Ndërlidhjet

Vendimi i Kushtetueses


Parlamenti i Kosovës
Parlamenti i Kosovës
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi imunitetin e deputetëve, i cili mundëson arrestimin e deputetëve që dyshohen për vepra të ndryshme penale, edhe nëse imuniteti nuk iu hiqet nga Kuvendi, ka ngjallur reagime të ndryshme në mesin e ligjvënësve nga të gjitha partitë.

Edhe pse vlerësohet se vendimi është i pakontestueshëm dhe duhet zbatuar, disa nga deputetët kanë shprehur shqetësimin për keqpërdorimin e vendimit dhe kësisoj dëmtimit të demokracisë parlamentare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se pas këtij vendimi është i shqetësuar në lidhje me pavarësinë e institucioneve.

Tani e kemi një vendim, të cilin edhe me Kushtetutë, do të thotë, Gjykata Kushtetuese është ajo që bën një interpretim. Unë nuk duhet ta komentoj këtë vendim. Natyrisht shqetësim imi mbetet pavarësia e institucioneve të pavarura të Kosovës tani e tutje. Jam i shqetësuar për funksionimin e pavarur të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës”, i tha Radios Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që njëherësh është dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese një ditë më parë në një vendim të saj ka interpretuar Kushtetutën në rastin e imunitetit për deputetët në Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se “deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo, sipas vendimit ka “të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi thotë se vendimi duhet respektuar, por, në anën tjetër, vë në pah rëndësinë e imunitetit.

Ky është një vendim që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka një shkallë tjetër ankimore. Nuk kemi se çka komentojmë mbi këto vendime.
Ky është një vendim që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese dhe nuk ka një shkallë tjetër ankimore. Nuk kemi se çka komentojmë mbi këto vendime. Ideja e imuniteteve në origjinën e tyre është për të krijuar një komoditet mbi veprimet e deputetëve dhe të mos bien pre e shantazhimeve të pushtetit”, tha Gashi.

Kërkesën për interpretim të Kushtetutës në lidhje me imunitetin e deputetëve e ka dërguar në gjykatë Qeveria e Kosovës, për të sqaruar çështjen e imunitetit të deputetëve të Kuvendit, Presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë.

Në vendim mes tjerash thuhet se “deputeti mund të arrestohet apo ndalohet edhe gjatë kohës që është duke kryer detyrat e tij, pra në mbledhje plenare të Kuvendit, në mbledhje të komisioneve të tij.

Kjo pikë e vendimit ka shkaktuar reagim të ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje, grupit të tretë më të madh parlamentar në Kuvend, e cila ka thënë se po qe se nuk riformulohen dhe qartësohen më tutje, vendimet e Gjykatës i hapin rrugë një shteti policor, i cili paraqet kërcënim për demokracinë dhe të drejtat civile e politike të të zgjedhurve të popullit.

Nënkryetari i Kuvendit nga kjo Lëvizje, Glauk Konjufca thotë se me vendimin është kufizuar roli i deputetit.

Në këtë mënyrë besoj se Gjykata me vendimin e saj ka krijuar një precedent shumë të rrezikshëm dhe i ka hapur rrugë qeverisë që ta prishë drejtpeshimin demokratik në mes të kompetencave të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, apo mes misioneve ndërkombëtare që kanë kompetenca ekzekutive dhe të zgjedhurve të popullit. Nëse interpretohet si pikë e veçantë kjo pika e dytë se deputeti arrestohet pavarësisht vendimit të Kuvendit, atëherë kjo mund t’ia hapë rrugën qeverisë që të shndërrohet në një pushtet policor i cili arreston deputetët duke u thirrur në këtë pikë”, tha për Radion Evropa e Lirë, deputeti Konjufca.

Në anën tjetër, deputeti nga partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani thotë se vendimi është profesional dhe i shërben drejtësisë. Megjithatë, Ramadani kërkon që vendimi të mos keqpërdoret.

Do të doja që kjo në asnjë moment të mos keqpërdoret politikisht dhe të mos ketë montime politike për qëllime apo çështje të caktuara.
Vlerësoj se Gjykata Kushtetuese ka vepruar profesionalisht bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe është edhe një shembull se si askush nuk guxon dhe nuk do të duhej që të fshihet prapa imunitetit apo çështjeve të tjera, sepse Kosova me sistemin që e ka duhet të garantojë barazi për të gjithë qytetarët e saj dhe pavarësisht pozitave nëse janë të zgjedhur apo zgjedhës dhe vlerësoj se ky është një hap i mirë drejt realizimi të nivelit më të lartë të demokracisë në Kosovë. Do të doja që kjo në asnjë moment të mos keqpërdoret politikisht dhe të mos ketë montime politike për qëllime apo çështje të caktuara”, i tha Radios Evropa e Lirë, deputeti Ramadani.

Çështja e imunitetit ka arritur deri tek Gjykata Kushtetuese, për shkak të urdhër arrestit qe EULEX ka ngritur kundër deputetit, Fatmir Limaj.

Zotin Limaj dhe nëntë persona të tjerë, aktakuza e konfirmuar tashmë, i ngarkon për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në atë që njihet si rasti Kleçka.

EULEX-i ka thënë se është duke shqyrtuar vendimin dhe se nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim derisa vendimi i Gjykatës të bëhet i plotfuqishëm, që nënkupton deri pasi që të shpallet në gazetën zyrtare.

Vetë avokati i Limajt, Tomë Gashi ka thënë se tashmë para EULEX-it mbesin dy opsione ose ta arrestojë deputetin Limaj, ose të heqë dorë fare nga urdhër-arresti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG