Ndërlidhjet

Ende punë për valutën kombëtare


 Gani Gërguri
Gani Gërguri

Për të pasur valutën kombëtare, Kosova duhet të ketë një bazë relativisht të shëndoshë ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërguri, së fundmi është duke u diskutuar shumë për Ligjin mbi letrat me vlerë. A mund të na tregoni saktësisht se cila është rëndësia e këtij ligji dhe përftimet për ekonominë e Kosovës?

GANI GËRGURI
Ekonomia e Kosovës do të përfitojë shumë. Ky është një lajm i mirë – pra përgatitjet që po i bën Banka Qendrore e Republikës së Kosovës bashkë me Ministrinë e Financave për emetimin e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës, çfarë parashihet të ndodhë në fillim të vitit 2012.

Do të thotë, të gjitha parapërgatitjet, qoftë teknike, që nënkupton infrastrukturën teknologjike, qoftë legale, janë në përfundim e sipër. Siç e thashë, është një lajm i mirë për vendin, sepse po ndodh për herë të parë.

Pra, po krijohet një burim alternativ i financimit dhe po krijohet gjithashtu një mundësi që mjetet e tepërta “likuide”, të cilat ekzistojnë në sistemin bankar, të plasohen përmes blerjes së letrave me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Po ashtu krijohet mundësia që disa entitete të tjera të vendosin, në një përqindje të caktuar, t’i investojnë asetet e tyre në blerjen e këtyre letrave me vlerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova nuk ka sistem të politikave monetare. Sa e dëmton një mungesë e tillë ekonominë kosovare?

GANI GËRGURI
Politika monetare është e ndërlidhur direkt me valutën kombëtare. Nëse e keni valutën kombëtare, atëherë e keni edhe politikën monetare. Politikën monetare e keni çfarë e keni valutën kombëtare.

E, valuta kombëtare është sikur një ID e çdokujt. Ajo duhet të reflektojë faktikisht profilin e një ekonomie. Në këtë kontekst, ne jemi shtet i euroizuar në mënyrë unilaterale dhe kjo e bën jetën ekonomike më të vështirë, mirëpo, në të njëjtën kohë, e bën pak a shumë më të disiplinuar në krahasim me shtetet, të cilat e kanë valutën e tyre kombëtare, mirëpo atë valutë e kanë të dobët.

Kështu që në këtë kontekst, Kosova vërtet nuk ka politikë monetare dhe kreditore dhe është e limituar për të ndikuar në zhvillimet e tregut financiar dhe në zhvillimet makroekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat kushte duhet t’i plotësojë Kosova që të ketë valutë nacionale? A është menduar të punohet në këtë drejtim?

GANI GËRGURI
Kjo, pikësëpari, është çështje e vendimmarrjes politike, institucioneve përgjegjëse në vendin tonë. Ndërsa, nga pikëpamja ekonomike, çdo ekonomist e di se për të pasur valutën kombëtare, duhet pasur së paku një bazë relativisht të shëndoshë ekonomike, sepse, prapë po e them, valuta është letërnjoftimi i ekonomisë së një vendi dhe ajo nuk mund të ndryshojë, ajo duhet të pasqyrojë realitetin ekonomik që dominon në atë vend.

Para dhjetë vjetësh ose para pesë vjetësh, por edhe tash kur po flasim, ne vazhdojmë të kemi probleme të njëjta. Problemi themelor është se ne ende trajtohemi si vend i varur nga importet dhe nga remitencat, gjegjësisht nga dërgesat e jashtme që sillen në Kosovë.

Pra, ka shumë pak produkte vendore, shumë pak eksport dhe, në këto rrethana, duhet bukur thellë analizuar se cilat do të ishin benefitet dhe cilat do të ishin mangësitë e të pasurit valutë kombëtare.

