Ndërlidhjet

Qytetarët apo MUP-i në Rudarë?!


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Dejan Paviqeviq, punonjës në një shkollë fillore në Mitrovicë, çdo të katërtën ose të pestën ditë është i detyruar të qëndrojë në barrikadën e vendosur në Rudarë, bashkë me dhjetëra serbë të tjerë.

Në ditët e para pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për të kthyer kontrollin në pikat kufitare në veri, ai ka qenë i obliguar nga i ashtuquajturi 'shtab i krizës' që të qëndrojë në Rudarë çdo ditë nga gjashtë orë, për të penguar kështu zhbllokimin e rrugës magjistrale.

“Edhe më tej jemi këtu, domethënë mbështesim idenë për të rezistuar ndaj vendosjes së Doganave të Kosovës. Jemi të detyruar të punojmë. Jemi këtu nga katër orë në ditë. Jemi në mënyrë kolektive apo grupe që vijmë këtu nga katër orë, çdo katër ose pesë ditë”, thotë Paviqeviq, për të shtuar se, në kohët e fundit, numri i njerëzve që bëjnë roje është zvogëluar.
Natën janë të obliguar të qëndrojnë mbrojtja civile dhe policia.

Në ditët e para kemi qenë çdo ditë nga gjashtë orë, e tash rrimë nga katër orë. Numri i njerëzve tash është zvogëluar dhe nuk ruajmë më natën. Natën janë të obliguar të qëndrojnë mbrojtja civile dhe policia”, thotë Paviqeviq, duke mos sqaruar se për cilën polici bëhet fjalë.

Por, raporte të ndryshme vendore e ndërkombëtare flasin për prani aktive të pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Serbët lokalë, krahas Rudares, patën bllokuar edhe disa rrugë të tjera në veri të vendit, në shenjë proteste ndaj përpjekjes së Qeverisë së Kosovës për të vendosur doganierët në Portat 1 dhe 31 në veri të vendit.

Pas marrëveshjes së arritur mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit, serbët kanë hequr bllokadat rrugore në pjesë tjera, por jo edhe në Rudarë.

Stojanka Markoviq është e vendosur që të qëndrojë aq sa të jetë nevoja në barrikada, edhe pse nuk ka një sqarim të qartë se pse duhet mbajtur rrugën të bllokuar.

“Kur është në pyetje jeta, fëmijët tanë, ne, mua nuk më duket rëndë. Nëse duhet edhe natën do të ruajmë, pra jemi në krye të detyrës”, thotë Markoviq, e cila qëndrimin në barrikadë herë e lidh me situatë të sigurisë e herë me politikë.
Kurrë nuk do të pranojmë që të na bëhet Thaçi president, kurrë në jetë...

“Kurrë nuk do të pranojmë që të na bëhet Thaçi president, kurrë në jetë. Na ruajt Zoti, më mirë të më vrasin para derës - edhe unë, edhe burri im kemi thënë. Ai të na bëhet president? Kurrë në jetë, le të më mbysin menjëherë. Nuk më intereson, unë mbroj atë që është imja”, shprehet Markoviq.

Një tjetër qytetar, që po ashtu është detyruar të qëndrojë në barrikadën e vendosur në mes të rrugës, Dragan Nikoliq, dyshon se politika lokale është ajo që mund t'i zgjidhë problemet në veri. Megjithatë, ai shpreson se zëri i qytetarëve do të dëgjohet.

“E dimë shumë mirë se çka nënkupton kjo, përndryshe nuk do të ishim këtu. Kjo është një pikë e vogël, por që do të thotë shumë, madje edhe në nivelin global, sepse zëri i popullit është shumë i rëndësishëm. Kështu që, cilido mision, qoftë ai i KFOR-it, EULEX-it, UNMIK-ut, të gjithë, madje edhe shqiptarët, duhet ta kenë këtë parasysh”, thotë Nikoliq, për të shtuar se, në fund të fundit, janë fuqitë e mëdha ato që vendosin.

“Edhe Thaçi u mundua që ta zgjidhë këtë problem me dhunë, por asgjë nuk mund të zgjidhet pa dialog, e dialogun e udhëheqin fuqitë e mëdha, si: Rusia, SHBA e Kina. E di që në fund do të jetë ashtu siç thonë të mëdhenjtë, ndërkaq të vegjlit duhet t’i përshtaten atij vendimi”, thotë Nikoliq.

Barrikadat qenë vendosur fillimisht për të mos lejuar kalimin e automjeteve të misioneve ndërkombëtare, KFOR-it, EULEX-it, si dhe të Policisë së Kosovës. Por, KFOR-i tash po përdor rrugë dytësore për të arritur në bazën e tij në veri, apo në pikat kufitare, të cilat i ka shpallur zona të kufizuara ushtarake dhe i kontrollon vetë.

Qeveria e Serbisë është pajtuar që të hiqen barrikadat, por jo edhe disa nga politikanët lokalë, të cilët, madje, së fundi kanë kërkuar anulimin e plotë të marrëveshjes së arritur me KFOR-in.

Tërë kësaj situate i ka paraprirë vendimi i qeverisë për masat e reciprocitetit me Serbinë, zbatimi i të cilave kërkonte të vihej kontroll i plotë mbi pikat kufitare në veri, tashmë dy herë të djegura nga serbët lokalë.

Gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për t’u vendosur në kufi, është vrarë një polic shqiptar, për ç’gjë tashmë janë hapur hetimet edhe nga misioni evropian për sundimin e ligjit.

Situata në pjesën veriore paraqitet e qetë, por me tensione.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG