Ndërlidhjet

Plan kundër tregtisë së drogës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përgjatë maleve dhe kufijve të pasigurt, hashashi kalon nga Afganistani, përmes Azisë Qendrore në Rusi dhe përtej. Duke ushqyer një tregti multi-miliardë dollarësh, financon po ashtu dhe ekstremistët dhe shkatërron miliona jetë. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, po promovojnë një plan që synon luftimin e problemeve rajonale duke përmirësuar koordinimin në mes të shteteve. Kjo vjen në kohën kur janë rritur shqetësimet se prej tërheqjes amerikane nga Afganistani do të përfitojnë trafikantët e drogës.


Zyrtarët kundër narkotikëve në Uashington kanë zbuluar një plan që ndihmon në luftimin e qarkullimit të drogës nga Afganistani, përmes Azisë Qendrore në Rusi- dhe duke vepruar kështu- po zbehin frikën se nga tërheqja amerikane do përfitojnë trafikantët e drogës.

Plani, që ende nuk ka marrë formën finale, njihet si “Iniciativa e Azisë Qendrore kundër Narkotikëve”(CACI).

Ai parasheh formimin e task-forcave në pesë shtete të Azisë Qendrore- Kazakistan, Kirgizi, Taxhikistan, Turkmenistan dhe Uzbekistan.

Këto task-forca do të komunikonin me njësitë e ngjashme ekzistuese në Afganistan dhe Rusi.

Shtatë grupet do të ndanin informacione të ndjeshme, do të përmirësonin bashkëpunimin në operacionet e përbashkëta ndër-kufitare dhe do të ndihmonin në ndërtimin e rasteve kundër trafikantëve të kërkuar apo të arrestuar.

Uilliam Brounfild, ndihmësi i sekretares amerikane të shtetit për Çështje të Zbatimit të Ligjit dhe Narkotikëve Ndërkombëtarë, i tha Radios Evropa e Lirë, se duke e zhvilluar iniciativën, Uashingtoni po përpiqet që të tejkalojë atë që e ka quajtur “nivel i pamjaftueshëm i besimit” në qeveritë dhe agjencitë e zbatimit të ligjit në shtatë shtetet:

Çfarë është me vlerë për republikat e Azisë Qendrore? Janë mënyrat nga të cilat ata mund t’i marrin informacionet e rëndësishme dhe të ndjeshme, që burojnë nga Afganistani në lidhje me prodhimin e drogës, me operacionet e ndalimit, dhe me përpjekjet e zbatimit të ligjit kundër trafikantëve në Afganistan. Pse është e rëndësishme për Federatën Ruse?”.

Është sepse ata mund të lidhin përpjekjet si në shtetin burim, Afganistan, ashtu edhe në shtetet ku kalon droga, në pesë shtetet e Azisë Qendrore, në atë mënyrë, që aktualisht nuk mund ta bëjnë”, ka thënë Brounfild.

Me dollarët e Departamentit Amerikan të Shtetit do të financohet trajnimi dhe blerja e pajisjeve për zhvillimin e task-forcave.
Brounfild ka udhëtuar në Kirgizi, Kazakistan, Taxhikistan dhe së fundi në Rusi, për të paraqitur iniciativën dhe për të marrë reagimet nga zyrtarët e atjeshëm.

Ai tha se ka dëgjuar shqetësime “disa herë” gjatë udhëtimit të tij, se tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani- përfshirë edhe pjesën e parë prej 10 mijë ushtarësh në fund të këtij viti- mund të çojë në lulëzimin e tregtisë së hashashit.

Me gjithë iniciativat e mbështetura nga SHBA për çrrënjosjen dhe zhvillimin e programeve alternative për jetesë, Afganistani mbetet burimi primar botëror i opiumit.

Opiumi përpunohet në heroinë dhe drogat e tjera në një tregti të paligjshme shumë-miliardë dollarëshe, duke financuar kështu grupet ekstremiste dhe gjatë rrugës, duke krijuar legjione të të varurve.

Por, Brounfild, thotë se tërheqja e trupave amerikane nuk do ta përkeqësojë problemin, sepse reduktimi i trupave nuk do të thotë reduktim i mbështetjes së zbatimit të ligjit në Afganistan.

Besoj se po bëjmë përparim në Afganistan dhe besoj se krahas reduktimit të trupave të SHBA-së dhe NATO-së në Afganistan, do të shohin rritje të kapaciteteve të sundimit të ligjit në vend. Nuk ka plan për të reduktuar mbështetjen për ligjin atje. Parashikimi është për të reduktuar praninë e forcave tona të armatosura”, thotë ai.

Duke vendosur për nënshkrimin e planit amerikan, liderët e Azisë Qendroe do të peshojnë reagimin rus.

Rritja e bashkëpunimit në luftimin e narkotikëve ka qenë një nga qëllimet e hershme në relacionet e reja mes Obamës dhe Medvdeveit.

Por, një edicion i 9 korrikut, i gazetës zyrtare të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, “Krasnaya Zvezda,” la të kuptohet për shqetësimet e Moskës rreth përfshirjes amerikane në rajon.

Në një artikull, rreth një post-blloku të financuar nga SHBA në kufirin taxhiko-afgan, të cilin Brounfild e kishte përuruar disa javë më parë, gazeta ka komentuar:

Natyrisht, kjo nuk është prani e plotë ushtarake amerikane, por siç thuhet, e tëra fillon me pak”.

Rusia po ashtu ka shfaqur interesimin për t’u kthyer në kufirin taxhiko-afgan, ku trupat e saj kishin patrulluar deri në vitin 2005.

Brounfild, që nuk është takuar me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes gjatë udhëtimit të tij në Moskë, tha se SHBA dhe Rusia kanë “objektiva të njëjta” në reduktimin e rrjedhjes së narkotikëve në rajon.

Duke i lejuar të gjitha shtetet e Azisë Qendrore që të krijojnë forcat e tyre sipas strukturës së tyre të preferuar, ai thotë se “kjo do të lejojë që incitiava e propozuar të jetë mbi çdo betejë të perceptuar të ndikimit mes Uashingtonit dhe Moskës”.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG