Ndërlidhjet

Gjendja në burgje, katastrofale


Ilustrim
Ilustrim
Gjendja në burgjet e Maqedonisë është vlerësuar katastrofale, jo vetëm nga organizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por dhe nga institucionet ndërkombëtare që në vazhdimësi kërkojnë ndërhyrjen urgjente nga shteti për të përmirësuar gjendjen e tanishme.

Kohëve të fundit në burgun më të madh të vendit, atë të Idrizovës, por dhe në burgjet tjera, kanë ndodhur incidente të shumta, ndërsa kushtet, në të cilat kryejnë dënimin të burgosurit, janë vlerësuar të ngjashme me ato të shteteve afrikane.

Nga zyra e Avokatit të Popullit thonë se është koha e fundit që gjendja e këtillë të përmirësohet pasi me të drejtë njerëzit druajnë për jetën e të burgosurve që mund të jetë dhe tragjike.
Atje kushtet janë katastrofale, atje shkelen të drejtat më elementare të të burgosurve...



“Burgu i Idrizovës nga çdo aspekt paraqet problemin më të madh kur bëhet fjalë për përmbushjen e standardeve. Atje kushtet janë katastrofale, atje shkelen të drejtat më elementare të të burgosurve, atje edhe personat e varur nga substancat narkotike, nuk kanë as edhe një trajtim mjekësor apo rehabilitues”, thotë Uranija Spirovska, zëdhënëse e Avokatit të Popullit.

Gjendjen e rëndë e pranojnë dhe drejtuesit e institucioneve ndëshkimore-përmirësuese, siç quhen burgjet e vendit.

Kushtet, në të cilat të burgosurit vuajnë dënimin, nuk janë adekuate, ushqimi gjithashtu nuk është në nivelin e duhur, por ne tani 15 ditë po punojmë intensivisht për ta përmirësuar gjendjen”, pohon Toni Jakimovski, drejtor i burgut të Idrizovës.

Megjithatë, si problem kryesor, Jakimovski apostrofon kapacitetet e burgjeve apo mungesën e hapësirave për pranimin e të burgosurve.

Burgu i Idrizovës.
Burgu i Idrizovës.
Burgu i Idrizovës i ndërtuar që nga periudha e ish-Jugosllavisë, ka një kapacitet prej 950 të burgosurish, por për momentin ky numër është mbi 1300, ndërsa për shkak të rikonstruktimit të disa hapësirave tjera, ky numër është edhe më i lartë. Ne, gjithashtu, kemi aplikuar edhe një rend të ri shtëpiak për të parandaluar incidentet e mundshme”, sqaron Jakimovski.

Sipas Jakimovskit, risocializimi është një nga proceset më të vështira që duhet të realizohet, andaj prioritet i tij mbetet përfshirja sa më e madhe e të burgosurve në programet e punës në burgje.

Mitasim Beqiri, ish-drejtor i burgjeve të Maqedonisë, thotë se gjendja e tanishme në burgje si duket u konvenon qarqeve të caktuara, pasi është më se e qartë se mungon vullneti për të ndryshuar gjendjen.

“Është një materie shumë e ndjeshme pasi kemi të bëjmë me persona të dënuar. Së dyti, në Maqedoni nuk ka klimë politike, e as që duan të rregullohet situata nëpër burgje, prandaj edhe kjo situatë trashëgohet”.

“Mendoj se për t’i ndryshuar gjërat duhet të ketë vullnet politik dhe çështje organizative pasi nëpër burgje nuk duhet të pranohet punonjës që nuk e njohin rregullativën pozitive ligjore. Në rrethana të këtilla kemi problemet e këtilla dhe pakënaqësi nga të burgosurit. Gjithashtu, problem paraqitet edhe stërngarkimi i burgjeve, për zgjidhjen e të cilit nuk ka kuadër adekuat”,
shprehet Beqiri.

Gjendja në burgjet e Maqedonisë është përfshirë edhe në raportin vjetor të Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës pranë Këshillit të Evropës.

Kryetari i këtij komiteti, Mauro Palma, gjatë vizitës që i kishte bërë burgut të Idrizovës, kishte konstatuar gjendje të mjerueshme.
Atje nuk kishte kushte elementare higjienike, nuk kishte dyshekë, ndërsa insektet shëtisnin gjithandej.



“Atje nuk kishte kushte elementare higjienike, nuk kishte dyshekë, ndërsa insektet shëtisnin gjithandej”, kishte deklaruar kreu i Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës.

Ndërsa, ish-ambasadori i BE-së, Ervan Fuere, pati deklaruar se gjendja në burgun e Idrizovës është më e keqe se nga disa burgje të adoleshentëve në Afrikën e Jugut gjatë kohës së aparteidit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG