Qeveria e Kosovës bëri të ditur se është arritur pajtimi për gjendjen në veriun e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se është arritur pajtim që të ruhet gjendja e re e krijuar në Portat 1 dhe 31 në veri të vendit. Ai bëri këto komente në mbledhjen e qeverisë, ku sqaroi se për këtë është pajtuar KFOR-i dhe NATO-ja. Sipas tij, të gjitha vendimet e qeverisë do të zbatohen plotësisht. Pajtimin, ai e quajti të arriturën më të madhe që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Njëmbëdhjetë ditë pas aksionit të Qeverisë për kthimin e kontrollit në veri, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaçi, njoftoi arritjen e një pajtimi për situatën në pikat kufitare 1 dhe 31. Për dokumentin, sipas shefit të qeverisë, është pajtuar edhe KFOR-i.
Pika e parë e dokumentit parasheh zhbllokimin e të gjitha rrugëve për në pikat kufitare 1 dhe 31 - do të thotë, largimi i të gjitha barrikadave, të vendosura për më shumë se 10 ditë nga serbët lokalë.
Pika tjetër flet për mbajtjen e gjendjes së tanishme në pikat 1 dhe 31, por, sipas kryeministrit, në ndërkohë do të krijohen kushtet që, përveç ushtarëve të KFOR-it, në të dy pikat të dërgohen edhe policët dhe doganierët.
KFOR-i, sipas dokumentit, do të jetë përgjegjës për sigurinë në pikat kufitare 1 dhe 31, ndërkaq pikat kufitare do të mbesin të mbyllura. Të njëjtat cilësohen si zona të kufizuara ushtarake.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që të lejojë futjen e ndihmave humanitare në Kosovë, por pasi të konstatohet nga një organizatë e pavarur ndërkombëtare që vërtet ekziston nevoja për ndihma humanitare.
Sipas dokumentit të publikuar nga kryeministri Hashim Thaçi, do të ketë masa rigoroze të kontrollit të kufirit, ku çdo person dhe automjet që do të kalojë në pikat 1 dhe 31, do të kontrollohet për armë, ndërsa çdo person do të kontrollohet për dokument identifikimi.
Treni që qarkullon në relacionin Mitrovicë-Beograd dhe anasjelltas do të kontrollohet nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it si dhe KFOR-i. Po ashtu do të lejohet hyrja e ndihmave për Kishën Ortodokse Serbe.
Kryeministri Thaçi e quajti të arritur të madhe këtë që ai nuk e vlerësoi si marrëveshje, por pajtim:
“Ky është suksesi më i madh që kemi arritur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në kuadër të angazhimeve tona të respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe konsolidimit e forcimit të shtetit tonë, por edhe përshpejtimit dhe qartësimit të perspektivës evropiane të Kosovës”, tha Thaçi.
Ai u shpreh i bindur se të gjitha vendimet e qeverisë do të respektohen.
“Dua të theksoj se vendimet e Qeverisë së Kosovës, të gjitha mbesin në fuqi dhe të njëjtat do të zbatohen deri në fund. Masat e reciprocitetit do të respektohen deri në fund dhe kontrolli i kufirit do të vazhdojë me përpikëri dhe gjatë gjithë hapësirës”, u shpreh Thaçi.
Shefi i ekzekutivit tha se për zbatimin e pikave, garantues është komuniteti ndërkombëtar, por nuk ceku saktësisht se cili nga misionet ndërkombëtare.
“Kjo nënkupton se masat do të zbatohen në përpikëri dhe kontrabanda është ndalur definitivisht, qind për qind... Do të luftohen të gjitha dukuritë tjera në mënyrë shumë rigoroze nga NATO-ja, Policia e Kosovës dhe EULEX-i".
"Pra, përfundimisht, Kosova ka arritur që të vërë nën kontroll kufijtë e saj dhe garancë për këtë ka gjithë komunitetin ndërkombëtar, i cili është thellësisht i përkushtuar për tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës dhe, mbi të gjitha, vendosjen e rendit, ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.
Këtij pajtimi i kanë paraprirë konsultime të gjata të komandantit të KFOR-it, Erhard Byler, me zyrtarët e Qeverisë së Prishtinës dhe Beogradit.
Misioni paqeruajtës nuk ka komentuar ende marrëveshjen e paraqitur nga kryeministri, ndërsa, më herët, gjenerali Byler është shprehur optimist për arritjen e një pajtimi të tillë.
Situata në pikat kufitare 1 dhe 31 mbetet e njëjtë, me KFOR-in që ka në kontroll të dyja pikat, të cilat kohë më parë i ka shpallur zona të kufizuara ushtarake.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse serbët lokalë kanë hequr bllokadat në rrugët që çojnë kah pikat 1 dhe 31.
Veriu i Kosovës ka qenë jashtë kontrollit të Prishtinës që nga ’99-ta, ndërkaq aksioni i 25 korrikut i njësive speciale të policisë për të futur nën kontroll pikat kufitare, ka shënuar hapin konkret të qeverisë për shtrirjen e kontrollit.
Meqë njësitë speciale u tërhoqën për shkak të tensioneve të ngritura nga grupet e serbëve, që dogjën pikën 1 në Jarinë, KFOR-i mori në tërësi përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë në atë pjesë.
Në Kosovë, që nga e hëna, do të vendosen forcat shtesë, të cilat u kërkuan nga komandanti i KFOR-it, për shkak të tensioneve të vazhdueshme në veri.
*******
Byler, optimist për zgjidhje të shpejtë
Komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, që është në qendër të opinionit publik për shkak të bisedimeve që po zhvillon për situatën në veri me zyrtarë të Prishtinës e Beogradit, është shprehur optimist sot për një zgjidhje të shpejtë, por nuk ka dhënë hollësi se çka mund të përfshijë një marrëveshje eventuale.
“Hollësitë e marrëveshjes duhet të diskutohen edhe më tej, por jam optimist se shumë shpejt do të arrihet një lloj marrëveshjeje”, ka thënë Byler, i cili ka hedhur poshtë idenë se po negocion në emër të qeverive respektive.
“Nuk jam unë në pozitë për të bërë marrëveshje në emër të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Unë mund të lehtësoj, të jem ndërmjetës, të bëj propozime të dy palëve, për ta mbajtur situatën nën kontroll. Nuk ka pasur ndonjë marrëveshje, ka pasur propozime dhe këto propozime janë diskutuar sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd dhe në veriun e Kosovës".
"Me sa kam kuptuar unë, jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje të përmbylljes së gjithë kësaj situate”, ka thënë gjenerali gjerman, Erhard Byler, pak ditë pasi që KFOR-i bëri publike një projekt-marrëveshje të arritur me zyrtarët serbë.
Kjo projekt-marrëveshje u hodh poshtë nga zyrtarët e Prishtinës, ndërsa nxiti debat nëse me të po shkelej vendimi për masat e reciprocitetit të ndërmarra nga qeveria.
“Unë e respektoj çfarëdo vendimi të qeverive dhe nuk i takon KFOR-it që të vërë embargo. Por, sidoqoftë, tash për tash, nuk ka nevojë, sepse portat janë të mbyllura. Ka disa përjashtime, lejohen automjetet civile me pasagjerë mirëpo, në parim, portat janë të mbyllura sidomos për kamionë të rëndë që mund të bartin mallra komerciale”, ka thënë komandanti i KFOR-it, i cili për të rritur sigurinë në veri ka kërkuar trupa shtesë nga NATO-ja, të cilat do të vendosen që nga e hëna.
“Situata në veri të Kosovës është e qetë. Ne e kemi marrë kontrollin atje. Po na vinë rezervistë që do të thotë se gjithçka është në rregull atje. Kemi pasur shumë takime kohëve të fundit me qeveritarët këtu në Kosovë, me qeveritarët e Serbisë, me përfaqësuesit e popullit në veri dhe të tjerët, qëllimi i të cilave ka qenë ta mbajmë situatën të qetë dhe stabile”, është shprehur Byler, i cili ka hedhur poshtë pohimet për një krizë të mundshme humanitare në veri.
“Sipas meje nuk ka krizë humanitare në veri. Kjo është përshytpja ime personale nga shumë vizita që kam pasur në veri. Mirëpo, nëse ndonjë organizatë ndërkombëtare relevante, sikurse është Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, mendon se duhet të dërgohet miell dhe grurë, unë nuk do të jem në pozicion nga baza legale për t’i penguar ato”, ka thënë Byler, i cili ka konfirmuar se me gjithë bllokadat në rrugë, të vendosura nga serbët lokalë, KFOR-i ka liri lëvizjeje.
Këto komente, gjenerali Byler i ka bërë në një konferencë të përbashkët me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, në kuadër të një ndihme që KFOR-i ka dhënë për ambientin.
Ministri Çeku ka shprehur gatishmërinë e qeverisë për të mos lëvizur nga vendimet e marra.
“Qeveria e Kosovës është absolutisht e vendosur që të mos tërhiqet nga pozicioni dhe vendimi që ka marrë. Vetëm do të diskutohen këto vendime dhe do të shkojmë deri në fund; është vendim i drejtë, kushtetues, janë kufijtë tanë dhe qeveria është duke e bërë atë që duhet ta bëjë çdo qeveri e vendit sovran”, ka thënë Çeku.
Në anën tjetër, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i ka quajtur bisedimet e deritashme të komplikuara.
“Janë diskutime shumë të komplikuara, për vetë faktin se po flasim me KFOR-in për çështjet që ndoshta nuk janë direkt në mandatin e tij, por në situatë të tillë është bashkëbiseduesi më i qëlluar. Por, kjo nuk do të thotë se këtu do të mbyllen bisedimet".
"Për këtë problem janë të interesuara shumë anë dhe kur keni të bëni me më shumë se dy palë, atëherë kjo kërkon konsultime të vazhdueshme me të gjitha palët. Kjo me siguri se do të zgjasë, por shpresoj se në fund do të kemi marrëveshje që do t’i kënaqë të gjitha palët dhe do të sjellë paqe dhe stabilitet”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Ivanoviq.
Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë fillimisht projekt-marrëveshjen, por pas disa orë bisedimesh mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Byler, kreu i ekzekutivit ka folur për sqarime.
Prishtina ka dhënë bekimin që dje të hyjnë në Kosovë 75 tonë ndihma humanitare nga Kryqi i Kuq i Serbisë, edhe pse vetë zoti Thaçi ka konstatuar se në veri nuk ka krizë të tillë.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ndihmat kanë hyrë vetëm në ditën e djeshme, por jo edhe sot.
“Vetëm dje është lejuar hyrja e këtyre kamionëve të Kryqit të Kuq të Serbisë, ndërsa për sot dhe në ditët në vijim nuk ka asnjë informacion, gjegjësisht asnjë leje specifike për hyrjen e ndonjë malli me karakter tjetër. Po them prapë, këto pika mbeten të mbyllura, sepse nuk ekziston as logjistika përcjellëse që mund të regjistrojë ndonjë mall, qoftë edhe nga vendet e treta dhe jo nga Serbia”, ka thënë Kusari Lila.
Situata në portat 1 dhe 31 mbetet e njëjtë, me KFOR-in që mban në kontroll këto dy pika, por pa asnjë doganier kosovar. Në Doganat e Kosovës, ndërkaq, është shprehur bindja se kontrabanda e deritashme me mallra në atë pjesë të Kosovës është ndërprerë në masë të madhe.