Ndërlidhjet

Përçahen sindikalistët: Pësojnë punëtorët


Punime në Prishtinë - foto arkivi
Punime në Prishtinë - foto arkivi
Përçarjet në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë thelluar kur në Kongresin e Pestë Zgjedhor, delegatët kanë shkarkuar nga detyra kreun e këtij mekanizmi, Haxhi Arifaj, dhe kanë përkrahur për kryetar Ali Shabanajn, ish-kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Por, Arifaj nuk ka pranuar të largohet nga detyra, duke e vlerësuar jolegjitim shkarkimin e tij.

Ditëve të fundit, gjendja është tensionuar edhe më shumë kur në dy kongrese të ndara brenda BSPK-së janë zgjedhur dy kryetarë që do t’i drejtojnë sindikatat.

Dy kryetarët e zgjedhur kontestojnë njëri-tjetrin. Përderisa Haxhi Arifi thotë se është udhëheqës legjitim, Ali Shabanaj, i cili po ashtu pretendon se është legjitim, nuk lejohet të hyjë në objektet e BSPK-së.

E gjithë kjo nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës konsiderohet mjaft shqetësuese.

Nënkryetari i kësaj konfederate, Ali Dragusha, thotë se të gjitha këto po ndodhin për shkak të interesave personale.

“Të gjitha këto që po ndodhin janë reflektim i interesave personale të disa individëve të BSPK-së dhe tani e kemi një situatë çfarë e kemi. Ne, si konfederatë, do të japim një modus për ta kaluar këtë, edhe pse mund të themi se jemi në një situatë shumë, shumë të vështirë”, thotë ai.

Situatën, e cila është krijuar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, e kritikojnë edhe përfaqësues të bizneseve. Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se gjendja e tillë është pasojë e mungesës së reformave në sindikata.

“Në sindikata, në përgjithësi, ka kohë që mungon reforma dhe nuk ka një qasje pro-aktive në raport me proceset në Kosovë. Këto gjëra nuk janë trajtuar me vite dhe tash, kur ka nevojë të trajtohen, krijohen këso blloqesh”, thotë Rukiqi.

Sipas tij, në këtë situatë është shumë vështirë të mendohet një partneritet i mirëfilltë ndërmjet përfaqësuesve të bizneseve dhe përfaqësuesve të punëtorëve.

“Jemi të bindur se në Kosovë ka nevojë për një partneritet të fortë në mes të organizatave që përfaqësojnë punëdhënësin dhe punëtorëve. Por, në kushtet e tanishme, kur kemi një përçarje të përfaqësuesve të punëtorëve, është shumë vështirë të flitet për partneritet, i cili do të ishte në dobi të ekonomisë së Kosovës”, thekson Rukiqi.

Nga e gjithë kjo situatë e krijuar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira, thotë se pëson klasa punëtore. Sipas tij, derisa të ketë përçarje në një mekanizëm të tillë, të drejtat e punëtorëve do të mbeten të pambrojtura.

“Ndodhitë, që veçanërisht kohëve të fundit janë duke ngjarë në lëvizjen sindikale në Kosovë, jemi duke i pritur me shqetësim të madh, pasi që nga të gjitha këto lëvizje, përçarje që po ndodhin, askush nuk është humbës më shumë se klasa punëtore”, shprehet Dragusha.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i themeluar në vitin 1990, konsiderohet si institucion mjaft i rëndësishëm në proceset sociale dhe ekonomike në vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG