Ndërlidhjet

Huper: Brukseli të mos e luajë lojën e Beogradit


Xhejms Huper
Xhejms Huper


“Loja e Tadiqit ka funksionuar shumë mirë karshi BE-së, por siç duket jo edhe me zonjën Merkel”, thotë Xhejms Huper, ish diplomat amerikan, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Një demonstrim i vogël i sovranitetit – kështu i keni cilësuar në artikullin tuaj të fundit përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të ndryshuar situatën në veri. Duke pasur parasysh zhvillimet aktuale, mendoni se ka ardhur koha që kjo situatë të zgjidhet?

XHEJMS HUPER
Po, kështu mendoj. Në fakt, mendoj se në realitet, është zgjidhur. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka thënë presidentit Tadiq në Serbi se epoka e ndarjeve dhe ndryshimit të kufijve në Ballkan ka marrë fund.

Në këtë formë, janë prerë vendosmërisht përpjekjet e Tadiqit dhe të tjerëve në qeverinë serbe, që të luajnë lojë të dyfishtë, duke tentuar të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht duke e mbajtur hapur opsionin e ndarjes.

Njëkohësisht, mendoj se në këtë formë i është dërguar mesazh edhe vetë Brukselit dhe diplomatëve atje që merren me dialogun, që të mos luajnë lojën e Beogradit, duke qenë gjithmonë të shqetësuar për të ardhmen e Tadiqit, për atë nëse forcat e moderuara do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme, për mundësinë e shpërthimit të dhunës, etj.

Kjo është lojë e Tadiqit dhe e kolegëve të tij dhe ka funksionuar shumë mirë karshi BE-së, por siç duket jo edhe me zonjën Merkel.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Huper, thatë epoka e ndarjeve ka marrë fund. Por tani, janë disa opsione të cilat po diskutohen, ndonëse jozyrtarisht, si për shembull mbikqyrja ndërkombëtare për veriun, Ahtisari plus…Cila do të ishte mënyra më e mirë për ta zgjidhur situatën dhe për të penguar shpërthimin e dhunës?

XHEJMS HUPER
Duhet të ndërmerren disa masa, për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës – e të gjithë ata që banojnë në veri janë qytetarë të Kosovës – që të menaxhojnë çështjet e veta komunale, në kuadrin e autoritetit të Prishtinës.

Plani i Ahtisarit ofron hapësirë shumë të madhe për gjëra të këtilla. E kam shumë të vështirë të paramendoj se si do të mund të shkohej përtej këtij plani. Tani kemi një marrëveshje mbi vulat doganore. Kosova po e zbaton atë me besnikëri, ashtu siç vepron gjithmonë kur e pranon një marrëveshje.

Serbia nuk është duke e zbatuar këtë marrëveshje ende. Është shumë e mundshme që Beogradi po e sfidon vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar, për të parë se sa larg mund të shkojë.

Kur ka një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, kosovarët e respektojnë dhe me Prishtinën duhet të negociosh vetëm një herë. Me Serbinë duhet të negociosh dy herë. Së pari për të arritur marrëveshjen, dhe pastaj, duhet të negociosh sërish, për ta zbatuar atë. Kjo situatë duhet të ndryshojë.

Nuk mund të ketë paqe në veri dhe zgjidhje përfundimtare të asaj situate, derisa të mos ndalet përkëdhelja ndaj Beogradit, përkëdhelja ndaj serbëve. Ekzistojnë norma dhe rregulla ndërkombëtare, të cilat duhet të vlejnë edhe për ta.

Sinqerisht, mendoj se populli në Serbi e kupton këtë, por janë ndërkombëtarët ata që duhet ta bëjnë Beogradin dhe serbët në veri të kuptojnë plotësisht se veriu është pjesë e Kosovës dhe se nuk do të ndahet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Huper, ju sapo thatë se kur bëhet fjalë për marrëveshje të caktuara, Beogradi sfidon komunitetin ndërkombëtar se deri ku mund të shkojë. Sa larg ka shkuar në fakt, në rastin e Kosovës?

XHEJMS HUPER
Mendoj se Brukseli është turpëruar nga pozicioni që ka marrë kancelarja Merkel. Sipas mendimit tim, Serbia do të shkojë aq larg sa të mundet, aq sa e lejojnë ndërkombëtarët të shkojë.

Kufijtë në këtë proces kanë të bëjnë me atë për të parë se deri në ç’masë mundët Serbia të frikësojë, keqtrajtojë apo edhe josh ndërkombëtarët dhe t’i bind ata në shpërqëndrim, në zbehje të marrëveshjes së arritur.

Me sa e di unë, muajin tjetër do të mbahet një takim në kuadër të BE-së për të trajtuar çështjen e anëtarësimit të Serbisë, pas të cilit do të mirret një vendim për gatishmërinë e saj që të fitojë statusin e kandidatit.

Është e vështirë për BE-në të lejojë një status të këtillë për Serbinë, nëse barrikadat në veri vazhdojnë dhe nëse Beogradi vazhdon me deklarimet e deritashme për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke e pasur gjithë këtë situatë në mendje, Prishtina dhe Beogradi kanë biseduar shumë herë në vitet e fundit, por pothuajse secili proces negociues është bllokuar dhe s’ka pasur rezultate. A kanë të ardhme bisedimet aktuale?

XHEJMS HUPER
Mendoj se kanë një formë të ardhmeje, sepse çfarëdo që të ndodhë, Kosova dhe Serbia jetojnë krah njëra – tjetrës. Dhe marrëveshje duhet pasur midis fqinjëve dhe bisedimet mund të çojnë drejt masave mbështetëse, përderisa të dyja palët janë të gatshme që seriozisht të kërkojnë mënyra për të zgjidhur disa nga problemet që kanë.

Ajo me të cilën nuk pajtohem është fakti se bisedimet nuk duhet të kenë për synim vetëm vendosjen e buzëkuqit dhe grimit për Serbinë, në mënyrë që ajo të jetë më e prezantueshme për bisedimet mbi anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe statusin e kandidatit…

RADIO EVROPA E LIRË
A janë këto bisedime të këtilla, a janë grim mbi Serbinë?

XHEJMS HUPER
Mendoj se ato kanë shënuar disa arritje praktike, por mendoj se synimi i këtyre bisedimeve ka qenë që të vihet grim mbi Serbinë, që të jetë më mirë e përfaqësuar në bisedimet për anëtarësim.

E vetmja gjë për të cilën kam shqetësim tani, është që Brukseli do të ngutet të veprojë, ashtu siç bëjnë diplomatët ndonjëherë, në përpjekje për të zbutur presionin mbi Beogradin, për të “shpjeguar” atë që ka thënë zonja Merkel, për t’i vënë hije asaj çfarë ajo ka thënë, për ta siguruar Tadiqin se “nuk e ka pasur me gjithë mend”.

Nëse bisedimet e sponzorizuara nga Brukseli, në fakt çojnë drejt zhvlerësimit të parimeve të njohura tashmë, atëherë ato do ta dëmtojnë Serbinë. Nëse Brukseli nuk e ka kuptuar këtë dhe lejon që bisedimet të shfrytëzohen nga Beogradi, atëherë mendoj se Brukseli po i bën një shërbim jo të mirë edhe aleatëve të tij dhe një shërbim jashtëzakonisht jo të mirë vetë Beogradit, pra pavarësisht dëmeve që i shkaktohen edhe Kosovës.

Beogradi ka nevojë për mbështetje të kuptojë se loja ka marrë fund, se nuk do ta sundojë veriun, se nuk do ta kontrollojë veriun dhe se ajo pjesë nuk do të bëhet kurrë pjesë e Serbisë.

Është thjesht pjesë e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG