Kroacia ka nënshkruar sot traktatin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2013. Por, BE-ja ka shtyrë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuj, tha se liderët e BE-së kanë vendosur të shtyjnë dhënien e statusit të kandidatit për Serbinë deri në samitin e ardhshëm.
“Ne do të vazhdojmë që të vlerësojmë situatën... me qëllimin e qartë që t’ia japim Serbisë statusin e vendit kandidat”, citon Van Rompujn agjencia e lajmeve Associated Press.
Rompuj kërkoi nga Beogradi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Serbia kishte pritje të mëdha për marrjen e këtij statusi, pas ekstradimit të disa të dyshuarve për krime lufte në fillim të këtij viti. Por, shpërthimi i dhunës në veriun e Kosovës, ku radikalët në mes të minoritetit serb bllokuan rrugët dhe u përplasën me paqeruajtësit e NATO-s, duket se ka lënë pezull dhënien e këtij statusi, shkruan AP.
“Liderët e BE-së janë shumë më të zënë me krizën e euros, sesa të humbin kohë duke diskutuar statusin e Serbisë”, citon AP një zyrtar që ka folur në kushte anonimiteti.
Van Rompuj tha se liderët e BE-së kanë vendosur që Mali i Zi të hapë negociatat e anëtarësimit në qershorin e ardhshëm, nën kushtet që ky shtet do të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mali i Zi ka marrë statusin e kandidatit në vitin e kaluar. (a.i.)
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.