Por, sidoqoftë, dy parakushtet kryesore janë: vendimi i institucioneve përgjegjëse dhe përmirësimi i infrastrukturës ekonomike të vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në takimet e juaja me Fondin Monetar Ndërkombëtar sigurisht që keni diskutuar edhe për zhvillimet ekonomike në vend, si dhe për ndihmat financiare që Kosova mund t’i marrë nga FMN-ja. Cilat janë rezultatet e këtyre takimeve?

GANI GËRGURI
Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qenë për të bërë rishikimin, siç e quan ai, të programit të monitoruar nga ana e stafit të FMN-së. Ai është ndarë shumë i kënaqur me realizimin e të gjitha përkushtimeve.

Dhe, pas këtij vlerësimi shumë pozitiv, janë caktuar referencat e reja, kriteret e reja, aksionet e reja, të cilat ne duhet t’i ndërmarrim si shtet, bashkërisht me të gjitha institucionet.

Varësisht prej përmbushjes së këtyre kritereve të reja të caktuara, do të bëhet rishikimi i radhës. Pas rishikimit të radhës, ne mund të konsiderojmë hyrjen në një program të ri me FMN-në, i cili thjesht nënkupton marrjen hua nga ky fond.

RADIO EVROPA E LIRË
A është prekur ekonomia e Kosovës nga kriza në Eurozonë?

GANI GËRGURI
Kriza në Eurozonë po eskalon. Siç e dini, ajo ka filluar me borxhet në Greqi, në Spanjë e tash në Itali, në Portugali e kështu me radhë. Nëse kjo krizë në Eurozonë eskalon prej borxheve në sektorin financiar dhe prej sektorit financiar në sektorin real të këtyre shteteve, përkatësisht të Eurozonës, atëherë ato efekte mund të vërehen edhe në ekonominë e Kosovës, por jo në mënyrë direkte.

Ne vazhdimisht përsërisim se janë tri kanale kryesore, përmes të cilave, çfarëdo krize e jashtme mund të ketë implikime në Kosovë. Ato janë: dërgesat e emigrantëve, eksportet dhe investimet e huaja direkte.

RADIO EVROPA E LIRË
Të dhënat e institucioneve ekonomike ndërkombëtare tregojnë se remitencat në Kosovë kanë shënuar rënie si pasojë e krizave ekonomike globale...

GANI GËRGURI
Të dhënat që ne i disponojmë, kanë të bëjnë me gjysmëvjetorin e parë të këtij viti dhe, në shuma absolute, flitet për diku 234 milionë euro në emër të remitencave, që, shprehur në numra relativë, është 1.2 për qind rritje vjetore, në krahasim me vitin paraprak.

Ky për mua është një lajm i mirë. Unë jam optimist se të dhënat për remitencat në vitin 2011 do të jenë pozitive dhe do të jenë stabile. Besoj se viti 2011 do të përmbyllet me rezultate pozitive sa u përket dërgesave të emigrantëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Investimet e huaja direkte janë paraparë si një instrument mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës. A është duke pasur në Kosovë investime të huaja?

GANI GËRGURI
Ka investime të huaja në Kosovë. Por, ne duhet të pajtohemi me faktin se nuk jemi i vetmi vend në këtë pjesë të botës, ku të gjithë vijnë për të investuar.

Ne duhet të shikojmë përse nuk kemi më shumë investime. Në këtë kontekst, besoj se ka mjaft punë për t’u bërë në kuptim të përmirësimit të ambientit për biznes.

Unë konsideroj se në këtë përmirësim të ambientit të biznesit dhe joshje të investitorëve të huaj, të gjitha agjencitë duhet t’i kryejnë detyrat e tyre, në mënyrë që të ofrojmë edhe më shumë siguri për investitorët e huaj.

Unë mendoj se vendi ynë ka mjaft për të ofruar për investimet e huaja direkte. Ne kemi disa kompani publike ende të paprivatizuara, të cilat janë atraktive për investitorë të huaj, madje edhe në kushte të krizave, sepse janë biznese profitabile. Kemi pasuri natyrore të Kosovës, të cilat po ashtu ofrojnë mjaft mundësi për investime të huaja direkte.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG