Ndërlidhjet

Viktimat e luftës mirëpresin filmin e Zholit


Hatixha Mehmedoviq, viktimë e luftës, shikon filmin e Zholit.
Hatixha Mehmedoviq, viktimë e luftës, shikon filmin e Zholit.
Ylli i Hollivudit dhe aktivistja sociale, Anxhelina Zholi, ka sjellë debutimin regjisorial për audiencën e saj më kritike, ndërsa është shpërblyer me mirënjohje dhe respekt.

Zholi, të enjten, ka prezantuar filmin “Në tokën e gjakut dhe mjaltit” – një dramë për çiftin e ndarë nga lufta në Bosnjë – para një audience të mbledhur nga 11 organizata të viktimave të luftës.

Hatixha Mehmedoviq, e cila ka humbur burrin e saj, dy djem dhe një të afërm në Maskarën e Srebrenicës më 1995, ndërsa tani drejton OJQ-në e quajtuar “Nënat e Srebrenicës”, e quan të rëndësishëm filmin në fjalë.

“Ky është një film i fuqishëm për njerëzit që kanë mbijetuar luftën, për viktimat dhe për çdo person që ka përjetuar luftën dhe agresionin. Mendoj se të gjithë njerëzit në Bosnjë e Hercegovinë, edhe ata në rajon e botë, duhet ta shohin këtë film. Mendoj se do të ishte mirë për fëmijët dhe të rinjtë tanë".

"Ne kemi fëmijë që kanë lindur në vitet 1990 dhe ata nuk e mbajnë mend luftën. Shpresojmë që Anxhelina Zholi të vazhdojë të bëjë filma të tillë. Ne nuk mund ta zhbëjmë atë që ka ndodhur këtu, nuk mund t’i shërojmë plagët e familjeve të atyre që vdiqën, por është mirë të shihet imazhi i asaj që ka ndodhur, teksa prezantohet në mënyrën e duhur para botës”
, thotë Mehmedoviq.

Anxhelina Zholi, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës.
Anxhelina Zholi, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës.
Kjo është përgjigjja, të cilën e kërkonte Zholi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zholi thotë se ka qenë shpesh e shqetësuar nga mungesa e ndihmës për viktimat e luftës – sidomos për gratë – gjatë udhëtimeve të saj si ambasadore e vullnetit të mirë të UNHCR-së.

“Kisha zemërim të thellë, frustrim dhe pikëllim për këtë dhe për të gjitha situatat e ndryshme. Në veçanti për Bosnjën – sa më shumë që mësoja dhe lexoja për të, aq më shumë zemërohesha për mungesën e ndërhyrjes”, thotë Zholi.

Bërja e filmit nuk ishte e lehtë. Në fund të vitit 2010, Qeveria e Bosnjës revokoi lejen e Zholit për film, në përgjigje të ankesave që bënë organizatat e viktimave. Ato kishin dëgjuar thashetheme pa bazë, se filmi kishte të bënte me një viktimë përdhunimi, e cila bie në dashuri me përdhunuesin e saj. Ato madje i kishin kërkuar UNHCR-së të shfuqizonte titullin e Zholit si ambasadore.

Murat Tahiroviq, një i mbijetuar i kampit të paraburgimit “Omarska”, tani kryetar i Shoqatës së Kampit të të Burgosurve në Bosnjë, thotë se është në mesin e atyre që ka lobuar për bllokimin e këtij filmi. Ai thotë se ndjen keqardhje për këtë veprim, pasi ka parë prodhimin përfundimtar.

“Është një film shumë i mirë, i bërë jashtëzakonisht mirë. Ka të bëjë me thelbin e vërtetë të luftës në Bosnjë. Të gjitha pikat kryesore ceken në të: kampet, tortura, krimet dhe, më e keqja ndër të gjitha, krimi kundër nderit të grave”, thotë Tahiroviq.

Viktimë e luftës në Bosnjë duke shikuar filmin.
Viktimë e luftës në Bosnjë duke shikuar filmin.
Filmi “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit” flet për historinë e një gruaje boshjnake-myslimane dhe një burri serb, të cilët bien në dashuri para luftës dhe takohen përsëri gjatë konfliktit – kur ai është oficer në ushtrinë serbe, ndërsa ajo e burgosur në një kamp.

Zholi ishte vetëm një adoleshente në kohën e luftës në Bosnjë, por tregon motivin që e ka nxitur...

“Sa më shumë që mësoja (për këtë luftë), aq më pak kuptoja se si fqinjët kanë mundur të kthehen kundër fqinjëve”, shprehet Zholi.

Tom Gjelten është korrespondent i Radios Publike Kombëtare, me seli në SHBA, i cili ka mbuluar luftën në Bosnjë dhe ka shërbyer si konsulent në filmin e Zholit. Ai gjithashtu flet për mënyrën se si ky konflikt ka shkatërruar jetë.

“Njëra nga gjërat që më interesonte mua në Sarajevë ishte se si ka ndikuar përvoja tek individët dhe marrëdhëniet midis individëve. Si i ka dëmtuar marrëdhëniet njerëzore dhe si i ka shkatërruar miqësitë dhe martesat?”, thotë Gjelten.

Për filmin “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit”, Zholi thotë se është prodhim i përbashkët i gjithë ekipit që ajo ka mbledhur, përfshirë dhe aktorët e Bosnjës.

“E kemi bërë bashkë. Nuk është një film amerikan i bërë për Bosnjën. Është një film i bërë me një amerikan, shumë boshnjakë dhe shumë njerëz nga zona. Pra, e kemi bërë së bashku”, thotë Zholi, e cila shfaq shpresën se filmi do të japë kontributin e vet si për Bosnjën, ashtu edhe për tërë rajonin, i cili lufton për një të ardhme më të mirë.

Dragisha Andriq, i nacionalitetit serb, gjatë luftës ka qenë i burgosur nga ushtria boshnjake. Ai tani drejton Shoqatën e të Burgosurve nga Vishegradi, ndërsa për filmin thotë se i ka lënë përshtypje të mëdha.

“Ky është filmi më i rëndë që kam parë në gjithë jetën time. Jam shumë i prekur dhe më ka mërzitur shumë. Tani, ndjehem si një boksier pas luftës, pas daljes nga ringu. Shumë skena që kam përjetuar vetë, janë treguar në këtë film. Ky film ka mesazh, një mesazh shumë të fortë”, thotë ai. (v.t.)

Anxhelina Zholi flet për filmin...
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:06 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG