Ndërlidhjet

Shqetësime për armatimin kimik të Gadafit


Libi...
Libi...
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka tërhequr vërejtjen se armatimi për shkatërrim në masë, i fshehur në Libi, gjatë viteve, nga regjimi i Muamer Gadafit, mund të bie në duart e terroristëve nëse menjëherë nuk ndërmerren hapa për t’i siguruar këto armatime.

Për armatimin në Libi, ka folur Lin Paskoe, nënsekretar i përgjithshëm për çështje politike i OKB-së, në takimin e Këshillit të Sigurimit, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarët e qeverisë së përkohshme të Libisë, që është Këshilli Tranzicional Kombëtar.

Është e domosdoshme që KTK-ja dhe komuniteti ndërkombëtar ta ndërtojnë kontrollin ndaj sasive të mëdha të armatimit të sofistikuar, përfshirë raketat tokë-ajër, të grumbulluar nga qeveria e Gadafit. Përhapja e këtyre armatimeve dhe rreziku, që ato mund të bien në duart e terroristëve, janë çështje të një shqetësimi të madh. Ripërtëritja e kontrollit ndaj materialeve për armatim kimik është po ashtu i rëndësisë madhore”, tha Lin Paskoe.

Regjimi i Gadafit ka prodhuar armatim kimik prej viteve të 80-ta dhe është e njohur se e ka përdorë këtë armatim në luftën kundër Çadit në vitin 1987.

Në Libi ishte ndërtuar kompleksi industrial Rabta, në të cilin mendohej se ekzistonte edhe njësia më e madhe në botë për armatim kimik.

Por, konsiderohet se në vitet e 90-ta ky kompleks ishte joaktiv për shkak të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2003, Gadafi e pat shpallur tërheqjen komplete nga programi i armatimit kimik në fund të vitit 2003, së bashku me programet e tjera të Libisë për prodhimin e armatimit për shkatërrim në masë.

Në vitin 2004, Libia i kishte shkatërruar 3200 predha artilerike të armatimit kimik nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtar.

Por, regjimi i Gadafit kishte shpallur se ende i kishte afro 23 tonelata të elementeve të nevojshme për prodhim të armatimit kimik.

Vëzhguesit ndërkombëtar kishin verifikuar se afro 15 tonë të agjentëve kimikë të regjimit të Gadafit ishin shkatërruar në vitin 2010, sipas kushteve të Konventës Ndërkombëtare për Armatim Kimik të nënshkruar nga Libia.

Por, dokumentet sekrete të Ambasadës Amerikane në Tripoli, që kanë rrjedhur në media, në mënyrë të detajizuar tregojnë se si regjimi i Gadafit kishte menduar t’i mbajë në mënyrë sekrete 9.5 tonelata gazra helmuese, përfshirë edhe gazin Sarin.

Javën e kaluar, një depo masive e agjentëve kimikë është zbuluar në shkretëtirë, afër bazës ajrore Al-Xhufra, në pjesën qendrore të Libisë, territor që më nuk është nën kontroll të trupave të Gadafit.

Gadafi, me mjetet që i ka, mund të kthehet në praktikat e tij terroriste.
Hetuesit e organizatës Human Rights Watch, po ashtu, aktualisht i kanë dokumentuar së paku dy depo të municionit afër qyteteve Misurata dhe Ajdabia, përfshirë edhe predha artilerike dhe raketa për bartjen e armatimit kimik.

Departamenti i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka thënë se forcat amerikane po i monitorojnë hapësirat e dyshuara të armatimit kimik të Gadafit.

Kryeministri i përkohshëm i Libisë, Mahmud Xhibril, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Gadafi, vendndodhja e të cilit nuk dihet, është kërcënim terrorist në rritje.

Gadafi është ende në liri. Ai ka shumë fonde – para dhe ari, dhe ai është ende në gjendje ta destabilizojë situatën, jo vetëm në Libi, por edhe përgjatë bregdetit të shkretëtirës afrikane. Gadafi, me mjetet që i ka, mund të kthehet në praktikat e tij terroriste”, tha Mahmud Xhibril. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG