Debati parlamentar për miratimin e vendimit të qeverisë për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve lidhur me regjistrimin e popullsisë, është përcjellë me polemika të shumta mes shumicës parlamentare dhe opozitës.
Kjo e fundit ka drejtuar kritika të ashpra në drejtim të partive në pushtet, për politizimin e procesit dhe për tentime për falsifikimin e tij.
Duhet të përgjigjeni në pyetjen kush tentoi ta bëjë këtë, Gruevski apo Ahmeti, apo ndoshta Gruevski dhe Ahmeti së bashku.
Ai shtoi se me dështimin e regjistrimit, Maqedonia është turpëruar para gjithë opinionit ndërkombëtar, pasi ka dëshmuar se nuk është e aftë të realizojë qoftë edhe një operacion statistikor.
Qytetarët thanë se deputetët e opozitës kërkojnë nga kryeministri Gruevski, të tregojë qartë se kush do të bartë përgjegjësi politike, morale dhe penale për punën e papërgjegjshme dhe keqpërdorimin e parave të popullit.
Pretendimet e këtilla janë kundërshtuar nga VMRO-DPMNE-ja, e cila, nga ana tjetër, e riktheu vëmendjen në regjistrimin e para dhjetë vjetëve duke akuzuar LSDM-në, për rritjen joreale të numrit të shqiptarëve në Maqedoni.
"Ne si Kuvend i Maqedonisë, nuk duhet të lejojmë që rezultatet e regjistrimit që realizohej deri më tani të jenë shkak për mosbesim mes bashkësive etnike dhe partive politike. Për ne, më me rëndësi është që të kemi regjistrim real, të saktë dhe objektiv, se sa regjistrim për çfarëdo çmimi. Me këtë propozim bien në ujë të gjitha vlerësimet e opozitës, se regjistrimi paraqet pazar mes liderëve Gruevski dhe Ahmeti", tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovsi, duke ftuar LSDM-në që të mos luaj me marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, duke plasuar të pavërteta lidhur me ndërprerjen e regjistrimit.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, nuk kanë dashur të komentojnë akuzat e opozitës, por, i kanë dhënë mbështetje propozimit të qeverisë për ndërprerjen e regjistrimit.
“Ne mbështesim propozimin për faktin se nuk korrespondon me rregullat e parapara me Ligj, kurse çështjet hipotetike nuk dua t’i komentoj, por, mbi të gjitha ne duhet të përcjellim procesin, dhe situata e krijuar arsyeton propozimin e qeverisë për ndërprerjen e këtij procesi”, tha Tala Xhaferi, koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.
Deputetët e Partisë Demokratike Shqiptare, ashtu siç kanë paralajmëruar, nuk kanë marrë pjesë në debatin parlamentar, që sipas PDSH-së, është caktuar pa asnjë konsultim me opozitën, ashtu siç ishte miratuar ligji i dështuar, pa debat paraprak me opozitën.
PDSH-ja për tejkalimin e gjendjes kërkon mbajtjen e një takimi të liderëve të partive politike
“Kërkojmë hapjen e një dialogu të mirëfilltë politik sa i përket procesit të regjistrimit dhe thirrjen e takimit të liderëve të katër partive më të mëdha politike në Maqedoni”, deklaroi Imer Aliu, koordinatori i grupit parlamentar të PDSH-së.
Regjistrimi i popullsisë kishte filluar më 1 tetor, por u ndërpre në ditën e tetë për shkak të vlerësimeve të KSHR-së, për dështimin e tij, pasi gjatë këtyre ditëve ishte regjistruar vetëm një e katërta e popullatës, gjë që nuk linte asnjë shpresë që në 7 ditët e mbetura të regjistrohet pjesa tjetër, pasi kishte rajone si Tetova që ishte regjistruar vetëm se 3.6 për qind e popullsisë.