Ndërlidhjet

Besojnë në dialog


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës i kanë dhënë edhe një herë mbështetje vazhdimit të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në ditën e vazhdimit të këtyre bisedimeve në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar mbështetjen për propozimin për menaxhim të integruar të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas modelit evropian.

Kjo pikë do të jetë njëra nga çështjet kryesore të bisedimeve të rrethit të shtatë.

Thaçi ka potencuar se marrëveshja e ofruar është në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe mandatin që Kuvendi i Kosovës i ka dhënë delegacionit në kuadër të bisedimeve me Serbinë.

“Gjithçka që është në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardet evropiane, për Kosovën do të jetë e pranueshme dhe do ta shtyjmë që të lëvizë përpara. Menaxhimi i integruar i kufirit është në përputhshmëri të plotë me autoritetin tonë kushtetues dhe është vlerë e standardeve evropiane”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Besim në procesin e dialogut kanë shprehur edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Atifete Jahjaga
Atifete Jahjaga
Presidentja Jahjaga ka thënë se dialogu do të sjellë si rezultat marrëveshje sipas modeleve evropiane, nga të cilat do të përfitojnë të dyja shtetet dhe qytetarët e të dyja vendeve fqinje.

Të gjitha zgjidhjet duhet të jenë evropiane dhe duhet të jenë konform standardeve dhe praktikave më të mira evropiane. Këtë e kanë dëshmuar edhe marrëveshjet e deritanishme që janë arritur në këtë kornizë. Çdo marrëveshje ka qenë në përputhje me praktikat dhe standardet evropiane”, ka deklaruar Jahjaga.

Nga i gjithë procesi negociues Prishtinë – Beograd, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, ka veçuar sidomos çështjen e menaxhimit të integruar të kufirit si një nga pikat e diskutimeve.

”Menaxhimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mundëson zhvillimin e operacioneve të ngjashme me modelet evropiane, që zbatohen apo do të zbatohen në marrëveshjet e njëjta me Maqedoninë dhe Shqipërinë”, ka thënë Dell.

Sipas tij, ky është një zhvillim pozitiv që do t’i përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë.

Para këtij raundi bisedimesh, kryenegociatorja e palës kosovare, Edita Tahiri, ka deklaruar se nga pesë marrëveshjet e arritura, ku bën pjesë ajo për kadastrat, librat amë, nostrifikimin e diplomave universitare, pastaj marrëveshja për qarkullim të lirë dhe auto-targa, është duke u zbatuar vetëm ajo e tregtisë së lirë.

Për zvarritjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, Tahiri ka fajësuar Qeverinë e Serbisë.

Por, megjithatë, delegacioni i Kosovës nuk e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve dhe ka udhëtuar në Bruksel në një përbërje prej 13 anëtarësh.


Përfitime të dyanshme

Analisti politik në Prishtinë, Shkëlzen Maliqi, mendon se përfitimet nga dialogu do të jenë të dyanshme.

Fillimisht, sipas tij, të dyja vendet do të nisnin një bashkëpunim të domosdoshëm si dy shtete fqinje, dhe, së dyti, nga ky dialog, ai mendon se Serbia mund ta fitojë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian.

”Ka shumë interpretime e keqinterpretime. Por, mendoj që do të fitojnë të gjithë, sepse nëse aprovohet ky paket i masave, do të kemi një situatë kur Serbia praktikisht do ta njohë Kosovën si njësi, të them, shtetërore në rajon, por formalisht nuk do të ketë njohje. Kjo do ta lehtësonte edhe kandidaturën e Serbisë për në BE, por vetëm si kandidaturë, jo si anëtarësim”, është shprehur Maliqi.

Sipas tij, zbatimi i marrëveshjeve në dialogun Prishtinë-Beograd, mes tjerash, do të sjellë si rezultat përfaqësimin e Kosovës në tryezat dhe konferencat rajonale.

Maliqi mendon se Serbia nuk do të mund t’i bëjë obstruksion zbatimit të marrëveshjeve për shumë kohë, pasi një gjë e tillë, sipas tij, do t’i hakmerrej në procesin integrues në BE.

“Kërkesa e Evropës që Serbia t’i përmirësojë raportet me Kosovën, është substanciale, nuk është diçka që Serbia mund ta dredhë”, ka thënë Maliqi.

Sidoqoftë, vazhdimi i bisedimeve në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, paraqet një përpjekje tjetër të BE-së për relaksimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy vende që aspirojnë integrimet evropiane.

Dialogu për çështje teknike ishte ndërprerë në fund të shtatorit, pasi që pala serbe kishte insistuar që aty të diskutohet edhe çështja e pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin verior të Kosovës me Serbinë.

Bisedimet Prishtinë – Beograd janë kundërshtuar në vazhdimësi nga të tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, të cilat kanë vlerësuar se përfitues i vetëm i këtij procesi do të jetë Serbia, si aspiruese e statusit të kandidatit për integrim në BE.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG