Ndërlidhjet

“Frankeshtajni turk”, i lidhur me trafikim organesh


Jusuf Sonmez gjatë arrestimit në Stamboll.
Jusuf Sonmez gjatë arrestimit në Stamboll.
"Times"

Një person nga Bjellorusia i ka thënë gjykatës speciale të Bashkimit Evropian se e ka një veshkë të nxjerrë nga një unazë e trafikimit të organeve në Kosovë.

Ky dëshmitar i mbrojtur, i identifikuar vetëm si A.K., është i pari nga një numër i viktimave të dyshuara në procesin gjyqësor, që e ka hedhur një hije ndaj vendit të ri të pavarur ballkanik.

Gjatë dy ditëve të dëshmisë, A. K. i tha gjykatës se ai kishte udhëtuar në Kosovë për ta shitur veshkën e tij në klinikën Medikus, në një lagje të kryeqytetit Prishtina, porse kishte marrë vetëm një pjesë të çmimit të premtuar.

Procesi ka filluar javën e kaluar, derisa Bashkimi Evropian e ka nisur hetimin e ndarë për akuzat se ish-komandantët e UÇK-së, të udhëhequr nga Hashim Thaçi, tash kryeministër, kishin bërë trafikim të organeve të serbëve të burgosur gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-99, e cila çoi në pavarësinë e Kosovës.

Një raport i Këshillit të Evropës, i përgatitur nga senatori zviceran, Dik Marti, vitin e kaluar, kishte sugjeruar se “personalitete të njohura shqiptare të Kosovës dhe ndërkombëtare” ishin të involvuara në trafikim të organeve në fund të viteve të 90-ta dhe në rastin Medikus.

Bashkimi Evropian posa ka filluar një hetim lidhur me pretendimet e zotit Marti dhe ky hetim do të udhëhiqet nga ish-i dërguari për krime të luftës, Xhon Klint Uiliamson, i cili së shpejti pritet ta vizitojë Shqipërinë.

Shtatë kosovarë në procesin gjyqësor Medikus, përfshirë gjashtë mjekë, kanë deklaruar se nuk janë fajtorë lidhur me akuzat për trafikim të organeve, krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës dhe ndërmarrje të jashtëligjshme të veprimtarisë mjekësore.

Aty përfshihet dr.Lufti Dervishi, profesor i mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, i cili e kishte themeluar klinikën, dhe Ilir Rrecaj, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, që e kishte dhënë licencën.

Jusuf Sonmez, kirurg për transplantim i quajtur “Frankeshtajni turk”, paralelisht është akuzuar në Turqi për kryerjen e së paku 11 operacioneve në klinikën Medikus, dhe Moshe Harel, izraelit, i dyshuar se është njeri i rëndësishëm i unazës, po gjykohet në mungesë në Turqi.

Autoritetet thonë se ata i kanë gjurmuar pagesat nga pranuesit e organeve, që shkonin në mbi 650 mijë euro.

Prokurorët turq kanë kërkuar 171 vjet burg për dr. Sonmezin dhe zotin Harel, si dhe për dy turq të tjerë. Izraeli po i zhvillon hetimet e veta ndaj Moshe Harelit.

Rasti Medikus filloi në vitin 2008, kur një turk i ri e humbi vetëdijen në aeroportin e Prishtinës dhe pastaj i tha policisë së OKB-së se ai posa e kishte shitur një veshkë të tij në klinikën Medikus. Policia arriti në klinikë dhe e gjeti një person kanadezo-izraelit, që posa i ishte transplantuar veshka e turkut.

Prokurorët thonë se më se 30 njerëz të varfër, të rekrutuar në Turqi dhe në ish-bllokun sovjetik, e kishin shitur veshkën e tyre te kjo unazë për transplantim ilegal.

Ata që e jepnin veshkën paguheshin me afro 20 mijë dollarë, por shpeshherë kjo ndryshonte, pasi ata i nënshtroheshin operacionit. Pranuesit e veshkave thuhet se kishin paguar nga 100 mijë dollarë.

Rasti është sjellë në gjykatë nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, ndërsa atje janë tre gjyqtarë: një polak, një amerikan dhe një vendës.

Personi i dytë do të dëshmojë të martën. Sikur dëshmitari A.K., edhe ai do të flasë në seancën e mbyllur për ta mbrojtur identitetin e tij.

Lin Slatengrin, avokat i dr. Lutfi Dervishit, tha se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për çfarëdo pagese për organe. “Ai beson sinqerisht se ai po përpiqet të ndihmojë në shpëtimin e jetëve, duke dhënë ndihmë të mirë mjekësore te njerëzit”, tha avokati Sletengrin.

Ai ka theksuar se Ilir Rrecaj ishte akuzuar se e ka dhënë licencën për klinikë, megjithëqë mendohet se transplantimet janë ilegale në Kosovë.

“Dr. Dervishi është i akuzuar se ka operuar pa licencë. Dr. Rrecaj është akuzuar se ka dhënë licencë. Është pak kundërthënëse”, tha avokati Sletengrin. (f.b.)
XS
SM
MD
LG