Ndërlidhjet

Krasniqi ende nuk i ka dorëzuar letrën EULEX-it


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Kuvendi i Kosovës, përmes një njoftimi ka sqaruar mediat dhe opinionin, se kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kryesia e Kuvendit të Kosovës nuk i kanë dërguar letër EULEX-it, por kanë prezantuar një letër - draft.

Ndonëse nuk sqarohet më shumë, njëri nga anëtarët e kryesisë së Kuvendit, u ka thënë mediave se bëhet fjalë për një letër që Jakup Krasniqi kishte vendosur t’i drejtonte EULEX-it, në lidhje me kërkesën e këtij misioni për heqjen e imunitetit deputetëve që janë nën hetime.

Përmes kësaj letre, që ishte prezantuar në kryesi, Krasniqi i sqaronte shefit të EULEX-it se nuk është përgjegjësi e Kuvendit që të merret me çështjen e imunitetit.

Andaj, ai i kishte sugjeruar EULEX-it që, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

Në rastin konkret, do të ishte normale që Qeveria, e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas rregullores së Kuvendit”, thuhet letrën e Krasniqit, të cituar nga mediat lokale.

Në këtë letër, Krasniqi ka theksuar se nuk ka nevojë të miratohet një rezolutë në Kuvend, kur Qeveria me Kushtetutë i ka të përcaktuara të drejtat e saj në këtë drejtim.

Është shqetësuese të vërejmë që Qeveria kërkon një akt jodetyrues si rezoluta që të ushtrojë një funksion të saj kushtetues. Nëse do të ishte nevoja e një rezolute të Kuvendit për ta vënë në lëvizje Qeverinë, që kjo e fundit ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, Kushtetuta do ta kishte përcaktuar një gjë të tillë. Për mendimin tonë, një rezolutë e tillë do të ishte në vetvete një akt antikushtetues, sepse do të shkelte të drejtën e Qeverisë për ta përdorur paragrafin 10 të nenit 93 në lirinë dhe diskrecionin e saj të plotë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Kjo letër ka marrë mbështetjen e Kryesisë së Kuvendit, përveç lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka vlerësuar se nuk ka nevojë t’i njihet EULEX-it kjo e drejtë që e ka kërkuar.

Megjithatë letra ka mbetur ende si draft dhe jo version final, ka konfirmuar Kuvendi i Kosovës përmes njoftimit.

Ndërkohë, kryeministri, Hashim Thaçi nuk ka dashur ta komentojë kërkesën e EULEX-it lidhur me shqyrtimin e imunitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët janë nën hetime.

Ai ka thënë se ende në zyrën e tij nuk ka shkuar ndonjë dokument zyrtar për këtë çështje, prandaj nuk dëshiron të komentojë.(z.g.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG