Ndërlidhjet

KFOR: Çarmatimi s’është prioritet


Rudarë
Rudarë
Çarmatimi në pjesën veriore të Kosovës, për KFOR-in aktualisht nuk paraqet prioritet. Zyrtarë të qeverisë kanë kërkuar ndihmën e këtij misioni për çarmatim, por në KFOR thonë se, tani për tani, duhet t'i jepet shansi procesit politik.


Autoritetet kosovare kërkojnë çarmatimin e individëve dhe, siç i quajnë ato, grupeve kriminale serbe në veri, por për këtë iu duhet ndihma e misioneve ndërkombëtare, në veçanti e KFOR-it.

KFOR-i aktualisht nuk është i gatshëm që të ndërmarrë aksion çarmatimi në pjesën veriore të Kosovës, me gjithë pohimet për arsenal të madh armatimi ilegal.

Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter, thotë se i duhet dhënë shansi procesit politik, para se të shqyrtohet një çarmatim eventual.
...duhet të përqendrohemi në procesin politik, në procesin paqësor dhe mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ecur tash.

“Kjo nuk është çështje e kohës aktuale, është një çështje në plan afatgjatë, ne do ta shqyrtojmë atë. Por, jo në plan afatshkurtër. Ne duhet të përqendrohemi në procesin politik, në procesin paqësor dhe mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ecur tash”, thotë në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i KFOR-it, Hans Uihter.

Që nga ndërhyrja e njësive speciale të Policisë së Kosovës për të vënë kontroll në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit - ndërhyrje kjo që u pasua me vrasjen e një polici kosovar nga snajperistët serbë, djegien e pikës kufitare në Jarinë, vendosjen e bllokadave rrugore e të shtënat në drejtim të KFOR-it - misioni paqeruajtës ka marrë rolin e negociatorit në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Në këtë rol, një javë më parë, KFOR-i arriti një pajtueshmëri për të qetësuar situatën e tensionuar në veri, plan ky që ende nuk ka gjetur zbatim të plotë.

Por, KFOR-i insiston në qetësimin e plotë të situatës, para se të ndërmerret ndonjë hap tjetër, siç është çarmatimi.

“Ne jemi gjatë gjithë kohës në diskutime me të dyja palët, duke diskutuar të gjitha gjërat. Por, aktualisht ai (çarmatimi) nuk është prioritet”, thotë Uihter.

Djegia e pikës kufitare në Jarinë...
Në pjesën veriore të Kosovës dhuna ka qenë e pranishme jo rrallëherë, ndërsa posedimi i paligjshëm i arsenalit të madh të armatimit nuk është fshehtësi.

Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë, serbë të armatosur patën djegur pikat kufitare 1 dhe 31, ndërkaq, në përpjekjet e autoriteteve për të kthyer Gjykatën e uzurpuar të Qarkut në Mitrovicë, qe vrarë një polic i UNMIK-ut.

Autorët e krimeve nuk janë sjellë ende para drejtësisë.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, mendon se për hir të një sigurie afatgjatë dhe të qëndrueshme, tani duhet të ndodhë çarmatimi i popullatës serbe.

“Në veri, as Policia e EULEX-it, as e Kosovës, duke mos shtrirë autoritetin, nuk e zbatojnë kontrollin e plotë të arsenalit të armatimit që është në posedim privat, por edhe të strukturave ilegale çfarë janë atje. Kjo ka bërë që një arsenal i madh i armatimit të jetë te këta qytetarë. Pra, në një formë, rezultoi me vrasjen e policit edhe me akte të tjera të dhunshme në këtë pjesë të Kosovës".

"Përgjigjja se duhet një qetësi e situatës po shkakton veprime të bandave kriminale, apo strukturave ilegale dhe kjo çështje e pritjes për një gjendje të re, më të relaksuar, po shkon në pafundësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nuredin Ibishi.

Ai thotë se sasia e madhe e armëve ilegale që ndodhet në duart e grupeve të ndryshme në veri, paraqet rrezik jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë institucionet e sigurisë që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

Ibishi shpreh bindjen se aksioni i qeverisë për të futur nën kontroll pjesën që nuk iu bind Prishtinës për 12 vjet me radhë, duhet të pasohet me çarmatosjen e popullatës serbe që jeton në veri.

“Duhet të ketë gatishmëri të institucioneve të sigurisë që kur të ndërmarrin një veprim të tillë, të shkojnë deri në fund. Duhet të ndërmerren aksione të caktuara, të grumbullohen armët”, thotë Ibishi.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy vjet më parë Ligjin për Armët, i cili për posedim të armëve pa leje, tregtim të tyre, apo shkelje të tjera, parasheh gjoba prej 1 mijë deri në 100 mijë euro, ose edhe dënim me burg prej dy deri në pesë vjet.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG