Ndërlidhjet

Të rinjtë pa përkujdesje institucionale


Prishtinë - foto nga arkivi.
Prishtinë - foto nga arkivi.
Shumë studentë, shumë fakultete - pak perspektivë. Ky duket të jetë realiteti kosovar në ditët e sotme.

Me mbi 35 për qind të moshës 15 deri 24-vjeçare dhe mbi 65 për qind nën moshën 30-vjeçare, rinia paraqet grupmoshën më të madhe të popullsisë në Kosovë. Por, e madhe nuk duket të jetë dhe përkujdesja institucionale ndaj shqetësimeve dhe problemeve, me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e popullsisë. Të paktën, kështu fitohet përshtypja kur flet me të rinjtë.

Për rubrikën e përjavshme “VOX” të programit tonë, disa të rinj thonë se përkujdesja institucionale për ta është e padukshme.

Ata shprehin bindjen se kanë të gjitha potencialet për të kontribuar në zhvillim e Kosovës, por theksojnë se për ta bërë këtë, u duhen kushte më të mira dhe hapësirë e nevojshme.

Valon Rahimaj, 19-vjeçar, student në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, është i mllefosur me sistemin arsimor në Kosovë. Kushtet, në të cilat mësohet, sipas tij, janë tejet të ulëta.

“Për të rinjtë duhet të ketë shumë më shumë përkujdesje se sa që ka tani, në veçanti për studentët. Nuk kemi kushte elementare në fakultet, nuk kemi ngrohje, nuk kemi sanitari, nuk kemi ku mbajmë praktikën edhe nëse e kryen fakultetin nuk do të na duhet asgjë, pasi që nuk arrijmë të mësojmë asgjë në fakultet”, thotë Valon Rahimaj.

Ngjashëm mendon edhe Dukagjin Maliqi. Ai thotë se është lodhur nga kushtet e vështira, në të cilat studion. Duke folur për fajtorin për gjendjen aktuale në këtë sistem, Maliqi drejton gishtin kah Qeveria e Kosovës.

“Njëra nga kushtet elementare është ngrohja në fakultet, e ne atë nuk e kemi. Në ditët e ftohta të dimrit, ne mësojmë në sallat ku i ftohti të ngrinë. Ja sa kujdesen institucionet për ne”, thotë ky student.

Nëse flitet për punën e institucioneve përgjegjëse, në këtë drejtim, mund të merret parasysh deklarata e fundit, në të cilën vetë kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, pati garantuar se “Qeveria e Republikës së Kosovës, do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës konform standardeve ndërkombëtare për të gjithë të rinjtë, si në familje, shoqëri, institucione publike dhe ato private”.

Zotimi i tij daton në muajin maj të vitit 2009 gjatë një fjalimi në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “Drejt parandalimit efektiv të vetëvrasjes dhe vetë-lëndimit në mesin e të rinjve kosovarë”. Fjalim më aktual ku Thaçi flet për rininë kosovare nuk ka mundur të gjendet në faqen zyrtare të kryeministrisë në internet.
Shtrohet pyetja: A ka ndryshuar ndonjë gjë deri më tani?

Buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë në këtë vit ka qenë 12 milionë e 236 mijë euro, ndërsa në vitin 2012 do të jetë 18 milionë e 31 mijë euro.

Blerim Berisha, student në Fakultetin Arkitekturës në Prishtinë, jep hollësi për situatën, me të cilën ballafaqohet rrethi i tij shoqëror:
Shumë studentë, nxënës nuk mund ta shprehin talentin e tyre, sepse nuk kanë përkrahje institucionale.



“Institucionet e Kosovës nuk po tregojnë aspak kujdes për të rinjtë. Ka aktivitete për rini, por nuk ka përkrahje prej Qeverisë. Shumë studentë, nxënës nuk mund ta shprehin talentin e tyre, sepse nuk kanë përkrahje institucionale”.

Astrit Malaku mendon se institucionet e Kosovës duhet të rregullojnë fushën legjislative për të rinjtë dhe duhet të fokusohen në nevojat e konkrete që ka rinia.

“Gjithmonë ka hapësirë. Ne si vend në tranzicion që kemi kushte për të plotësuar për t’u integruar në Evropë, mendoj që duhet të plotësohen disa kritere në listën e integrimeve evropiane, por duhet fokusuar në nevojat konkrete për rininë kosovare”, shprehet astrit Malaku.

Ndërkaq, Gresa Gashi, 22-vjeçare nga Peja, studente në Fakultetin Juridik, përveç studimeve, ajo punon edhe në një kompani private. Mungesa e mundësive që fakulteti ofron për trajnim praktik të lëndës që ajo studion, kanë shtyrë atë të hyjë në tregun e punës pa i përfunduar studimet.

“Faktikisht, edhe kur ta përfundosh fakultetin në Kosovë nuk sheh ndonjë perspektivë, sepse diplomon dhe nuk di se çka të sjell ardhmja. Mendoj që institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë, që së paku kur ta kryesh fakultetin, të aftësohesh mirë në atë lëmi”, thotë Gresa Gashi.

E pakënaqur nga sistemi arsimor në Kosovë, shprehet edhe Vjollca Thaçi, studente e Fakultetit të Edukimit:

“Në aspektin e arsimimit, edukimit, nuk iu afrohet përkujdesje. Kemi shumë studentë që, pavarësisht kushteve të vështira që kanë, vijnë në Prishtinë të studiojnë, tregohen të suksesshëm, por iu mungon përkujdesja institucionale, nuk kanë përkrahje materiale”.

Sidoqoftë, shpresa për ditë më të mira profesionale për ta nuk është zbehur tërësisht. Krenar Kaçiu shpreson që do të mund të fitojë bursë nga Qeverisa, pasi që, siç thotë ai, ka dëgjuar se për studentët e dalluar Qeveria e Kosovës ndan bursa.
Po e shoh që shumë të rinj po përfitojnë bursa për të studiuar jashtë shtetit, po iu garantojnë edhe vende pune pas studimeve.


“Po e shoh që shumë të rinj po përfitojnë bursa për të studiuar jashtë shtetit, po iu garantojnë edhe vende pune pas studimeve. Mendoj që kjo është një shenjë pozitive”, shprehet ky i ri.

Vitet e pasluftës në Kosovë, me ndryshimet e mëdha socio-kulturore, infrastrukturë të shkatërruar dhe prani të një numri të madh të organizatave ndërkombëtare, ishin një sfidë e re për rininë kosovare.

Pavarësisht problemeve të mëdha në fazën e emergjencës, rinia kosovare gjatë viteve të pasluftës angazhohej kryesisht në organizata rinore. Momentalisht sektori rinor në Kosovë numëron mbi 150 organizata të tilla me më shumë se 100 organizata dhe 50 qendra të rinisë.

Me gjithë qendrat rinore, të cilat gjenden në mbarë Kosovën, disa të rinj i preokupon fakti që ata të shumtën e kohës e kalojnë nëpër kafene.

Duke pirë kafenë e saj në një nga kafenetë e Prishtinës, Indira Bektashi flet për rutinën e saj tashmë ditore në kryeqytet. Ajo kërkon nga institucionet kompetente që të krijojnë më shumë vende për të rinjtë:

“Në mungesë të aktiviteteve sportive, detyrohemi ta kalojmë kohën nëpër kafiteritë e Prishtinës”.

Në një kafe-bar të tillë punon studenti i diplomuar në Fakultetin Ekonomik, Enis Berkolli. Ai thotë se, marrë parasysh shkallën e papunësisë në Kosovë, nuk i pengon që edhe pas përfundimeve të studimeve, nëse nuk kryen ndonjë punë në profesionin e tij.

Megjithatë, Berkolli shprehet i pakënaqur me mungesën e aktiviteteve rinore në Kosovë.

“Për të rinjtë në Kosovë nuk bëhet asgjë; nuk ka vende të mjaftueshme për t’u marrë me ndonjë aktivitet, duhet të hapen më shumë qendra sportive, e jo tërë ditën të rinjtë kosovarë të bredhin rrugëve”, thotë Berkolli.

Mendoj që faji është 50 me 50, faji nuk është vetëm tek institucionet, por edhe te rinia.

Por, ka dhe të rinj që theksojnë rëndësinë për një angazhim më të madh edhe nga vetë të rinjtë. Blerta Veliu, është njëra nga ata të rinj:

“Ka përkujdesje, por edhe rinia duhet të jetë më e përgjegjshme dhe të kërkojë të drejtën e vet, të jetë më aktive në vendimmarrje. Mendoj që faji është 50 me 50, faji nuk është vetëm tek institucionet, por edhe te rinia”.
XS
SM
MD
LG