Ndërlidhjet

Mirel: Zbatoni legjislacionin


Pier Mirel - arkiv
Pier Mirel - arkiv

Në Prishtinë përfundoi takimi i dytë plenar për procesin e stabilizim-asociimit. Përfaqësues të Komisionit Evropian thanë se përgjatë vitit të kaluar Kosova ka shënuar progres në përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian, por theksuan rëndësinë që ligjet në fjalë të gjejnë zbatim edhe në terren.


Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Departamentin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Pierre Mirel, tha se është befasuar pozitivisht nga arritjet që ka bërë Kosova në draftimin e legjislacionit të nevojshëm për integrim në Bashkimin Evropian dhe në tregun e brendshëm.

Megjithatë, ai theksoi rëndësinë për miratimin e një varg ligjeve të nevojshme, si ai i prokurimit publik, ligji për financimin e Radio Televizionit Publik të Kosovës, ligji mbi shoqërinë civile dhe të tjera. Sfidë, sipas tij, mbetet sistemi i drejtësisë.

“Një sektor shumë i rëndësishëm tradicionalisht mbetet Gjyqësori dhe reformimi i tij. Kemi vërejtur përparim në kornizën ligjore - me themelimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial dhe pasi janë arritur këto, presim që Gjyqësori dhe gjykatat të performojnë më mirë. Andaj presim që në vitin e ardhshëm ta bëjmë një rishikim për këtë”, u shpreh Mirel.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se puna e institucioneve kosovare në përmbushjen e kritereve evropiane është ndikuar nga kriza politike e vitit të kaluar, e cila çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Ajo tha se puna për përmbushjen e kritereve evropiane do të fuqizohet pas publikimit të raportit të radhës të Progresit, të cilin Komisioni Evropian e publikon në fillim të muajit tetor.

Vlora Çitaku

“Ne do t’i ndajmë detyrat për vitin që vjen, sepse detyrat për Raportin e ri të Progresit fillojnë më 12 tetor, një ditë pasi ai të publikohet. Mirëpo, një gjë duhet pasur parasysh, sa më afër të jetë Kosova strukturave evropiane, aq më shumë rriten kërkesat e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën”, tha Çitaku.

I pyetur për kriteret ekonomike, të cilat u kritikuan në raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian, Mirel tha se karshi privatizimit, heqjes së pengesave për investitorët e huaj, nevojitet të inkurajohet bujqësia.

“Besojmë që Kosova duhet t’i shfrytëzojë më shumë resurset bujqësore që ka. Mendoj se është lënë anash bujqësia dhe se duhet të bëhet më shumë. Ka shumë toka bujqësore, mbi të cilat nuk janë hedhur plehra, e ku suksesshëm mund të zhvillohej bujqësia organike. Duke i promovuar këto produkte, do të ulej deficiti i brendshëm tregtar”, theksoi Mirel.

Ndërkohë, sa i përket liberalizimit të vizave, autoritetet evropiane përsëritën qëndrimin e Komisionit Evropian, sipas të cilit duhet të përfundojë riatdhesimi dhe ri-integrimi i personave të riatdhesuar nga vendet e BE-së.

Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian Kosova pati marrë vërejtje serioze për mungesën e gatishmërisë së duhur për të luftuar korrupsionin, luftën kundër krimit të organizuar, për ndikimin politik në emërimin e gjykatësve dhe, siç thuhet, mungesën e lirisë së shprehjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG