Ndërlidhjet

Përkeqësim i situatës së sigurisë në Jemen



Gjatë ditës së sotme në kryeqytetin e Jemenit, Sana, mund të dëgjohen të shtëna nga armët e zjarrit, derisa protestuesit provuan ta marrin kontrollin ndaj qytetit, në të cilin, të dielën, forcat e sigurisë hapën zjarr kundër turmës së demonstruesve.

Korrespondentët raportojnë se forcat e sigurisë kishin shtënë me armatimin e tyre afër të ashtuquajturit “Shesh të ndryshimit”, pasi protestuesit herët në mëngjes, ishin përpjekur të vendosen në hapësirën ku kishte ndodhur dhuna e së dielës.

Të dielën vonë, dhjetëra vetë ishin vrarë dhe qindra të tjerë ishin plagosur, kur trupat e presidentit Ali Abdullah Saleh, kanë shtënë kundër turmës, që përbëhej nga dhjetëra mijëra vetë.

Gazetari i lirë britanik në Jemen, Tim Fin, tha se vrasjet nga forcat e sigurisë së Salehit, ishin “esencialisht masakër”.

Ai thotë se demonstrata e së dielës ishte më e madhja dhe më e ashpra, që është parë gjatë tetë muajve të kryengritjes kundër pushtetit të presidentit Saleh.

Gazetari Fin, po ashtu, thotë se vrasjet afër “Sheshit të ndryshimit”, i kanë zemëruar shumë protestuesit në Sana, të cilët kanë shprehur përkushtim më të madh se kurdoherë për vazhdimin e protestave derisa regjimi Saleh të shkatërrohet.

Televizioni i kontrolluar nga shteti në Jemen i ka arsyetuar të shtënat e së dielës, duke raportuar se dhuna ishte e domosdoshme, pasi demonstruesit ishin vërsulur ndaj trupave qeveritare dhe se pjesa më e madhe e të plagosurve në spital ishin ushtarë.

Ky televizion po ashtu ka raportuar se video-pamjet në Internet, ku shihen protestuesit e vrarë dhe të lënduar, nuk ishin pamje nga Sana.

Të dy këto pretendime janë kundërshtuar nga një sasi e madhe e video-pamjeve të amatorëve dhe nga tregimet e dorës së parë të dëshmitarëve, përfshirë edhe raportet nga gazetarët e pavarur të jashtëm, duke konfirmuar se trupat qeveritare kishin shtënë me municion luftarak kundër demonstratës masive.

Sipas një banori lokal, i cili iku nga konflikti, e që është mbështetës i presidentit Saleh, demonstratat e së dielës kishin filluar në mënyrë të qetë, por më vonë u shndërruan në dhunë.

Protestuesit kishin depërtuar në Sheshin e ndryshimit. Së pari ishte demonstratë paqësore, por më vonë filluan problemet, kur ata i morën armët, gjuajtën me bomba gazi në vetura, dhe tri ose katër makina ishin përfshirë nga zjarri”, tha ky banor i kryeqytetit Sana.

Shumë prej dëshmitarëve thonë se forcat e sigurisë së qeverisë kishin përdorë armatim të rëndë dhe predha në përleshje, që ishte konflikti i parë direkt ndërmjet demonstruesve dhe forcave qeveritare. Kjo ishte edhe përleshja më vdekjeprurëse në Jemen për disa muaj.

Të dy palët, forcat qeveritare dhe opozita e kanë forcuar sigurinë në hapësirat që i kanë nën kontroll.

Trupat qeveritare kanë ngritur shumë postblloqe dhe po i kontrollojnë veturat që kalonin andej pari.

Mbështetësit e opozitës thonë se ata kanë ngritur pika kontrolli rreth selisë së tyre në kryeqytetin Sana.

Të gjitha hapësirat urbane dhe hapësirat kufitare të Sanës tash janë nën kontroll të forcave të Salehit. Ata i sulmojnë banorët lokalë dhe mbështetësit tanë.
Të gjitha hapësirat urbane dhe hapësirat kufitare të Sanës tash janë nën kontroll të forcave të Salehit. Ata i sulmojnë banorët lokalë dhe mbështetësit tanë”, tha një luftëtar opozitar.

Kushtet e jetesës në kryeqytetin Sana, vazhdojnë të përkeqësohen, pasi protestat kanë ndikuar edhe në ekonominë e Jemenit.

Organizata humanitare britanike, OXFAM, thotë se çmimet e karburantit janë rritur më se 500%, prej se kanë filluar protestat kundër presidentit Saleh, në muajin janar.

Oxfam-i thotë se protestat kanë “nxitur inflacion dhe i kanë dëmtuar kushtet e jetesës dhe industrinë” dhe kanë shkaktuar mungesa në ushqim.

Presidenti Ali Abdullah Saleh, i cili është në pushtet në Jemen, për më tepër se 30 vjet, aktualisht gjendet në Arabinë Saudite, ku po shërohet nga plagët, që i kishte marrë gjatë një sulmi të kryengritësve në kompleksin presidencial në muajin qershor. Ai i ka refuzuar thirrjet rajonale dhe ndërkombëtare për tërheqje. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG