Ndërlidhjet

Institucionet, përgjegjëse për dështimin e regjistrimit


Shkup
Shkup
Përgjegjës kryesorë për dështimin e procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni janë institucionet, për shkak të moskrijimit të kushteve, qoftë ligjore apo teknike, për zbatimin e tij në praktikë, thonë analistët.

Albert Musliu thotë se, përveç dështimit të regjistrimit, Maqedonia tani përballet me një atmosferë më të tensionuar, qoftë politike apo ndëretnike, ndërsa pasojat e kësaj, sipas tij, duhet t’i bartë në radhë të parë pushteti.

Gjëra të këtilla ndodhin kur nuk ka transparencë, sinqeritet mes partnerëve dhe gjithsesi kur procesi tentohet të improvizohet. Unë uroj që prej këtij debakli, institucionet të marrin mësim, që përgatitjet t'i bëjnë në mënyrë më të sinqertë, më transparente, që procesi të mos pësojë debakël”.

“Mos të harrojmë se këtu nuk mund të amnistohet as parlamenti, pasi miratoi një ligj, i cili mund të interpretohej në mënyra diametralisht të kundërta. Kjo i shkaktoi të gjitha problemet që dolën në realizimin e regjistrimit”,
shprehet Musliu.

Vlladimir Bozhinovski, drejtues i Institutit për Demokraci, thotë se procesi ka dështuar për shkak të politizimit të skajshëm që para një viti.

“Procesi i regjistrimit, që nga viti i kaluar, ka filluar të politizohet. Ky proces, jo vetëm te ne, por në përgjithësi në Ballkan, nuk është vetëm një proces statistikor, por ai përcillet në vazhdimësi me debate, për shkak të elementit etnik që përmban në vete”, thotë ai.

Për dallim nga Musliu, Bozhinovski thotë se pasojat nga dështimi i regjistrimit do të jenë më të vogla, sesa ato që do t’i sillte një proces me të dhëna joreale, qoftë për përbërjen etnike të popullatës, apo për treguesit tjerë, që, sipas tij, janë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

“Për mua, më mirë që është ndërprerë tani, sesa të kishim rezultate që do të ishin jorelevante. Pra, pasojat do të ishin shumë më të vogla tani, sesa më vonë, pas përfundimit të tij me të dhëna joreale”, thotë Bozhinovski, duke e vlerësuar pozitivisht aktin e dorëheqjes së anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, pasi me këtë, sipas tij, ata kanë evituar pasoja të paparashikueshme për Maqedoninë.

Edhe pse nuk janë shprehur publikisht, të gjitha tensionet dhe interpretimet e ndryshme të ligjit kishin të bëjnë me përbërjen etnike të Maqedonisë dhe vlerësimet e ndryshme të shqiptarëve dhe maqedonasve, në veçanti për numrin e shqiptarëve. Në këtë drejtim, Albert Musliu thotë:

“Shqiptarët janë prezentë këtu, kanë një rritje më të madhe se komunitetet tjera në Maqedoni. Ky është realitet që nuk mund të fshihet. Prandaj, të gjitha tendencat që një realitet i këtillë të fshihet, do të pësojnë debakël”, thotë Musliu, duke besuar në ndërhyrjen edhe të ndërkombëtarëve, e në veçanti të Eurostat-it, për të ndihmuar në kahëzimin e këtij procesi në të ardhmen.

Regjistrimi u shpall i dështuar me dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Regjistrim, në ditën e tetë apo shtatë ditë para përfundimit.

Gjatë këtyre ditëve ishte arritur të regjistrohet vetëm një e katërta e popullatës, për shkak të problemeve të shumta, mungesës së më shumë regjistruesve në terren dhe interpretimit të ndryshëm të ligjit nga ana e regjistruesve, kryesisht lidhur me përfshirjen ose jo të shqiptarëve që punonin përkohësisht jashtë vendit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG