Ndërlidhjet

Për bisedimet, jozyrtarisht


Kryenegociatorët në bisedime - Stefanoviq dhe Tahiri
Kryenegociatorët në bisedime - Stefanoviq dhe Tahiri
Kuvendi i Kosovës ka siguruar konkluzionet e marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, të arritur në dialogun me Serbinë, por nuk ka siguruar edhe protokollin e marrëveshjes.

Madje, siç ka deklaruar kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, edhe konkluzionet e marrëveshjes janë siguruar në formë jozyrtare. Një formë e tillë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe ekzekutivit besohet se është rezultat i komunikimit ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Krasniqi ka deklaruar se protokolli teknik i marrëveshjes do të zbardhë shumë paqartësi në lidhje me këtë marrëveshje dhe zbatimin e saj.

“Ne, si kuvend, ndoshta edhe jo zyrtarisht, por i kemi konkluzionet e asaj marrëveshjeje, por jo edhe protokollin teknik të asaj marrëveshjeje apo të këtyre marrëveshjeve që janë bërë”, ka thënë Krasniqi.

Përderisa Kuvendi nuk është i njoftuar me protokollin, zyrtarë nga Qeveria kanë paralajmëruar nënshkrimin e këtij protokolli nga ana e palës kosovare, asaj serbe dhe ndërmjetësuesit të Bashkimit Evropian në këto bisedime.

Marrëveshja për menaxhim të integruar të kufirit është vetëm një nga konkluzionet e dialogut Prishtinë – Beograd, me të cilat Qeveria ka anashkaluar institucionin më të lartë në vend, Kuvendin, ka deklaruar në anën tjetër shefi i grupit më të madh opozitar, Ismet Beqiri - deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se grupet parlamentare nuk janë të njoftuara fare me rezultatet e bisedimeve me Serbinë dhe as me marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit.

Ismet Beqiri
Ismet Beqiri
“Sigurisht që është dashur të njoftohemi të gjithë ne zyrtarisht, por po ashtu e dini që nuk ka ende marrëveshje të tillë të nënshkruar edhe nga ata që e garantojnë, sponsorojnë”.

“Do të dëshironim të ishte ashtu si po e thotë Qeveria, por, përsëris, nuk është njësoj menaxhimi i integruar i kufijve që mund të bëhet me Shqipërinë, Maqedoninë apo Malin e Zi, sikurse që mund të bëhet me Serbinë. Absolutisht nuk është njësoj”,
ka theksuar Beqiri.

Fuqia e Kuvendit të Kosovës, në raport me Qeverinë, është sfiduar kohë më parë edhe me mocionin për masat e reciprocitetit me Serbinë. Ndonëse Kuvendi e ka miratuar këtë mocion, Qeveria më pas ka deklaruar se ajo vetëm ka në fuqi masat e reciprocitetit, duke mos dhënë shenja të zbatimit të mocionit.

Lidhur me këtë çështje, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës e ka paraparë fare qartë çështjen e kompetencave.

Mund të them se asnjë dokument, asnjë ligj, asnjë akt ligjor nuk mund të ketë fuqi më të madhe sesa që ka Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Po në lidhje me punën e Kuvendit të Kosovës dhe raporteve me Qeverinë, Instituti Demokratik i Kosovës, i cili monitoron punën e legjislativit, ka vlerësuar se Kuvendi në fakt po shndërrohet në një lektorues të projektligjeve të Qeverisë, pasi që nuk po ia del që të ndikojë me asgjë në ndryshimin dhe plotësimin e vendimeve që dalin nga ekzekutivi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG