë nga Ministria e Shëndetësisë, që të bëjnë një veprim që të furnizohet tregu mirë”.

Pavarësisht regjistrit të barnave tashmë të publikuar, vazhdon të mbetet problem shqetësues tregu i zi me barna. Vetëm gjatë këtij viti nga Doganat e Kosovës janë kapur afër 57 raste të tentimit të kontrabandës me barna.

Sipas zyrtarëve, në Doganat e Kosovës kontrabandimi me barna bëhet në të gjitha pjesët e vendit. Gjobat për kontabandim barnash që janë shqiptuar këtë vit nga ky institucion, arrijnë vlerën deri në 190 mijë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG