Ndërlidhjet

Të ndryshohet pushimi i lehonisë


Ilustrim me foto nga arkivi
Ilustrim me foto nga arkivi
Një vit që nga miratimi i Ligjit të punës, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të punëtorëve dhe punëdhënësve, thonë se ky ligj ka gjetur zbatim në Kosovë. Megjithatë, gjatë zbatimit të tij, problemi më i theksuar ka qenë te pushimi i lehonisë.


Në një konferencë të titulluar “Punëtoria për zbatimin njëvjeçar të Ligjit të punës”, disa nga pjesëmarrësit theksojnë se pushimi i lehonisë prej një viti duhet të pësojë ndryshime.

Ndërkohë, një analizë e zbatimi të Ligjit të punës, e cila është duke u punuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se pritet të publikohet së shpejti. Përfaqësues të kësaj ministrie thonë se kjo analizë do të tregojë se pushimi i lehonisë prej 1 viti është periudhë e gjatë dhe se ka pasur ndikime negative në punësimin e femrave.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, thekson se shkurtimi i pushimit të lehonisë nga 1 vit në gjashtë muaj, nuk do të krijojë dilema në punësimin e gjinisë femërore, pasi që, siç thekson ai, pushimi i gjatë i lehonisë ka bërë që punëdhënësit të ulin numrin e të punësuarve femra.
Pushimi i lehonisë prej 1 viti diskurajon punëdhënësit që t’i punësojnë femrat.



“Pushimi i lehonisë prej 1 viti diskurajon punëdhënësit që t’i punësojnë femrat. Dhe, kjo është një çështje, që unë, si ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk dëshiroj të ndodhë. Ne kemi pasur një disbalancim të vendeve të punës mes meshkujve dhe femrave. Nëse ky pushim do të zvogëlohej për gjashtë muaj, unë jam i bindur që kjo do të ndikonte në inkurajimin e punëdhënësve për të punësuar femra”, thotë Rashiq.

Njëra nga arsyet e mosmiratimit të Ligjit të punës deri në nëntor të vitit të kaluar ka qenë pikërisht neni ku caktohet pushimi i lehonisë. Përfaqësues të punëtorëve dhe grave deputete në Parlamentin e Kosovës ishin ato, të cilat kishin kërkuar që pushimi i lehonisë të jetë deri një vit.

Ky ligj, i cili u miratua në atë kohë dhe filloi të zbatohet nga janari i këtij viti, tani kërkohet të pësojë ndryshime edhe nga përfaqësuesit e punëdhënësve.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se Ligi i Punës gjatë kësaj kohe ka rregulluar raportin punëdhënës - punëmarrës. Megjithatë, ky ligj nuk ka reflektuar në masë të madhe interesat e punëdhënësit.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
Ne kemi në përgjithësi afatet më të gjata sa i përket pushimit dhe fleksibilitetit në punë. Sa i përket aspektit të pushimit të lehonisë në kufijtë e lejuar, Kosova ofron më së shumti ditë të pushimit në rajon. Kosova, po ashtu, lejon pushim të lehonisë më së shumti në rajon. Nëse shikohet nga këndvështrimi i punëmarrësit është mirë, por nga ai i punëdhënësit ka kosto”, thotë Rukiqi.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifaj, thotë se ka ende sfida në zbatimin e Ligjit të punës. Por, ai kërkon nga të gjithë akterët që ta zbatojnë këtë ligj.

“Të gjithë bashkërisht që jemi pjesëmarrës këtu, ta nxjerrin një konkluzion që t’i bashkërendojmë forcat të gjithë së bashku dhe ato që dalin sot nga këtu si kërkesa të përmbushen, por këto kërkesa të jenë reale”, shprehet Arifaj.

Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e punës, kapin shumën deri në 35 mijë euro.
XS
SM
MD
LG